Ulja e lindshmërisë, rritja e jetëgjatësisë dhe emigrimi në shifra alarmante. Këta janë disa nga faktorët kryesorë që kanë krijuar mungesa të theksuara të fuqisë punëtore jo vetëm në shtetin kroat por edhe në shtete të tjera të Europës Lindore.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, gjatë dimrit të ftohtë boshnjak, një delegacion i grupit të hotelerisë kroate Jadranka u caktua që të zhvillonte takime në Bosnjën Verilindore, kryesisht në tre qytete, Tuzla, Bijeljina, Bërçko, me qëllim që të rekrutonte punëtorë të rinj dhe t’i merrte ata më vete në Mali Lošinj dhe Cres.
Por ndërsa puna në këtë sektor nuk do të fillojë deri në hapje të sezonit, mungesa e madhe e fuqisë punëtore gjatë 2018 dhe pritshmëritë se ajo do të rritet gjatë 2019, kanë bërë që shumë biznese të vihen në lëvizje përpara fillimit të sezonit. Niveli i pagës fillon nga 500 euro. Gjatë vitit 2018 kemi dëgjuar shpeshherë për rritje të pranisë së punëtorëve të huaj në ekonominë kroate.
Vite pas anëtarësimit në BE dhe kalimit të krizës financiare, migrimi dukej se po shkonte vetëm në një drejtim, nga Kroacia në vendet që tashmë kanë një traditë të emigracionit, si Gjermania apo ekonomitë e hapura si Irlanda. Shteti kroat u përball me mungesë të fuqisë punëtore në momentin kur ekonomia nisi të rimëkëmbej. Me më shumë se 9,000 leje të lëshuara për punëtorët e huaj të pranishëm në vend, në vitin 2018 qeveria kroate arriti një numër rekord prej 21,210 hyrjesh të reja, kryesisht shtetas me origjinë jashtë BE-së.
Më vonë shifra u rrit në 29,769. Sektorët kryesorë ishin ndërtimi dhe turizmi, ndjekur nga industria e metaleve, ndërtimi i anijeve, transporti, industria ushqimore dhe e konservimit, sektori i teknologjisë së lartë dhe bujqësia. Një sërë sektorësh hapën vende pune si për punëtorë të kualifikuar ashtu edhe për ata të pakualifikuar.
Mungesa e fuqisë punëtore nuk është vetëm në Kroaci një prej problemeve më të rëndësishme, por edhe në shtete të tjera të Europës lindore. Në Hungari, protesta të mëdha shpërthyen kundër vendimit të qeverisë së Orbanit për të rritur numrin e orëve në punë, në rreth 400 orë në vit, si një lëvizje për të zbehur disi mungesën e fuqisë punëtore. Në të katër shtetet e Vishegradit ka më shumë se 520,000 vende të lira pune, kryesisht si pasojë e uljes së normës së lindshmërisë dhe rritjes së emigrimit në vendet e Europën Perëndimore. Këto janë disa prej shkaqeve që kanë shkaktuar mungesën e fuqisë punëtore në Kroaci. Sipas Iva Tomiç, nga Instituti i Ekonomisë së Zagrebit, “ne jemi në një situatë të ndryshimeve të mëdha demografike.
Nga njëra anë, shkalla e ulët e lindshmërisë, në tjetrën jetëgjatësia është rritur shumë. Për shkak të nivelit të pandërprerë të uljes së lindshmërisë, numri i të rinjve që po hyjnë në tregun e punës po ulet. Ndërkohë edhe numri i personave në moshë pune po shënon ulje. Nëse shifrave të mësipërme do t’i shtojnë edhe numrin e lartë të emigrantëve (sipas të dhënave zyrtare të statistikave, pothuajse 200,000 persona të larguar nga viti 2009 deri në 2017), prej të cilëve më shumë se 47% i takojnë grupmoshës midis 25 dhe 44 vjeç, hendeku i mungesës së fuqisë punëtore do të rritej. Pikërisht punëtorët e huaj pritet ta ngushtojnë këtë hendek.
