Pas vënies në zbatim të idesë së thirrjes së taksive-varka nëpërmjet një aplikacioni në celular, UberBoat, ka deklaruar se planifikon ta rrisë gjatë këtij viti këtë shërbim në bregdetin kroat, shkruan Anja Vladisavljeviç për BIRN. UberBoat, një shërbim i ri i Uber që vepron në bregun kroat që nga viti i kaluar, ka deklaruar se synon të rrisë shërbimet e saj në Adriatik këtë vit.
Një udhëtim vetëm vajtje ose vetëm ardhje nga qyteti i Splitit në ishullin Hvar me UberBoat kushton rreth 350 euro për tetë persona, ose 43.75 euro/person. Ndërsa një biletë traget për të njëjtin udhëtim kushton vetëm rreth 7 euro/person, por sigurisht ky udhëtim zgjat më shumë sesa ai me UberBoat.
Kompania Uber Croatia tha për BIRN, se këtë vit UberBoat ofron për të gjithë klientët dy mundësi: udhëtimin nga një qytet në një ishull ose nga një ishull në një tjetër ishull sipas çmimeve të përmendura më lart, ose mundësinë e prenotimit të një taksie-varkë për një gjysmë ose një ditë të plotë – çmimi i së cilës varet nga numri i orëve që prenotohet.
UberBoat deri më tani ka nënshkruar mbi 120 kontrata me kapitenë të licencuar në Dalmaci, çka do të thotë se e ka rritur flotën me rreth 20 taksi-varka më shumë se një vit më parë.
Në këtë mënyrë, UberBoat po largohet nga praktikat klasike të ekonomisë së përbashkët. Së pari, askush nuk mund të bëhet partner i tyre. Të gjithë ofruesit e shërbimeve duhet të jenë kapitenë të licencuar anijesh dhe mbi të gjitha, të kenë licenca të vlefshme.
Kur kjo kompani e vuri në jetë këtë projekt në vitin 2017, Davor Tremac, Drejtor i Përgjithshëm i Uber Croatia, tha për Index.hr se ky shërbimi ishte i destinuar kryesisht për ata njerëz që donin të kursenin më shumë kohë sesa para. Në një artikull të publikuar në Poslovni.hr, një faqe online biznesi, ai u shpreh se priste që vitin e kaluar, numri i turistëve që do të përdornin këtë shërbim të arrinte të paktën në 100,000 mijë vetë. Në fund të sezonit, më shumë se 115,000 turistë dhe vendas e përdorën shërbimin dhe kjo e bën atë edhe më optimist për rezultatet që do të arrihen këtë vit.
Megjithëse pikat kryesore do të jenë në Split, Dubrovnik dhe Shibenik, z. Tremac vuri në dukje se lundrimi, qoftë për ekskursione apo udhëtime të zakonshme, mund të porositet nga të gjithë ishujt pranë këtyre tre qyteteve, duke mbuluar të gjithë ishujt në Dalmacinë Qendrore dhe Jugore dhe zonën bregdetare të Dubrovnikut.
Një kapiten anije që dikur ka punuar në këtë kompani, i cili nuk dëshiron ta bëjë publik emrin e tij për BIRN, shprehet se ideja për të thirrur një taksi-varkë nëpërmjet smartphone nuk është vënë ende në jetë në Kroaci. “Fëmijët dhe vendasit nuk kanë para të mjaftueshme për të përballuar një shërbim të tillë. Ndërsa ata që i përkasin një shtrese më të lartë, kanë anijet personale”, tha për BIRN, kapiteni i cili nuk punonte më në këtë kompani për shkak të pagës së ulët vitin e kaluar.