Kroacia, nga rënia e Agrokor te skandali i Hotmail-eve

22/06/2018 10:05 PM 0 komente

Kolapsi financiar i konsorciumit më të madh kroat vazhdon të ketë pasoja për këtë vend. Ndër më të fundit është edhe dorëheqja e ministres së Ekonomisë, Martina Daliç, lidhur me të ashtuquajturin “Skandal i Hotmail-eve”.

Një vit pas miratimit nga Parlamenti i Zagrebit, “Lex Agrokor” vazhdon të sjellë ende pasoja të rënda në Kroaci. Në dy javët e fundit, portali lokal Index.hr zbuloi se mënyra në të cilën u propozua ky ligj i veçantë dhe u miratua në pranverën e vitit 2017 nuk ishte transparente.
Përkundrazi, disa faktorë thonë se ka pasur abuzime me pushtetin nga anëtarët e lartë të qeverisë, deri në atë pikë sa ministrja e Ekonomisë, Martina Daliç, u detyrua të japë dorëheqjen menjëherë pas publikimit të korrespondencës elektronike me disa bashkëpunëtorë të saj, shkruan Giovanni Vale për Osservatoria Balcani e Kaukaz.

Shpëtoni Agrokor

Le të bëjmë një hap të shkurtër pas në kohë, për të kujtuar edhe një herë se çfarë ndodhi. Në mars të vitit 2017, gjiganti kroat i agrobiznesit, Agrokor, ishte në prag të falimentimit. Me shumë borxhe ndaj disa prej bankave kryesore (sidomos bankës ruse, Sberbank), vlerësimi i kësaj kompanie nga agjencitë ndërkombëtare Moody dhe S&P, ishte në nivelet më të ulëta. Përveç krizës së likuiditetit dhe këmbënguljes së kreditorëve, ajo ka pasur edhe vështirësi ndaj furnizuesve, pagesat e të cilëve ishin vonuar për muaj me radhë.

Qeveria e sapozgjedhur e Andrej Plenkoviç, atëherë në koalicion me Mostin (aleanca që do të prishej më vonë), vendosi të ndërhyjë. Kompania Agrokor, e themeluar nga Ivica Todoriç në 1976, e cila u shndërrua në një kompani aksionere në vitin 1989, përbënte rreth 16% të PBB-së së Kroacisë dhe punësonte mbi 40,000 persona brenda vendit dhe rreth 20,000 të tjerë në pjesën tjetër të Ballkanit. Falimentimi i saj do të ishte i barabartë me rrënimin e ekonomisë kombëtare.

Megjithatë, qeveria konservatore, menjëherë e përjashtoi hipotezën e një ndihme shpëtimi, nuk do të ishte shteti ai që do të paguante borxhet e Agrokor. “Todoriç duhet ta kishte të qartë faktin se kjo qeveri nuk do të vazhdonte me të njëjtën politikë si njëzet vjet më parë”, deklaroi kryetari i Parlamentit, Božo Petrov (Most). Kështu kompanisë iu ndryshua emri në “Lex Agrokor”, nëpërmjet një ligji “ad hoc”, që e vendoste kompaninë nën mbikëqyrjen e një komisioneri, duke shkarkuar Ivica Todoriç nga drejtimi i saj dhe duke emëruar një administratë emergjente.
Ante Ramljak, menaxher me përvojë në sektorin publik dhe privat, mori drejtimin e gjigantit kroat, me objektivin e dyfishtë për të negociuar me furnizuesit dhe kreditorët, si dhe vazhdimin e një ristrukturimi të përgjithshëm.

Për Agrokor, që atëherë kishte një deficit prej thuajse 7 miliardë eurosh dhe, pavarësisht nga huaja e parë e likuiditetit prej rreth 150 milionë eurosh nga gjashtë prej bankave kreditore, ndarja e kompanisë (e cila përbëhej nga jo më pak se 24) dukej e pashmangshme.

