Qeveria e re e Kroacisë duhet të zbatojë masa të ashpra jopopullore për të ndaluar ndikimin e valës së re të krizës ekonomike, e cila mund të fundosë ekonominë.
“Kemi një punë të madhe përpara. Mesazhi i parë i rëndësishëm është se ne duhet t’i dërgojmë publikut një parashikim të buxhetit. Ne duhet të vëmë nën kontroll shpenzimet tona publike”, tha Milanoviç.
Vendi përballet me një deficit prej gati 3 miliardë eurosh dhe ka një borxh prej 47 miliardë eurosh.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kroacisë, Zeljko Rohatinski, tha se Kroacia përballet me “një vit të ardhshëm shumë, shumë të vështirë”, dhe specifikoi se është e nevojshme të shkurtohen 1.2 miliardë euro.
Analistët thonë se qeveria duhet të vazhdojë trendin e shkurtimit të kostove në vitet e ardhshme, por edhe atë të rritjes ekonomike nëse Kroacia do të shmangë një skenar grek.
Por presidenti kroat i Sindikatës të Punëtorëve, Mladen Novosel, tha për “SETimes” se autoritetet tashmë kanë njoftuar parashikime të dobëta ekonomike për vitin e ardhshëm, duke bërë shumë punëtorë të parashikojnë një të ardhme të zymtë.
“Një kompani amerikane që zotëron fabrikën e çelikut ‘Zeljezara’ në Sisak pushoi nga puna më shumë se 900 punëtorë para pak ditësh. Tani është radha e qeverisë të lëvizë dhe të blejë fabrikën dhe të ripunësojë punëtorët ose të ndihmojë një partner strategjik”, tha “Novosel”.
Sindikatat njoftuan se janë të vendosur të luftojnë reduktimet e pagave. Aktualisht 200 punëtorët në fabrikën “Jadran Kamen” në Split janë në grevë. Punëtorët e fabrikës së pijeve “DalmacijaVino” njoftuan një grevë të re javën e ardhshme.
“Që në fillimet e saj, kriza ka ndikuar më së shumti në sektorin privat, pasi mijëra e mijëra punëtorë mbetën pa punë. Aparati shtetëror dhe administrata është e madhe, ata duhet të bëjnë shkurtime edhe në vende si ato”, tha “Novosel”.
Mitrovic la të kuptohet se goditja më e keqe do të jetë mbi sektorin publik, që përfshin 65.000 punëtorë, rreth 30% e të cilëve janë të tepërt. Industria e metaleve dhe ajo ushqimore gjithashtu pritet të jetë goditur rëndë.