Aman, grupi i mirënjohur në botë, për investimet e tij luksoze në disa prej hotele më në zë, do të fillojë punën për ndërtimin e një hoteli të ri në Kroaci, pas një investimi me vlerë prej 50 milionë eurosh të bërë nga biznesmeni grek Petros Stathis. Sipërmarrjet e tjera të z. Stathis përfshijnë një prej hoteleve më luksoze, Aman Sveti Stefan në Mal të Zi dhe hotelin tjetër luksoz, Aman Venice, me pamje nga Grand Canal, në Venecia. Por cilat do të jenë përfitimet e qytetit të përgjumur të peshkimit të Cavtat-it në brigjet e Adriatikut të Kroacisë kur Aman Cavtat të hapë dyert për publikun?
Cavtat shpeshherë anashkalohet nga turistët, të cilët zgjedhin destinacionin e mirënjohur të Dubrovnikut, por ata që e njohin atë nuk i zëvendësojnë me asnjë qytet tjetër plazhet mahnitëse aty, portin i cili është i rrethuar nga një kurorë e dendur pemësh dhe nekropolet e lashta ilire rreth kësaj zone. Cavtat ka qenë një destinacion shumë i pëlqyer nga adhuruesit e historisë për shkak të pallatit të periudhës së Rilindjes aty dhe që përmban koleksionin e dorëshkrimeve të shkencëtarit të shekullit të 19-të, Baltazar Bogišić, si dhe për shkak të kishës mbresëlënëse të stilit barok të Shën Nikollës.
Tani, hapja e një hoteli nga grupi Aman, mendohet ta vendosë qytetin e Cavtatit në hartën globale të turizmit luksoz. Por pronari Petros Stathis thekson rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit natyror të kësaj zone dhe mbi të gjitha, duke marrë parasysh edhe nevojat e banorëve vendas.
Bazuar në një raport të publikuar së fundmi, bregdeti kroat u cilësua si destinacioni i dytë më i popullarizuar në Bashkimin Europian për udhëtarët ndërkombëtarë, por pjesa më e madhe e këtij bumi turistik, bën pjesë në turizmin masiv me kosto të ulët, shpjegon më tej z. Stathis.
Por ndërsa ky model turizmi mund të gjenerojë shumë të ardhura për ekonomitë vendore, ai po ndikon negativisht në drejtim të shkatërrimit të disa prej pasurive kombëtare që qytete të ndryshme të Kroacisë kanë ruajtur ndër shekuj.