Të zgjohesh çdo mëngjes i rrethuar nga natyra, flladi i freskët i detit dhe aroma e pishave në pyje, është me të vërtetë përkufizimi i pushimeve relaksuese.
Pushimet në kampingjet e Kroacisë, në kodrat, në plazhet e qeta ose pranë liqeneve, janë një mundësi e mirë për t’u shkëputur nga zonat më të populluara të vendit.
Por, këto destinacione nuk ofrojnë thjesht qetësi. Shumica e tyre ofrojnë gjithashtu sporte aventureske dhe ekskursione në qytete, për ata që preferojnë pushime më aktive.
Pavarësisht nëse keni një buxhet të kufizuar ose jeni gati të kaloni pushime luksoze, çmimet priren të jenë shumë të arsyeshme për pushimet në kamping, veçanërisht nëse krahasohen me pushimet në hotelet e këtyre zonave.
1) Destinacioni më i mirë për liqenet – Kampingu i Plitvicës
Parku Kombëtar i Liqeneve të Plitvicës është një nga pjesët më të bukura të Kroacisë qendrore. Në këtë park kombëtar, më i vjetri i vendit, ndodhen plot 16 liqene të lidhura nëpërmjet ujëvarave, të cilat mund të shihen më së miri me një udhëtim me varkë ose në një prej shtigjeve aty pranë.
Kjo zonë është e përsosur për sportet aventureske. Aty mund të organizoni gjithçka, nga ziplining deri te paragliding dhe rafting në lumin nga Kampingu i Plitvicës, i cili ndodhet vetëm 3 km. larg.
2) Destinacioni më i mirë për kamping luksoz – Plazhi Cachee
Këtu nuk do t’ju duhet të merreni me ngritjen e tendave. Kampingu në Plazhin Cachee është më shumë i ngjashëm me qëndrimin në një hotel butik me pesë yje, ndonëse i hapur në natyrë.
Kjo zonë ishullore në Hvar ka vetëm gjashtë tenda të veҫanta, të mobiluara bukur, si dhe plazhin e vet privat, kështu që keni mundësinë e rrallë për t’u larë në Mesdhe pa u shqetësuar nga turmat e pushuesve.
Nuk ka arsye pse të mos e kaloni të gjithë kohën tuaj duke u qetësuar dhe duke u relaksuar këtu, por, nëse dëshironi pushime më aktive, ishujt Pakleni aty pranë janë një opsion i shkëlqyer për një udhëtim njëditor, për të bërë not dhe snorkeling.
3) Destinacioni më i mirë për familjet – Kampingu Park Umag
Nuk ka kamping më të përshtatshëm për familjet sesa ai i Park Umag, ku fëmijët do të emocionohen duke zbuluar anije piratësh në një nga pishinat, rrëshqitëset, një snack bar me Kapitenin Hook, kutitë me rërë, këndet e lojërave dhe të gjitha llojet e aktiviteteve që zhvillohen në Klubin e Fëmijëve të këtij kampi.
I vendosur pikërisht në bregun e Adriatikut, plazhi është gjithashtu padyshim një atraksion i rëndësishëm, plot me zona për lojëra dhe barbekju.
4) Destinacioni më i mirë për ushqimet – Kampingu Simuni
Vetëm për shkak se jeni në kamping nuk do të thotë që duhet të bëni kompromis për të ngrënë jashtë. Në fakt, eksplorimi i kuzhinës kroate është një pjesë kryesore e atraksioneve të ishullit Pag.
Djathi dhe prodhimi i verës janë traditat më të veҫanta të kësaj zone, të cilat e bëjnë atë një mjedis të mrekullueshëm për të provuar paški sir, djathin vendas të fortë dhe të kripur, ose një gotë me verë plavac mali, malvazija ose graševina.
Kampingu Simuni, i ndodhur në bregun perëndimor të ishullit, ka një restorant të mirënjohur ku mund t’i provoni këto verëra së bashku me gatimet tradicionale. Aty ndodhet gjithashtu edhe një tavernë e specializuar për ushqimet e detit dhe peshkun e freskët, të pjekur në skarë, të sapokapur nga deti Adriatik.
5) Destinacioni më i mirë për ekskursione në qytet – Kampi i Zagrebit
I ndodhur në brigjet e bukura të liqenit Rakitje, Kampi i Zagrebit është vetëm 15 km. larg nga qendra e qytetit, kështu që është po aq e lehtë të nisesh për në Parkun Natyror Medvednica aty pranë për të bërë ture në shpella dhe hiking, sa edhe të shkosh në kryeqytetin kroat për një vizitë turistike.
Stafi i kampingut mund të organizojë aktivitete për ata që duan të shijojnë sa më shumë mjedisin mahnitës nëpër rrugët e shkëlqyera për ecje dhe çiklizmëm, për ata që dëshirojnë të bëjnë kajak dhe të peshkojnë në liqenin Ratje, ose të eksplorojnë shtigjet e zonës me kalë.
6) Destinacioni më i mirë për mirëqenien – Resorti San Servolo
Thellë në kodrat e qeta e të gjelbra të Istrias veriperëndimore, ndodhet Resorti San Servolo, i cili ofron një mënyrë tepër të këndshme për të bërë kamping. Këtu, gjithҫka lidhet me mirëqenien, me zonat luksoze të kampingut që janë të pajisura me vaska hidromasazhi.
Një mënyrë e veçantë për t’u çlodhur është banja spa me birrë, si dhe saunat, dhomat e masazhit dhe ato të fitnesit.
Kjo zonë është e njohur për rrugët e mira për çiklizëm, ndërsa udhëtimi për në pyllin e Kornarisë aty pranë nuk duhet humbur nga këmbësorët, të cilët duhet të ndjekin shtigje të lehta, por edhe sfiduese, që kalojnë përmes pemëve.
7) Destinacioni më i mirë për natyrën: Koversada
Kroacia ka një traditë të gjatë të mirëpritjes së vizitorëve nga Europa, të cilët janë të apasionuar pas natyrës. Në këtë vend ka shumë kampe ku veshja në plazh nuk është e detyrueshme, ose madje është krejtësisht e ndaluar.
Kampingu i madh në ishullin Koversada është një nga më të vjetrit dhe më të njohurit, me një atmosferë të qetë dhe hapësirë për të akomoduar 5,000 pushues në të njëjtën kohë. Ky ishull i izoluar ka shumë plazhe me guralecë, me platforma të posaҫme për banjo dielli dhe gjire të mbrojtura. / Euronews