Ndërkohë që njëra anë e medaljes së Kroacisë paraqet parajsën për turizmin, ana tjetër shfaq situatën e vështirë të jetës dhe punës në këtë vend. Punonjësit kroatë (në shifra të larta) po zhvendosen gjithnjë e më shumë në vende të huaja. Ky fenomen i ka rrënjët në një kombinim të faktorëve afatgjatë dhe atyre afatshkurtër. / Një analizë e Francesca Rolandi nga Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa.
Prej shumë vitesh, emigracioni dhe shpopullimi kanë qenë disa prej titujve kryesorë të gazetave më të rëndësishme në Kroaci, kryetituj që shpeshherë ngjanin alarmantë, si “Eksodi” apo “Katastrofa Demografike”. Në çdo rast, ka shumë qytetarë, përgjithësisht në moshë të re, të cilët mund të dëshmojnë se kanë lënë vendlindjen për Europën e Veriut, “për të mbushur barkun me bukë”. Kjo shprehje thekson situatën e vështirë ekonomike në vend.
Presidentja Kolinda Grabar Kitarović ka folur shpeshherë për çështjen demografike, duke e cilësuar atë një “pyetje jetike” dhe “një betejë për ekzistencë”. Për të përballuar situatën në fjalë, znj. Grabar Kitarović ka caktuar një ekip ekspertësh që do ta vlerësojnë atë hap pas hapi.
Propozimet e paraqitura në vitin 2018 përfshijnë disa stimuj të përgjithshëm ekonomikë si: ulje taksash, reforma të administratës publike, lehtësi për lindjen e fëmijëve, si dhe stimuj për të realizuar ëndrrën e vjetër për kthimin e diasporës në atdhe. Kohët e fundit, në një vizitë në Virovitica-Podravska, znj. Grabar Kitarović theksoi përsëri domosdoshmërinë për zgjidhje të çështjes demografike, veçanërisht në vendet e prekura direkt nga “agresioni më i madh serb”.
Por këto pretendime fshehin një të vërtetë edhe më tronditëse. Edhe pse Kroacia gjithmonë i ka përmendur me shumë krenari qytetet e Likës dhe
Slavonias, të cilat ishin në vijën e parë të “luftës patriotike”, ajo çuditërisht i ka lejuar këto dy qytete të vdesin ekonomikisht. Në Lika, një rajon malor, tradita migratore ka qenë e fortë që nga koha e Perandorisë Austro-Hungareze. Vukovar, nga ana tjetër, në qendër të Slavonisë pjellore, edhe pse dikur një prej destinacioneve kryesore të emigracionit gjatë Jugosllavisë socialiste, ka rënë në dy dekadat e fundit në një gjendje të vështirë ekonomike dhe mbi të gjitha sa vjen e po shpopullohet.
Një analizë fillestare tregon se si emigracioni i punonjësve kroatë është i lidhur ngushtë me një kombinim të fenomeneve afatgjatë dhe atyre afatshkurtër. Në vitin 2013, Kroacia u bë pjesë e Bashkimit Europian, në një kohë krize të thellë ekonomike, e cila shkaktoi rritjen e nivelit të papunësisë, veçanërisht gjatë viteve 2013 dhe 2014 kur ajo arriti në nivelin mbi 17%. Për këtë arsye, hyrja e Kroacisë në Bashkimin Europian u bë nxitësi kryesor për rritjen e numrit të personave që emigruan në shtetet e këtij Blloku.
Shifrat e punonjësve kroatë që kanë emigruar janë rritur edhe më shumë që prej vitit 2015, kur ata filluan të gëzojnë liri të plotë të lëvizjes brenda pjesës më të madhe të vendeve të BE-së, përfshirë Gjermaninë. Në ditët e sotme, tre shtete të Europës Lindore kryesojnë renditjen e vendeve të BE-së me përqindjen më të lartë të fuqisë punëtore të tyre që jetojnë jashtë vendeve të origjinës. Në vitin 2018, 21.3% e popullsisë rumune në moshë pune jetonin jashtë vendit. Rumania ndiqet nga Kroacia me 15.4%. Më pas vjen, Lituania me 14.5%, Portugalia me 13.6% dhe Bullgaria me 13.3%. Këtu duhet të theksohet edhe fakti se emigrimi masiv në Kroaci ka filluar që në vitet 1990. Ende nuk ka një vlerësim të saktë për numrin e përgjithshëm të qytetarëve kroatë që kanë emigruar në vende të ndryshme.
