Destinacioni ideal për ata që pëlqejnë diellin, detin dhe kuzhinën e mirë…
Kroacia, e cila laget nga ujërat e detit Adriatik, është destinacioni ideal për ata që duan të kalojnë disa ditë pushimesh në një vend përrallash.
Por dhe për ata, të cilët në këtë verë të veçantë, dëshirojnë të udhëtojnë të sigurt dhe pa mendime.
Përgjatë bregdetit ose në ishuj, plazhet më të bukura të Kroacisë
Plazhe në qytete, por edhe të fshehta. Plazhe me guralecë dhe plazhe me rërë të bardhë. Plazhe gjithë jetë dhe plazhe për t’u fshehur në çift. Madje, ka edhe plazhe për të bërë sërf. Nëse ka një gjë që nuk mungon në Kroaci, janë plazhet. Të çdo lloji dhe për çdo nevojë. Vështirësia e vetme mbetet zgjedhja, duke pasur në konsideratë se numërohen më shumë se 1 mijë, pjesa më e madhe të vlerësuara me “Flamurin Blu” për sigurinë dhe shërbimin që ofrojnë.
Zlatni Rat është plazhi më i famshëm (i njohur edhe si “Plazhi i Bririt të Artë”). Ndodhet pranë qytetit të Bol, në ishullin Brač, ishulli më i madh dalmat, tokë e verës dhe ullinjve, peshqve dhe gurit të bardhë. Parajsë për ata që dëshirojnë të praktikojnë surf dhe kitesurf. Një vend parajsë, i cili të befason gjithnjë.
Nuk bie më poshtë nga bukuria, plazhi Stiniva, në ishullin Vis – më i fshehur, në të cilin mund të shkohet me varkë apo duke bërë trekking. Në vitin 2016, Stiniva u vlerësua Plazhi më i bukur në Europë nga “European Best Destinations”.
Sakarun është një tjetër plazh i mrekullueshëm në anën veriperëndimore të ishullit Dugi Otok (ishulli i shtatë më i madh në detin Adriatik), me ujëra të kristaltë dhe rërë të bardhë.
Për ata që pëlqejnë plazhet me guriçka është plazhi Punta Rata, i cili në vitin 2004 u zgjodh ndër 10 plazhet më të bukura në botë nga Forbes. Ata që duan një atmosferë më urbane mund të shkojnë në plazhin Banje, në Dubrovnik, me pamje në ishullin Lokrum.
Në udhëtim me fëmijët? Ju këshillojmë plazhin e Bijeca në Medulin, në gadishullin e Istrias. Ai plotëson nevojat e familjeve falë një larmishmërie shërbimesh.
Plazhi i Vela plaža, në ishullin Krk, me rrëshqitësen e madhe në ujë dhe plazhi i Rajska plaža në Lopar, i cilësuar si “plazhi i parajsës”, i bën konkurrencë. Për ata që pëlqejnë delfinët, është Gjiri i Čikat, në ishullin Lošinj, i përkryer për të parë gjitarët e mrekullueshëm.
Kroacia në varkë, nga një ishull në tjetrin si detarët e lashtë
Ju nuk mund të thoni se keni prekur shpirtin e Kroacisë, nëse nuk bëni një udhëtim me varkë për të eksploruar vendin. Me pak fjalë, nëse nuk udhëtoni, në të njëjtat ujëra kur njëherë e një kohë lundruan personazhe legjendarë apo të së shkuarës si Uliksi dhe Shën Pali, Rikard Zemërluani dhe Marko Polo të cilët u ankoruan në këto vende për të filluar më pas një udhëtim të jashtëzakonshëm
Po ku ta drejtoni timonin? Përveç ishullit Brač e Vis, është arkipelagu Kornati, me gjiret e fshehta dhe plazhet e zhytura në askund (për të mos u humbur, Žut, një ishull i pabanuar, pa ujë të rrjedhshëm, energji elektrike apo tragete, por me një cilësi ushqimi befasuese).
Ju këshillojmë edhe ishullin Mljet me Parkun e tij Kombëtar dhe ishullin Korčula, i famshëm për verën e tij. Por nëse bëhet fjalë për detin, ju mund të vizitoni gjashtë nga tetë sitet kroate që bëjnë pjesë në UNESCO: Poreč, Šibenik e Zadar, Trogir, Spit, Stari Grad dhe Dubrovnik.
Kroacia alternative, pushime nën hijen e një fari
Për ata që pëlqejnë detin por janë në kërkim të disa ditëve pushimesh alternative, ju këshillojnë të shëtisni nëpër fare (vendi ideal, ndër të tjera, për të ruajtur distancimin social). Kroacia është e pasur me fare. Fari më i vjetër i vendit Savudrija është ndërtuar në vitin 1818 dhe ka një plazh privat.
Fari i Veli Rat, në ishullin Dugi Otok është i famshëm për panoramën e bukur ndërsa Fari i Tajer (1876) është ideal për adhuruesit e zogjve, duke qenë se ishullin në të cilin ndodhet është një parajsë ornitologjike.
Pastaj është fari Struga në ishullin Lastovo, i përkryer për të ngrënë një pjatë peshk dhe fari Palagruža, shtëpia e heroit grek të Diomedit.
Dhe në fund, fari i Pločica, aq i izoluar, sa do t’ju dhuronte turistëve një qëndrim në stilin e Robinson Kruzo, me pulëbardhat që mbushin ajrin me këngën e tyre.