“Presidenca kroate e BE-së do t’i përqendrojë përpjekjet e saj në sigurimin e një marrëveshjeje midis shteteve anëtare mbi rregulloret kalimtare të Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP), që do të zgjasë rregullat aktuale për të paktën një vit”, tha ministrja kroate e Bujqësisë, Marija Vučković, në një intervistë për EURACTIV. Teksa mundësitë që reforma e CAP-it të përmbyllet para fillimit të periudhës së programimit 2021-2027 po rriten me shpejtësi, vendet anëtare dhe eurodeputetët duhet të bien dakord për disa masa të përkohshme bazuar në rregullat aktuale të CAP-it, në mënyrë që të shmangin fermerët e BE-së që të ekspozohen financiarisht. “Realizimi i një marrëveshjeje në këtë drejtim është shumë i nevojshëm për të siguruar vazhdimin e pagesave direkte, si dhe financimin e projekteve të reja në programin e zhvillimit rural gjatë 2021”, tha më tej ministrja.
Reforma e Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) është gjithashtu një ndër çështjet më të rëndësishme të axhendës së presidencës kroate të BE-së.
Një nga prioritetet e saj kryesore është arritja në kohë e përmbushjes së rregulloreve kalimtare të Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP), që pritet të ketë një efekt pozitiv në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe cilësinë e jetës në zonat rurale. “Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të zgjidhur sa më shumë çështje në këtë drejtim, megjithëse ne nuk mund të negociojmë për gjithçka”, tha ajo.
Presidenca e Kroacisë ka katër përparësi kryesore, të përmbledhura si një Europë që zhvillohet, që krijon lidhje me vendet e tjera, që mbron dhe që padyshim ushtron ndikimin e saj.
“Reforma e CAP është pjesë e përparësisë së parë, pasi kryesisht ka të bëjë me rritje të qëndrueshme dhe të ekuilibruar”, u shpreh ministrja.
“Kroacia po lobon për një fleksibilitet më të madh, thjeshtimin e rregullave, por edhe njohjen e specifikave të vendeve anëtare në drejtim të sektorit të bujqësisë”, vazhdoi më tej ministrja.
Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet fermave familjare dhe fermerëve të rinj. Do të mbahet gjithashtu edhe një konferencë për të promovuar politikat që mbështesin fermat familjare, por edhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit dhe fuqizimin e bioekonomisë dhe konceptet e fshatrave të zgjuar. “Zbatimi i CAP-it në Kroaci ka filluar disa vjet më parë dhe unë mendoj se edhe transformimi i sektorit bujqësor kroat gjithashtu filloi bashkë me të, por padyshim që ai duhet të përshpejtohet”, përfundoi znj. Vučković.