Importi i fuqisë punëtore
Që prej vitit 1980, Kroacia ka mirëpritur një numër të konsiderueshëm punëtorësh me prejardhje nga republikat e tjera jugosllave, veçanërisht nga Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia të cilët janë punësuar kryesisht në sektorë si ndërtimi dhe turizmi. Sipas Iva Tomiç, “këto vende po përballen edhe me numrin në rënie të njerëzve në moshë pune, të cilët, nëse vendosin të emigrojnë, parapëlqejnë të shkojnë në shtetet e pasura të Europës Perëndimore. Nuk duhet harruar as fakti se një numër i madh i boshnjakëve kanë shtetësi kroate (dhe rrjedhimisht edhe pasaporta), dhe gëzojnë të njëjtin status si kroatët në tregun europian të punës”, tha ai më tej.
Që kur “rezervat” e ish-Jugosllavisë filluan të reduktohen (dhe vazhdojnë të shënojnë rënie), komuniteti kroat i biznesit nisi të shikonte jashtë kufijve të vendit për t’i zëvendësuar këto mungesa. Në mars të 2018, ministri kroat i Punës dhe Pensioneve, Marko Paviç, shkoi në Ukrainë me synimin e deklaruar që të sillte me vete punëtorë sezonalë në Kroaci. Fjalimi i tij kishte nota të ekzagjeruara duke ua përshkruar ukrainasve tokën kroate si tokën e premtuar për të ardhmen. Aktualisht, numri i ukrainasve që kanë marrë një leje për të punuar në Kroaci është më shumë se 500 vetë.
Sipas shumë treguesve, kjo shifër pritet të rritet gjatë viteve të ardhshme. Edhe pse në shifra të ulëta, në Kroaci kanë ardhur edhe punëtorë me origjinë nga shtete si India apo Egjipti. Megjithatë, në tetor të 2018-s kishte ende 10,133 vende të lira brenda sistemit të kuotave. Ajo çka i bën ofertat për punë në Kroaci jo tërheqëse është niveli i ulët i pagave, shumë më i ulët se niveli i pagave në vendet me një traditë të gjatë në mirëpritjen e emigrantëve. Me përjashtim të profesioneve të caktuara, kuzhinierëve për shembull, pagat për punëtorët e pakualifikuar janë shumë më poshtë pragut prej 1000 eurosh në muaj.
Entuziazëm dhe pyetje
Disa nga mbështetësit më entuziastë të importit të fuqisë punëtore janë padyshim nga Dhoma e Tregtisë kroate dhe Bashkimi i Punëdhënësve, të cilët i frikësohen përkeqësimit të mungesës së fuqisë punëtore në një të ardhme të afërt. Në fakt, sipas disa vlerësimeve të fundit, Kroacia e ka nisur 2019 me një mungesë të fuqisë punëtore prej 15,000 deri në 20,000 punëtorësh. Këshilltari i Dhomës së Tregtisë kroate, Davorko Vidović, këshillon se duhet rritur numri i forcës punëtore që importohen jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Siria, Libani, Jordania dhe Egjipti.
Çështja e rritjes së importit të fuqisë punëtore nga vende të huaja, ngre njëkohësisht edhe shumë pyetje të tjera. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të tërhequr punëtorë të huaj që të vijnë të punojnë në Kroaci, niveli i papunësisë mbetet i lartë në këtë vend. Në fillim të 2018-s, ai ishte në 8.4%, ndërsa në fund të tij, në nëntor arriti në 9.1%. Sipas Siniša Miličić nga bashkimi rajonal i Varaždinit, Kroacisë i mungon vullneti për të krijuar kushte atraktive dhe vende pune të përhershme, edhe pse kostoja e veprimeve të tilla është e lartë, largimi i të rinjve të talentuar dhe thellimi i hendekut të mungesës së fuqisë punëtore.
