Komisioni Europian tha se ka siguruar 41 milionë euro (48.5 milionë $) për të mbështetur rimëkëmbjen e Kroacisë nga tërmetet e fundit.
Financimi do të sigurohet nga Fondi i Solidaritetit të Bashkimit Europian (EUSF) dhe është pjesë e një mbështetjeje prej 119 milionë eurosh që KE do të shpërndajë në Francë, Greqi dhe Kroaci për katastrofat e fundit natyrore, tha Komisioni në një deklaratë në faqen e internetit këtë javë.
“Ky është një shembull i mirëfilltë i solidaritetit europian për përfitimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve”, tha në deklaratë komisionerja për Kohezionin dhe Reformat, Elisa Ferreira.
Një sërë tërmetesh shkatërruese goditën qarkun Sisak-Moslavina dhe disa pjesë të qarqeve Karlovac dhe Zagreb në Kroaci, në dhjetor dhe janar.
Kjo ndihmë nga Fondi i Solidaritetit të BE-së për Kroacinë, vjen pas një alokimi prej 111 milions eurosh nga Fondi Europian Rajonal dhe i Zhvillimit, i siguruar në fillim të qershorit 2021, për rindërtimin e njësive të banimit për njerëzit që nuk janë në gjendje të gjejnë strehim për arsye sociale, ekonomike ose shëndetësore.
Në mars, qeveria kroate tha se është në procesin e sigurimit të shumës prej 28.5 miliards kuna (4.5 miliards dollarë / 3.8 miliards euro) nga BE dhe institucionet financiare ndërkombëtare, për të përballuar pasojat e tërmeteve. Qeveria parashikoi se vlera totale e dëmit të shkaktuar nga lëkundjet arrinte në 128 miliardë kuna.