Presidenti i Republikës së Hungarisë, Janos Ader, u takua në Zagreb me presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç. Ata biseduan për politikat e migracionit dhe ranë dakord se e ashtuquajtura “Rruga Ballkanike” duhet të mbetet e mbyllur.
Grabar-Kitaroviç theksoi se çështjet e hapura kanë të bëjnë me çështjen INA-MOL, në fushën e energjisë, bashkëpunimin kufitar dhe kalimin e kufirit shtetëror dhe shprehu shpresën se një pjesë e madhe e këtyre çështjeve do të zgjidhen me mbështetjen hungareze për hyrjen e Kroacisë në zonën Shengen.
“Ramë dakord se e ashtuquajtura ‘Rruga ballkanike’ e refugjatëve të mbetet e mbyllur dhe në këtë drejtim të vazhdojmë bisedimet me Turqinë dhe se duhen mbrojtur kufijtë e jashtëm të BE-së”, deklaroi Grabar-Kitaroviç pas takimit. Ajo shtoi se kontrollet në kufijtë e jashtëm do të eliminojnë nevojën për kontrollet e brendshme kufitare të BE-së, posaçërisht ato në kufirin kroato-hungarez.
“Hungaria ka një pozicion të qartë mbi migracionin. Kufijtë e jashtëm të BE-së duhet të mbrohen, emigrantët e paligjshëm nuk duhet të hyjnë në Europë, kurse ata që vijnë me arsye, duhet të lejohen të presin në stacionet e jashtme të pritjes deri sa të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil”, u shpreh Ader.
Presidenti hungarez potencoi nevojën e ndërtimit të vendkalimeve të reja kufitare, pasi në mes të atyre aktuale është një distancë e madhe, mesatarisht 50 kilometra.
Presidentët gjatë darkës së përbashkët në detaje do të shqyrtojnë direktivën e BE-së për kontrolle në kufijtë e brendshëm të BE-së, për të cilat Kroacia për shkak të radhëve të gjata në kalimet kufitare ka kërkuar pezullimin.
Hungaria është investitori i pestë në Kroaci. / AA