Kryeministri Hoti tregon pse dështoi mbledhja e dy Qeverive

24/09/2020 12:05 PM 0 komente

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kishin planifikuar të takohen nesër në Shkodër, mirëpo kjo nuk do të ndodh.

Dy qeveritë pritet të takohen në muajin tetor. Kryeministri i Kosovës ka treguar pse ka ndryshuar data e takimit.

Kreu i Qeverisë së Kosovës,  Avdullah Hoti ka treguar para mediave pse është shtyrë takimi i përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Ai thotë se së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën janë dakorduar që kjo mbledhje të shtyhet.

“Arsyetimi pse e kemi shtyrë mbledhjen e kam bërë dje, këtë e kemi bërë me kryeministrin Rama, agjendën e qeverisë e bëjë vetëm unë. Nesër është një mbledhje shumë e rëndësishme, është ndër ligjet më të rëndësishme në kuadër të pakos ekonomike nesër, duhet të jemi aty. Mbledhja është shtyrë vetëm për një javë, nuk ka asnjë çështje aq urgjente që nuk mund të spostohet”, ka thënë Hoti.

Kryeministri ka folur edhe për marrëveshjet që pritet të nënshkruhen në këtë mbledhje.

“Linja hekurudhore që e lidh Prishtinën me portin Adriatik, pastaj me Selanikun, Stambollin, Evropën Qendrore, kështu duhet të shihet kjo, një marrëveshje e veçantë është për linjën hekurudhore”, ka thënë kryeministri.

https://www.monitor.al/shtyhet-mbledhja-e-qeverive-kosove-shqiperi/

Gjatë ditës së djeshme Hoti ka njoftuar se është shtyrë mbledhja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë e paraparë të mbahej këtë të premte.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se mbledhja do të mbahet më 2 tetor.

Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në shtator në Shkodër e kishte paralajmëruar një muaj më parë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Jemi dakorduar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive, me shpresën që situata jo e lehtë e lidhur me COVID-in të na e mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit”, ka thënë Rama.

Mbledhja e fundit e përbashkët ndërmjet dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë është mbajtur në nëntor të 2018-s në Pejë ku u patën nënshkruar një sërë marrëveshjesh.

Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014.

Mbledhja e parë u mbajt në qytetin e Prizrenit, dhe dy kryeministrat në atë kohë Hashim Thaçi, dhe Edi Rama, e cilësuan takimin historik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of