Liderët e koalicionit qeverisës të Kroacisë u takuan javën e kaluar për të diskutuar në lidhje me kërkesat e opozitës, një prej të cilave është se zëvendëskryeministrja Martina Dalić duhet të japë dorëheqjen në lidhje me akuzat që asaj i janë bërë për ristrukturimin e firmës më të madhe private të vendit, Agrokor, shkruan Reuters.
Znj. Dalić, e cila është edhe ministre e Ekonomisë, u përpoq që të shpëtonte prodhuesin ushqimor dhe shitësin me pakicë Agrokor, pasi u vendos nën administrimin shtetëror në prill të 2017-s.
Portali lokal i lajmeve informative Index.hr, publikoi një korrespondencë vitin e kaluar ndërmjet znj. Dalić dhe ekspertëve financiarë dhe ligjorë, me të cilët ajo konsultohej gjatë përgatitjes së një ligji emergjent, për të shpëtuar firmën Agrokor, punëdhënësin më të madh të Ballkanit nga falimentimi dhe ku supozohej ndër të tjera se ajo kishte marrë ryshfete.
Menjëherë pas këtij publikimi, znj. Dalić i mohoi akuzat duke thënë se email-et e publikuara ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe se ajo nuk do të jepte dorëheqjen. “Gjatë kohës që ne po përgatisnim ligjin (emergjent) kishim shumë pak kohë në dispozicion dhe gjatë së cilës, ne u konsultuam me ekspertë të ndryshëm”, tha ajo më tej.
Kryeministri i vendit, Andrej Plenkoviç, partia konservatore (HDZ) e të cilit kryeson koalicionin, tha se nuk kishte asgjë të keqe në korrespondencën e znj. Dalić. Por disa nga partnerët e saj më të vegjël kërkuan një takim për të diskutuar situatën problematike të bërë së fundmi publike në lidhje me znj. Dalic, për të cilën partia HDZ ra dakord që të mblidheshin javën e ardhshme.
Në takim do të diskutohet në lidhje me ecurinë e zgjidhjes së këtij procesi. Gjëja kryesore tani është që të ruhen vendet e punës dhe kjo zgjidhje të arrihet sa më parë. Përgjegjësia politike do të vazhdojë të jetë një prej temave kryesore edhe gjatë ditëve në vazhdim, e deri në momentin që zgjidhja e këtij problemi të jetë arritur, tha Ivan Vrdoljak, kreu i koalicionit HNS.
Darinko Kosor, nga partia liberale HSLS, tha se z. Plenkoviç kishte mbështetjen e partnerëve, por se çdo akuzë për marrje ryshfeti duhet të shqyrtohet. “Shumica parlamentare nuk është në rrezik. Unë pres që marrëveshja të arrihet në afatin e rënë dakord, por pres që organet përkatëse të hetojnë nëse dikush ka marrë ryshfete gjatë procesit të ristrukturimit të Agrokor”, tha ai.
Koalicioni me 77 deputetë i japin vetëm një shumicë të vogël në Parlamentin me 151 vende. Opozita, e udhëhequr nga Social Demokratët dhe partia tjetër e madhe e qendrës së djathtë, e njohur si “Ura”, ka hedhur edhe më parë akuza mbi znj. Dalic në lidhje me përfshirjen e saj në mënyrë të paligjshme me Agrokor.
Kreditorët e Agrokor, që përfshijnë bankat e huaja dhe ato lokale, ranë dakord për kushtet e shlyerjes së borxhit muajin e kaluar, të cilat ata duhet t’i votojnë përpara 10 korrikut për të parandaluar falimentimin e firmës.