Për të pasur një zhvillim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të bashkive dhe ishujve kroatë, Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe Ministria kroate e Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të BE-së nënshkruan një marrëveshje të Shërbimeve Këshillimore, për të mbështetur hartimin e një platforme investimi për qytetet dhe ishujt e zgjuar.
Zëvendëspresidenti i BEI, Vazil Hudák, ministrja e Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të BE-së, Gabrijela Zalac, dhe presidentja e Bordit Drejtues të Bankës Kroate për Rindërtim dhe Zhvillim (HBOR), Tamara Perko, njoftoi në Dubrovnik, zhvillimin e përbashkët të platformës investuese.
Mbështetja këshillimore për krijimin e platformës së investimeve do të financohet nga Qendra Këshillimore, një nismë e përbashkët e BEI dhe Komisionit Europian, pjesë e Planit të Investimeve për Europën.
“Zhvillimi i zgjidhjeve të financimit të zgjuar për të mbështetur zhvillimin e bashkive dhe ishujve kroatë pritet të ketë ndikim edhe drejt rritjes së qëndrueshme të Kroacisë”, tha Vazil Hudák, zëvendëspresidenti i BEI. Ministrja e Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të BE-së, në bashkëpunim me Bankën Europiane të Investimeve, do të ofrojnë mbështetje për zhvillimin e ishujve dhe qyteteve të zgjuara, duke nxitur investimet private dhe publike.
“Mbështetja këshillimore e kontraktuar do të fillojë nëntorin e këtij viti, ndërsa inventari i projekteve që do të identifikohen përmes platformës investuese për qytetet e zgjuara do të shërbejë si bazë për programimin dhe zbatimin e mekanizmave të ITI për qytetet në periudhën pas 2020”, tha ministrja Zalac. Në vende të tjera, platformat e investimeve për qytetet e zgjuara kanë financuar projekte si Rigjenerimi i një qytetërimi urban (Malta); mbështetja për projektin e rinovimit urban (Polonia); investimet në ndërtesat bashkiake, infrastruktura dhe projektet e rigjenerimit urban (Bullgari); mbështetje për zhvillimin e rajoneve ekologjike (Francë); transformimi i një sistemi ujor (Gjermani); ose përmirësimet e sistemit të ndriçimit të qytetit (Lituani).
“Jam shumë e lumtur që Banka Kroate për Rindërtim dhe Zhvillim, do të ketë rol të rëndësishëm në zbatimin e kësaj nisme përmes financimit të investimeve private dhe publike në sektorin e qyteteve dhe ishujve të zgjuar”, tha znj. Perko.
Përvoja në financimin e projekteve në zonat më pak të zhvilluara dhe marrëdhëniet tona me Ministrinë dhe BEI do të kontribuojnë në zbatimin efektiv të projektit, përfundoi Tamara Perko.
“Sa i takon Bankës Europiane të Investimeve, investimet rajonale dhe ato në qytetet e zgjuara janë një mënyrë efikase për t’iu përgjigjur mandatit të kohezionit social dhe territorial, duke mbështetur përmirësimin e ekonomive lokale në një botë dixhitale që po zhvillohet me ritme të shpejta”, tha zëvendëspresidenti i BEI, Vazil Hudák.