Kroacia pritet të marrë një pjesë të mirë të fondeve të BE-së në vitet e ardhshme. Sidoqoftë, përparësitë strategjike nuk duken shumë të guximshme dhe të qarta dhe plani për përdorimin e Fondit të Rimëkëmbjes nuk është ende gati.
Lajmi i mirë ngrohu zemrën e kryeministrit Andrej Plenković, ministrave të tij, ekonomistëve dhe gazetarëve, edhe më tepër se dielli i nxehtë i verës. Për Kroacinë u siguruan 22 miliardë euro nga fondet e zhvillimit të BE-së për periudhën 2021-2027.
Kjo përfshin rreth 12.7 miliardë euro që do shkojnë për zhvillim, të cilat vijnë nga Kuadri Financiar Shumëvjeçar i BE-së (MFF), dhe rreth 9.4 miliardë euro transferime të lidhura me pandeminë nga fondi i quajtur “Next Generation EU”. Është edhe një shtesë prej 683 milionë eurosh nga Fondi i Solidaritetit i BE-së, i destinuar për të ndihmuar Kroacinë për t’u rimëkëmbur pas tërmetit të kësaj pranvere në Zagreb.
Mënyra sesi Kroacia planifikon të shpenzojë shuma kaq të mëdha parash, nuk është ende e qartë, disa muaj pas lajmit të bukur të miratimit të fondit. Në nëntor 2020, Ministria e Zhvillimit Rajonal, publikoi Strategjinë e saj Kombëtare të Zhvillimit për diskutim publik.
Dokumenti, i penguar nga rregullat burokratike që nga viti 2017, pritet të jetë baza për vendimet e ardhshme në lidhje me shumën e lartpërmendur prej 12.7 miliardë eurosh. Përveç Strategjisë Kombëtare, ekziston edhe i ashtuquajturi Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, që ka të bëjë me 9.4 miliardë euro nga fondi “Next Generation EU”. Duke ndjekur njoftimet e fundit të kryeministrit, ky plan do të jetë “gati në fillim të vitit të ardhshëm, e shumta deri në prill”.
Koha për rindërtim në Zagreb
Një ligj mbi rindërtimin nga tërmeti në Zagreb u miratua nga Parlamenti kroat në shtator. 60% e fondeve për rinovimin e shtëpive private, do të sigurohen nga shteti, 20% nga qyteti i Zagrebit dhe qarqet dhe 20% nga pronarët e shtëpive. Shuma e vlerësuar për rindërtim është pak më shumë se 1.1 miliardë euro, gjysma e të cilave duhet të vijë nga Fondi i Solidaritetit i BE-së.
Ministri i Ndërtimit, Darko Horvat, njoftoi se rinovimi i ndërtesave do të fillojë vetëm në pranverë, një vit pas tërmetit, duke hedhur poshtë ankesat se deri atëherë do të kenë kaluar dymbëdhjetë muaj. Rindërtimi është një temë e nxehtë përpara zgjedhjeve lokale, që gjithashtu do të zhvillohen në pranverë.
Strategjia Kombëtare e Zhvillimit
Strategjia Kombëtare e Zhvillimit i ka zhgënjyer ata që besonin se ajo do të ishte thelbësore për vendimet në lidhje me shumën e lartpërmendur prej 12.7 miliardë eurosh nga MFF. Deri tani, në debatin publik, dokumenti është parë ambicioz, por në thelb konservator. Çështje të rëndësishme si politika e emigracionit janë hequr plotësisht prej tij; gjithsesi 4,5 milionë euro u janë paguar autorëve të tekstit.
Dokumenti rendit 13 synime strategjike, përfshirë “një ekonomi konkurruese dhe inovative”, “një popull të arsimuar dhe të punësuar”, “një sistem gjyqësor efikas dhe efektiv”, “njohjen globale të Kroacisë”, “jetë të shëndetshme, aktive dhe cilësore”, “rivitalizim demografik dhe familje më të forta”, “siguri kombëtare”, “siguri për zhvillim të qëndrueshëm”, “neutralitet të klimës” që do të arrihet me “tranzicionin ekologjik dhe energjetik”, “vetëmjaftueshmërinë e ushqimit dhe zhvillimin e bioekonomisë”, “lëvizshmërinë e qëndrueshme”, “tranzicionin dixhital”, zhvillimin e të ashtuquajturave “zona të asistuara dhe zona me specifikat e zhvillimit” dhe “forcimin e konkurrencës rajonale”, që nënkupton investime në zhvillim pas dekadash neglizhence në provincat kroate.
Në të gjithë dokumentin, pandemia e COVID-19 citohet rregullisht si një shkak i ngadalësimit pas “trendeve pozitive” paraprirëse, siç është rënia e papunësisë dhe rritja e lartë ekonomike.
Nuk ka shumë për të shtuar.
Dokumenti strategjik ndoshta nuk do të ekzistonte nëse vetë ekzistenca e tij nuk do të ishte një parakusht për tërheqjen e fondeve të BE-së. “Ne duam që 37% e projekteve që do të paraqesim, të financohen nga Plani i Gjelbër Europian, ndërsa 20% ka të bëjë me dixhitalizimin”, tha kryeministri Andrej Plenković, duke demonstruar se “strategjia e vërtetë e zhvillimit” ishte në kokën e tij dhe nuk është shumë e sofistikuar.
Rezulton se pjesa më interesante e Strategjisë Kroate të Zhvillimit është pjesa e saj analitike, e titulluar “Përshkrimi i nevojave të zhvillimit dhe potencialet e zhvillimit”. Asnjë cent nga 4.5 milionë eurot e shpenzuara për formimin e strategjisë, nuk u investua në kërkimin e statistikave: ato u morën kryesisht nga Banka Botërore, Komisioni Europian, Eurostat dhe organe të ngjashme. Në gjuhën e ftohtë të figurave dhe grafikëve, seksioni tregon se sa mbrapa vendeve të tjera të BE-së mbetet Kroacia nga pikëpamja ekonomike dhe sociale.