Shifra dhe përqindje
Sipas Institutit kroat të Statistikave, pasi Kroacia u bë pjesë e Bashkimit Europian, numri vjetor i emigrantëve u rrit nga 15.262 emigrantë në 2013 në 39.515 emigrantë në 2018 (me pikun prej 47.532 emigrantësh në 2017).
Sidoqoftë, statistikat nuk janë të sakta, sepse nuk arrijnë të përcaktojnë me saktësi numrin e emigrantëve, veçanërisht kur ata vazhdojnë të rezultojnë zyrtarisht të regjistruar si banorë të Kroacisë. Shpeshherë, kjo ndodh sepse kroatët që emigrojnë, dëshirojnë të vazhdojnë të mbajnë sigurimin shëndetësor në Kroaci dhe të përfitojnë nga shërbimet shëndetësore, të cilat janë dukshëm më të lira sesa në vendet në të cilat ata priren të emigrojnë. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se numri i përgjithshëm i kroatëve të siguruar është rreth 200,000 më shumë se numri i banorëve aktualë. Sipas një hetimi të kryer nga gazeta “Jutarnji list”, numri i shtetasve kroatë që banojnë në tre destinacionet e tyre kryesore të emigrimit, Gjermani, Irlandë dhe Austria, duhet të ishte shumë më i lartë: nga 9007 në 2012 në 16.895 në 2013; 45.517 në 2014; 61.626 në 2015; 64,654 në 2016 dhe 66,201 në 2017.
Sipas një studimi tjetër, kroatët që jetojnë në shtete të huaja, mund të përfaqësojnë një tjetër 25%. Për çudi, Gjermania kryeson listën me 56.265 emigrantë që hynë në territorin e saj në 2017, e ndjekur në distancë nga Austria dhe Irlanda. Por ndërsa Austria dhe Gjermania, prej kohësh shihen si destinacionet kryesore të emigrantëve, Irlanda është kthyer në një të tillë vetëm kohët e fundit, me numrin më të lartë të hyrjeve në vitin 2016. Studimi i kryer nga Ivana Draženović, Marina Kunovac dhe Dominik Pripužić (i botuar në fund të 2018) por që si studim i referohet viteve 2013-2016, vlerëson se gjatë kësaj periudhe kanë emigruar rreth 230,000 kroatë.
Flukset e reja të emigracionit karakterizohen nga një moshë mesatare shumë më e re (nëse në dekadën e kaluar mosha mesatare ishte 41.5 vjeç, kjo shifër ra në 33.6 vjeç në 2016) dhe nga një rritje në masë e të miturve. Në lidhje me shifrat e mësipërme ka edhe një dallim të madh ndërmjet kroatëve me origjinë nga Kroacia dhe atyre të cilët, edhe pse posedojnë një pasaportë kroate janë me origjinë nga vende të tjera, veçanërisht nga Bosnjë-Hercegovina.
Në 2018, nga 57.724 kroatët që mbërritën në Gjermani, 6.527 i përkisnin kategorisë së dytë. Numrin më të lartë të emigrantëve e kanë rajonet me nivel të lartë papunësie si rajoni lindor dhe ai qendror i Kroacisë, ku mund të përmendim Likën dhe Gorski Kotar.
Sidoqoftë, emigracioni ka prekur edhe Kroacinë veriperëndimore dhe mund të rritet me përshkallëzimin e krizës së ndërtimit të anijeve. Nga perspektiva e ditëve të sotme, mund të thuhet se emigracioni ka ulur në mënyrë të konsiderueshme nivelin e papunësisë: në vitin 2019, niveli i papunësisë ishte pak më shumë se 7%, por rreth dyfish më pak se niveli i shënuar pesë vjet më parë.