Deklaratat e shumta dhe shpeshherë me tone të ekzagjeruara për të pranuar një numër të madh punëtorësh nga vende të ndryshme, fshehin edhe një realitet tjetër, ku paragjykimet duket se po rriten, gjë që është kthyer në objektin e një fushate ksenofobike politike dhe mediatike. Hapja e kufijve të shtetit kroat ndaj importit të punëtorëve nga vende të ndryshme bie në një kontrast të madh me qëndrimin armiqësor që mbahet ndaj refugjatëve që hyjnë në vend përmes rrugës ballkanike. Integrimi i këtyre refugjatëve në tregun e punës kroat mbetet një dukuri e rrallë. Emigrantët duhet të vijnë kryesisht nga shtete të Europës Lindore, që sipas Radimir Çaçiç nga HNS, do të shtojë numrin e emigrantëve të krishterë.
E ashtuquajtura “katastrofë demografike” ka qenë edhe një prej çështjeve më të rëndësishme edhe për Presidenten e vendit, znj. Kolinda Grabar Kitarović, e cila ka bërë thirrje për marrjen e masave të nevojshme për të ndryshuar këtë trend. Në të njëjtën linjë, ekziston edhe ideja e lehtësimit të marrjes së shtetësisë kroate për gjeneratat e dyta ose të treta, duke hequr kërkesën për të njohur domosdoshmërisht gjuhën kroate dhe zakonet e shoqërisë kroate.
Ndikimi global
Edhe pse shumë pak mund të jenë ata që do ta mohonin domosdoshmërinë e Kroacisë për import të fuqisë punëtore të huaj, polemikat kundër Marrëveshjes së Marrakeshit mbi emigracionin e ligjshëm dhe të kontrolluar janë duke u shtuar. Kroacia ka liberalizuar pa kurrfarë pengese emigracionin, gjë që të sjell ndër mend edhe fushatën kundër Konventës së Stambollit. Në mbështetje të kësaj linje është kryesisht Presidentja e vendit, Kolinda Grabar Kitarović.
Teksa në fillim ajo u duk optimiste dhe shprehu mbështetjen entuziaste për Konventën e Kombeve të Bashkuara të Sekretarit të Përgjithshëm, António Guterres, ajo u tërhoq shpejt nga ky qëndrim dhe vendosi të mos marrë pjesë në Marrëveshjen e Marrakeshit, që u mbajt në nëntor të vitit të kaluar. Ajo shfrytëzoi edhe intervistën e dhënë për një prej prezantuesve të njohur, Velimir Bujanec, për të theksuar edhe një herë qëndrimin e saj kundër kësaj Marrëveshjeje.
Qeveria kroate e qendrës së djathtë, e tronditur nga kthesa e papritur e Presidentes së vendit, e mbajti fjalën e saj dhe dërgoi në Samit ministrin e Brendshëm, Davor Božinoviç. Marrëveshja e Marrakeshit ka krijuar edhe një konflikt midis krahut të moderuar të përfaqësuar nga Kryeministri i vendit Plenković dhe krahut nacionalist të përfaqësuar nga Presidentja e vendit, Kolinda Grabar-Kitarović. Ministri Božinoviç tha në Marrakesh se ishte kundër të gjitha lajmeve të rreme rreth emigracionit dhe konfirmoi mbështetjen për një marrëveshje globale për të rregulluar këtë fenomen, duke “siguruar” qytetarët që “shteti kroat dhe policia kroate do të mbrojnë si qytetarët dhe mysafirët e Kroacisë”.
Në lidhje me politikën e jashtme, mosmarrëveshja mbi Paktin Global pasqyron edhe ndarjen midis një të djathte që është më pranë grupit të Vishegradit, duke përdorur politikën antiemigruese si çështjen e tyre kryesore, dhe një të djathte të qendrës filo-europiane më të moderuar. Secila prej tyre nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për emigracionin, por në mënyrë sistematike dhe “me vendosmëri” përdorin dhunën për të kontrolluar kufijtë e tyre.
Francesca Rolandi / Ky artikull është botuar në bashkëpunim me të dhënat e Rrjetit Europian të Gazetarisë dhe është publikuar sipas CC BY-SA 4.0.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.