Guvernatori i Bankës Kombëtare Kroate (HNB) Boris Vujçiç ka njoftuar një takim muajin e ardhshëm me qeverinë e re, bankat komerciale dhe institucionet financiare europiane në përpjekje për të krijuar një skemë të re të garancisë që synon të inkurajojë kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
“Tema e takimeve të mia dypalëshe në Konferencën Euromoney synon formimin e një skeme garancie për të përforcuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, problemi kryesor i të cilave është mungesa e kapitalit dhe kolateralit, ose më mirë mungesa e fondeve për të siguruar kredi”, – theksoi Vujçiç në konferencën e Vjenës. Ai shtoi se në këtë skemë mund të përfshihen fonde nga Fondi i Investimeve Europiane (EIF) dhe Banka Europiane e Investimeve (BEI).
“Këto fonde ka të ngjarë të shërbejnë si një garanci për një pjesë të konsiderueshme të humbjeve të kredive për kompanitë e vogla dhe të mesme. Kjo skemë tani mund të bëjë më shumë në lidhje me rritjen e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme se sa çdo shtesë në kesh nga të cilat ne kemi shumë në çdo rast”, pretendoi Vujçiç, duke shtuar se ai ka siguruar një fidbek pozitiv nga përfaqësuesit e institucioneve evropiane financiare.
Duke folur për gazetarët pas një debati mbi politikat monetare, Vujçiç tha se kishte ende vend për konsolidim të sektorit bankar vendas.
Gjatë debatit Vujçiç tha se Kroacia duhet të ndalonte rritjen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe të përpiqej të plotësonte kriteret e Maastricht në mënyrë që të ishte e përgatitur seriozisht për të hyrë në Eurozonë. Në lidhje me efektet e sanksioneve ekonomike të vendosura në Rusi,
Vujçiç tha se kjo lëvizje kishte çuar në reduktim të eksporteve të Kroacisë drejt Rusisë, por se nuk ishte e rëndësishme sepse kjo pengesë është kompensuar me rritje të eksporteve drejt tregjeve të tjera.
Sa i përket stabilitetit të kursit të këmbimit, Vujçiç theksoi se HNB duhet të ruajë stabilitetin e kuna për shkak të euroizimit të lartë. “Edhe pse kursi i këmbimit është mbajtur i qëndrueshëm, në dy vitet e fundit ka pasur një rritje të dukshme në eksportin e mallrave dhe jo vetëm në shërbime”, shtoi Vujçiç.
“Rritja më e lartë e PBB-së Kroacisë në vitin 2015 nga sa pritej fillimisht ka rezultuar nga rënia në çmimin e energjisë. Kjo rënie e çmimeve nuk është e keqe për Kroacinë duke pasur parasysh se ne e importojmë pjesën më të madhe të energjisë”,-tha Vujçiç.
Konferenca Euromoney në Vjenë shënjoi fundin e Forumit të Europës Qendrore dhe Lindore për 2016, që tërhoqi më shumë se 1,000 pjesëmarrës – ministra, guvernatorë, investitorë, ekonomistë dhe analistë nga rajoni për të diskutuar axhendën ekonomike të rajonit për vitin 2016.