Skandali i Hotmail

Deri më tani, ne kemi përshkruar se çfarë ndodhi në gjysmën e parë të vitit 2017, para se z. Most, të largohej nga koalicioni qeveritar, përpara se Ivica Todoriç të ikte në Londër dhe të akuzonte qeverinë kroate për largimin nga kompania e tij dhe mbi të gjitha, përpara se portali Index.hr të publikonte dhe të hidhte dritë në sfondin e ngjarjeve të pranverës së kaluar. Publikimet nga ky portal, të cilësuara si “Skandali Hotmail” nga shtypi kroat, hedhin dritë mbi një version tërësisht ndryshe të fakteve.

Gjatë javëve aspak të qeta të krizës Agrokor, ministrja e Ekonomisë, Martina Daliç, kontaktoi, nëpërmjet llogarisë së saj personale, Hotmail, një grup konsulentësh, avokatësh dhe biznesmenësh të quajtur si “Grupi i Borg”.
Korrespondenca e publikuar nga portali tregon se si këta njerëz ndryshonin ligjet përpara se ata të miratoheshin, dhe mbi të gjitha, pa më të voglën transparencë të informimit të publikut.

Por kjo nuk është e gjitha. Disa prej njerëzve të përmendur në këto email-e, përfituan nga nënshkrimi i kontratave të rëndësishme me Agrokor, në drejtim të administratës së emergjencës të caktuar nga qeveria. Si konsulentë të jashtëm apo si punonjës në pozita të reja menaxheriale të krijuara nga ligji i veçantë, disa anëtarë të grupit Borg janë shpërblyer me shuma të majme për shërbimet e tyre. A është pasuruar ndonjëri më shumë se gjatë krizës së Agrokor apo gjatë krijimit të administratës së emergjencës të krijuar me dëshirë të qeverisë?
Sipas Davor Bernardiq, kreu i Partisë Social Demokratike të opozitës, “konsulentët punonin falas për qeverinë dhe më pas i faturonin Agrokor deri në 500 milionë kuna (pothuajse 70 milionë euro).

Ish-ministrja e Ekonomisë, Martina Daliç

Pasojat politike

Për një kohë të gjatë, Martina Daliç e mohoi çdo akuzë të bërë ndaj saj. Më pas, më 14 maj të këtij viti, ajo dha dorëheqjen. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Andrej Plenkoviç, ministrja deklaroi se nuk dëshironte të ishte “barrë” për qeverinë, duke përsëritur se ajo nuk kishte lidhje me asnjë prej akuzave.
Kryeministri, nga ana e tij, tha se ishte “i kënaqur” me mënyrën se si kriza e Agrokor u menaxhua nga ekipi i tij në vitin 2017, megjithëse ai u pendua se “përse i gjithë ai proces nuk u bë transparent”. Megjithatë, shumë shpejt Kryeministri u përfshi në çështjen e njohur si “Skandali i Hotmail-eve”.

Në fakt, email-et e reja të publikuara nga Index.hr tregojnë se si Kryeministri ka lënë takim me disa nga anëtarët e “Grupit Borg”, edhe pse përfshirja dhe përgjegjësitë e tyre në rekrutimin e mëvonshëm të konsulentëve përmes Agrokor mbeten për t’u vërtetuar.
Për opozitën, këto arsye janë më se të mjaftueshme për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. Partia Social Demokrate këmbëngul në zhvillimin e tyre sa më parë të jetë e mundur, ndërsa lëvizja Živi zid e ka paditur Martina Daliç për shpërdorim të pushtetit. Por në këtë fushëbetejë nuk është e përfshirë vetëm opozita.
Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitarović, anëtare e partisë Bashkimi Demokrat, shpeshherë bën kritika ndaj qeverisë, ndërsa në lidhje me rastin e “Skandalit të Hotmail-eve”, ajo kërkoi nga

Agjencia e Inteligjencës (SOA) një “raport të detajuar” të tyre, për të kuptuar nëse email-et e publikuara nga Index.hr janë origjinale apo jo.
Për momentin, qeveria e Plenkovićit ka zëvendësuar vetëm Martina Daliç me Darko Horvatin, në postin e ministrit të ri të Ekonomisë dhe Tomisllav Tolušić në postin e zëvendëskryeministrit të ri. Por e gjithë kjo histori do të ketë pasoja të tjera në vazhdim, sepse deri më 10 korrik të këtij viti, Agrokor dhe kreditorët e saj duhet të kenë arritur në një kompromis në lidhje me pagesat.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of