Kroacia pret që ekonomia e saj të tkurret me 9.4% këtë vit për shkak të ndikimit të koronavirusit, tha kryeministri Andrej Plenkoviç.
Në fund të vitit të kaluar, Kroacia kishte parashikuar një rritje prej 2.5% në vitin 2020. Ekonomia u zgjerua me 2.9% në vitin 2019.
“Në tre vitet e fundit, kemi pasur një tepricë buxheti. Po përballemi me një tkurrje të fortë ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit, kështu që tani e tutje do të përqendrohemi në rimëkëmbjen ekonomike”, tha Plenkoviç.
Ministri i Financave, Zdravko Maric, tha në seancën e së enjtes se ai priste një rritje ekonomike prej 6.1% për vitin 2021.
Ai gjithashtu tha se këtë vit, qeveria priste një deflacion mesatar vjetor prej 0.3%.
“Deficiti buxhetor në vitin 2020 pritet të arrijë në 6.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose 24.8 miliardë kuna (3.56 miliardë dollarë). Borxhi publik parashikohet të rritet deri në 86.7% të PBB-së”, tha ai. Në fund të vitit të kaluar, borxhi publik arriti në 73.2% të PBB-së.
Deficiti do të financohet përmes huamarrjes brenda dhe jashtë vendit.