Si mund të jetohet normalisht në një vend ku numri i turistëve sa vjen e po rritet? Si mund të përfitohet sa më shumë nga kjo gjë, por pa i shkaktuar probleme dhe shqetësime popullatës vendase? Dhe më kryesorja, si mund të menaxhohet fluksi i turistëve pa shkatërruar mjedisin? Në fillim të majit, pesëdhjetë arkitektë, planifikues urbanë, sociologë dhe studiues të tjerë nga dhjetë vende u mblodhën në Šibenik për të marrë pjesë në konferencën e parë shkencore të Kroacisë me temë: “Turizmi masiv dhe pasojat e tij”.
Kjo konferencë u organizua nga firma arkitekturore e Zagrebit, Juračić Skorup, agjencia e menaxhimit të turizmit kulturor Muze dhe agjencia e komunikimit IMC. Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të universiteteve të ndryshme, duke përfshirë atë të Zagrebit, Lubjanës, Barcelonës, Stambollit, Jerusalemit dhe IUAV-it, në Venecia.
Ideja për zhvillimin e konferencës lindi që në vitin 2017, kur fluksi i madh i turistëve u shoqërua me një valë protestash nga banorët vendas, në shtete si Barcelona, Venecia dhe Dubrovniku. Zemërimi i madh dhe shqetësimet e banorëve vendas, na bënë të mendojmë se ky është momenti i duhur për të vepruar, përpara se të jetë shumë vonë, u shpreh arkitektja kroate Jelena Skorup, njëkohësisht edhe një prej organizatoreve të konferencës.
Qëllimi kryesor i konferencës ishte diskutimi i projekteve më të fundit kërkimore të kryera nga studiues dhe studentë të doktoraturës në aspekte të ndryshme të turizmit masiv (kryesisht në zonën e Mesdheut), dhe për të ndarë pastaj rezultatet e arritura me autoritetet lokale.
“Ne duam t’i biem ziles së alarmit, përpara se të jetë shumë vonë”, citoi znj. Skorup, e cila nëpërmjet kësaj konference donte gjithashtu të ndërgjegjësonte autoritetet lokale të shteteve të ndryshme që të veprojnë në mënyrë të kujdesshme për të mirëmenaxhuar si mundësitë që të ofrohen nga rritja e turizmit, por mbi të gjitha edhe risqet me të cilat ai shoqërohet.