Mungesa e punës
Megjithatë, flukset e emigracionit gjatë viteve të fundit kanë shkaktuar mungesa të konsiderueshme të fuqisë punëtore në tregun vendas të punës. Një mungesë kronike e punonjësve të kualifikuar është shfaqur në disa sektorë të ekonomisë, veçanërisht në atë të shëndetësisë. Në vitet e fundit, Kroacia ka hapur dyert e saj, duke pranuar një numër gjithnjë e më të lartë punonjësish të huaj. Por, zona nga e cila Kroacia ka tërhequr historikisht pjesën më të madhe të fuqisë punëtore, zona e ish-Jugosllavisë, nuk duket më po aq e interesuar si më parë për të ardhur dhe për të punuar në këtë shtet. Punëtorët që zakonisht vijnë nga Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia janë më të tunduar për të shkuar dhe për të punuar në vende më të largëta, veçanërisht në Gjermani.
Për më tepër, sulmi ndaj punonjësve sezonalë serbë që ndodhi verën e kaluar në Supetar në ishullin Brač, i nxitur nga çështjet kombëtare dhe klima më e ashpër e intolerancës ndaj komunitetit serb, nuk e ndihmon Kroacinë, për ta bërë atë më tërheqëse për qytetarët e republikës fqinje. Ndërsa, punëtorët që vijnë nga Lindja e Largët, veçanërisht Filipinet dhe mijëra refugjatë që trokasin në dyert e vendit, duke arritur këtu përmes rrugës ballkanike, nuk janë konsideruar asnjëherë si një burim i rëndësishëm i fuqisë punëtore. Kuota për punëtorët e huaj gjatë këtij viti (2019) është 65,000, dyfishi i kuotës së një viti më parë, nga të cilët 15.600 punojnë në sektorin e shëndetësisë dhe 17.800 në atë të ndërtimit. Megjithatë, kjo shifër është ende larg plotësimit të nevojave reale të vendit.
Për më tepër, situata është shfrytëzuar nga shumë agjentë ndërkombëtarë, të cilët duke u justifikuar me plotësimin e numrit të kuotës, kanë dërguar punëtorë nga vende jo-europiane në Kroaci, me qëllimin e vetëm që më pas t’i transferonin ata menjëherë në shtete të tjera të Europës. Me rritjen e shkallës së papunësisë, rriten edhe ankesat nga ana e pensionistëve. Pranverën e këtij viti, rrjeti i supermarketeve Spar nisi një fushatë për rekrutimin e pensionistëve, të cilëve, në përputhje me legjislacionin kroat, u lejohet të punojnë me kohë të pjesshme dhe të plotësojnë në këtë mënyrë pensionet e tyre të vogla. Sipas reformës së fundit tatimore të krijuar nga qeveria e qendrës së djathtë së Andrej Plenkoviç, u ofrohet lehtësim i konsiderueshëm i taksave të gjithë atyre që rikthehen në vendin e punës, duke luftuar në këtë mënyrë mungesën e madhe të fuqisë punëtore në vend. Për më tepër, në të ardhmen e afërt pritet rikthimi i shumë qytetarëve: ata që shkuan në Gjermani gjatë periudhës së artë të emigrimit të Jugosllavisë, midis 1968 dhe 1972, të cilët shumë shpejt do të dalin në pension.
Pra, Kroacia nuk është aspak vendi i duhur për të rinjtë?
Është e vështirë të parashikohet nëse flukset e larta të emigrantëve, të cilat u rritën shumë në vitet e fundit brenda Bashkimit Europian, do të vazhdojnë të mbeten të tilla edhe në të ardhmen, veçanërisht duke pasur parasysh recesionin e mundshëm në Gjermani. Për më tepër, Kroacia, ashtu si vendet e tjera fqinje, duhet të veprojë menjëherë dhe t’i ofrojë një perspektivë më të mirë popullsisë në moshë pune; të rrisë cilësinë e jetesës, të ketë institucione të paprekura nga korrupsioni, të rrisë lehtësitë për të investuar në sektorin e energjisë dhe mbi të gjithë, të rrisë shpresat për të gjithë ata qytetarë kroatë që kanë emigruar dhe për ata që vazhdojnë të jetojnë ende aty, se vendi i tyre, Kroacia, mund të përmirësohet. Kjo është sfida, me të cilën duhet të përballet edhe Dubravka Šuica, eurodeputetja kroate, e zgjedhur së fundmi si zëvendëspresidente e Komisionit Europian, përgjegjëse për demokracinë dhe demografinë.