Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, përcaktoi katër përparësitë për Presidencën e vendit të tij të Këshillit të Bashkimit Europian (BE-së), duke theksuar “një Europë që të ruajë lidhjet”, raporton “Trend” duke iu referuar “Xinhuanet.com”.
Kroacia do të marrë përsipër Këshillin e Presidencës së radhës të BE-së nga 1 janari deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.
Gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë në Zagreb, ai tha se katër përparësitë kryesore të Kroacisë janë: një Europë në rritje dhe në zhvillim, një Europë që të ruajë lidhjet ekonomike, ato në drejtim të infrastrukturës dhe të energjisë, një Europë që mbron dhe një Europë që ka ndikim në rang global.
Z. Plenkoviç theksoi se “një Europë që do të ruajë lidhjet” do të ketë ndikim shumë të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të transportit, energjisë dhe infrastrukturës dixhitale. “Ne jemi për një Europë që mbron qytetarët e saj duke respektuar dhe duke zbatuar rregullat e shtetit ligjor”, tha kryeministri. Z. Plenkoviç vuri në dukje se BE-ja është ekonomia e dytë më e madhe në botë, që përbën një të pestën e Produktit të Brendshëm Bruto të botës (PBB-së) dhe se ekonomia e BE-së dhe tregu i punës janë përballur me rritjen e konkurrencës nga ana e ekonomive të tjera.
“Zgjidhja situatës në fjalë është zhvillimi i një Europe sa më të fortë, e cila do të vazhdojë të rritet në mënyrë të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse”, vuri në dukje Kryeministri. Gjatë Presidencës së saj, Kroacia do të mbrojë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së në juglindje të Europës.