Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Kroate për Rindërtim dhe Zhvillim (HBOR) nënshkruan një Marrëveshje Garancie prej 50 milionë euro për kredi për ndërmarrjet kroate dhe korporatat e mëdha, për të financuar rimëkëmbjen e tyre nga efektet e COVID-19.
Kontributi i BEI-t buron nga Fondi Europian i Garancisë (EGF) i krijuar nga Grupi BEI në vitin 2020, për të përshpejtuar rimëkëmbjen e ekonomisë së Europës pas COVID-19, për të mbrojtur vendet e punës dhe për të siguruar likuiditet për kompanitë europiane.
Ky është operacioni i parë i BEI-t në Kroaci që buron nga Fondi Europian i Garancisë dhe i katërti për Grupin BEI, pas tre operacioneve të EGF-së të zbatuara nga Fondi Europian i Investimeve (EIF). Operacionet e EIF-së siguruan garanci prej 350 milionë euro në hua, dhe marrëveshja e tanishme me HBOR-në, e çon shumën totale të huave të garantuara nga EGF në Kroaci, në 513 milionë euro.
Teresa Czerwinska, nënkryetarja e BEI-t, përgjegjëse për Kroacinë, tha: “Marrëveshja BEI-HBOR është një lajm i mirë për ekonominë e Kroacisë, ndërmarrjet vendase dhe korporatat e mëdha. Ajo sjell lehtësim të mëtejshëm ekonomik, që është thelbësor për rimëkëmbjen më të shpejtë nga COVID-19, ruajtjen e vendeve të punës dhe të ardhurave dhe konkurrencën e përgjithshme të kompanive kroate.
Operacioni ynë e shtrin mbështetjen e EGF-së, nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, deri te kompanitë e mëdha, duke siguruar që mbështetja e rimëkëmbjes të jetë në dispozicion për të gjithë ata që kanë nevojë për të. Jam jashtëzakonisht krenare kur shoh që BEI dhe HBOR vazhdojnë të ofrojnë zgjidhje efektive dhe praktike për sfidat kryesore ekonomike dhe sociale, me të cilat përballen Kroacia dhe Bashkimi Europian, duke përfshirë rimëkëmbjen nga COVID-19, që është sfida kryesore për momentin”.
Tamara Perko, presidentja e Bordit Drejtues të HBOR-së, tha: “Kjo marrëveshje garancie do t’i mundësojë HBOR-së të miratojë hua me kërkesa më të ulëta kolaterali për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, të cilat ne tashmë kemi qenë në gjendje t’ua ofrojmë NVM-ve, pas përfundimit të Marrëveshjes së Garancisë me EIF-në. Ne jemi të kënaqur që BEI e ka njohur HBOR-në si partnerin e parë për bashkëpunim nën këtë program në Kroaci, i cili na mundëson t’u ofrojmë përfitime të mëtejshme sipërmarrësve tanë, pavarësisht nga madhësia e tyre”.