Pasi Kroacia bëri publike planet për dhënie me qira të 15 vendpushimeve të ish-Jugosllavisë, Bosnja dhe Serbia reaguan menjëherë duke thënë se do të ndërmarrin veprime në mbrojtje të të drejtave të tyre të pronësisë.
Ministria e Pronës Shtetërore të Kroacisë tha për BIRN se nuk ekzistojnë baza ligjore për kthimin ose pagimin e rimbursimeve për pronat që vendet fqinje kanë pasur në Kroaci përpara se Jugosllavia të ndahej.
Zyra e shtypit e Ministrisë tha se çështjet e trashëgimisë së pasurisë rregullohen me Marrëveshjen mbi Çështjet e Trashëgimisë, e cila është në fuqi në Kroaci, në përputhje me Ligjin për Konfirmimin e Marrëveshjes për Çështjet e Trashëgimisë. Ajo theksoi gjithashtu se Aneksi G i marrëveshjes nuk u jep individëve, ose personave juridikë, asnjë të drejtë ligjore për kthimin ose kompensimin për pronat e tyre të paraluftës, duke vënë në dukje se një kompensim i tillë mund të bëhet i mundur nëse arrihet të nënshkruhet një marrëveshje bilaterale shtesë.
Por duke qenë se marrëveshjet dypalëshe nuk kanë përfunduar ende me Serbinë dhe me Bosnje-Hercegovinën, çështja e kthimit të pronës nuk mund të merret në konsideratë”, tha më tej për BIRN zyra e shtypit të Ministrisë. Kjo përgjigje ka ardhur menjëherë pasi ministria është kritikuar për shpalljen e një tenderi më 10 nëntor për 15 prona të ish-Jugosllavisë në bregdetin e Adriatikut. Parlamenti i Kroacisë në maj miratoi një ligj që i lejon qeverisë së Zagrebit të japë me qira pronat e trashëguara nga ish-Jugosllavia, “derisa çështja e trashëgimisë të zgjidhet”.
Ligji kroat i menaxhimit të pronës lejon që pronat e papërdorura ish-jugosllave të jepen me qira si koncesione deri në 30 vjet. Të 15 pronat që do të jepen me qira janë ish-kampet e punëtorëve në Gradac, afër Makarskës, Rab, Biograd, Moru dhe Slano, ku punëtorët e kompanive serbe apo boshnjake kalonin pushimet e verës. Milorad Dodik, Presidenti i entitetit të Bosnjës deklaroi javës së kaluar se Kroacia është e detyruar të zbatojë një marrëveshje, sipas së cilës të gjithë qytetarëve dhe personave juridikë duhet t’u rikthehen të drejtat dhe pasuritë që ata kanë pasur më 31 dhjetor 1990.
“Por të gjitha kontratat e lidhura nën presion dhe kërcënime të shumta duhet të shpallen si të pavlefshme. Dhënia me qira e pronave të huaja, që Kroacia ka ndër mend të bëjë, do t’i komplikojë më shumë dhe në mënyrë të panevojshme marrëdhëniet në rajon”, tha më tej z. Dodik. Sipas ministrisë kroate, këto prona, të cilat kanë qëndruar për vite me radhë të papërdorura, përbëjnë një kërcënim si për njerëzit edhe pronat e tjera. Në të njëjtën kohë përbëjnë një potencial edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, sepse shumica e këtyre objekteve, edhe pse tashmë në gjendje të shkatërruar, shtrihen në vende shumë tërheqëse pranë bregdetit.
Amer Bekriç, drejtor i agjencisë së privatizimit për njësinë e entitetit të Bosnjës, e kritikoi planin e Ministrisë Kroate, duke parashikuar se ata që do të japin me qira këto prona, në fund do të kërkojnë edhe pronësinë e tyre. Por edhe nëse pas 30 viteve do të jetë dikush tjetër që do të regjistrohet si pronar, të gjitha përfitimet e dhënies me qira të këtyre pronave do t’i kalojnë Kroacisë, tha më tej z. Bekric.
Megjithatë, Ministria kroate ka theksuar faktin se asnjë prej qiradhënësve të ardhshëm nuk do të jenë në gjendje të përfitojë asnjë të drejtë pronësie mbi 15 pronat në fjalë. Në marrëveshjen e qiradhënies do të përfshihet një klauzolë sipas së cilës qiradhënësi pranon se nuk do të kërkojë asnjë të drejtë pronësie, tha për BIRN, zyra e shtypit të Ministrisë së Pronave Shtetërore të Kroacisë.