Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot për të vazhduar seancën e mbetur nga java e kaluar lidhur me plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020. Mosrishikimi i buxhetit sipas Qeverisë, po mban peng ekzekutimin pagesave të Pakos Emergjente Fiskale.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se është mjaftë e rëndësishme që Kuvendi të miratojë buxhetin e rishikuar për vitin 2020.
Hoti me anë të një shkrimi në Facebook, tha thënë se me miratimin e këtij buxheti do të hapet rruga për të vazhduar pagesën e masave nga Pakoja Emergjente Fiskale.
“Është tepër e rëndësishme që sot Kuvendi të miratojë buxhetin e rishikuar për 2020, si dhe të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare për grante dhe kredi. Kjo na hap rrugë për të vazhduar me pagesën e masave të mëhershme për të papunë dhe biznese, si dhe për të nisur zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike. Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike prej 385 milionë euro është pjesë e këtij buxheti”, ka shkruar Hoti.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot për të vazhduar seancën e mbetur nga java e kaluar lidhur me plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, gjatë seancës së kaluar, ka arsyetuar rishikimin e buxhetit ku ka theksuar se me këtë do të adresohen sfidat të cilat janë shkaktuar nga kriza e pandemisë COVID-19.
Bajrami ka thënë se shpenzimet buxhetore janë paraparë të jenë 2.6 miliardë euro që parashihet edhe Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike prej 385 milionë euro.
“Ashtu si në shumë vende të botës, edhe në Kosovë kjo pandemi dhe masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së saj, kanë bërë që bizneset dhe qytetarët, por edhe institucionet, pra qeveria vet të ndikohet nga këto zhvillime. Duke qenë se shumica e bizneseve për një periudhë prej tre mujore kanë qenë pothuajse komplet të mbyllura. Shumë prej punëtorëve nuk kanë arrit që t’i marrin pagat e plota, disa prej tyre edhe nuk kanë marrë fare nga punëdhënësit e tyre. Për më tepër pagesat për qytetarët dhe bizneset nga pakoja e kaluar nuk janë realizuar në tërësi. Prandaj në linjë me këto zhvillime ne kemi përgatitur një propozim rishikim të buxhetit dhe si i tillë adreson këto çështje”, ka thënë Bajrami.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza gjatë debatit për rishikimin e buxhetit ka thënë se, me gjithë vërejtjet dhe shqetësimet që i ka, siç tha për një dokument të keq të punuar me shumë defekte, do ta japë votën për dhe do të bëjë përpjeke që mes dy leximeve të korrigjohet.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka kritikuar deputetët e PDK-së duke thënë se këta të fundit nëpër seanca kanë pozicion oportunistë, derisa në fund përsëri votojnë.
Qeveria e kaluar e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti kishte miratuar Pakon Emergjente Fiskale për të mbështetur bizneset dhe individët të cilët kanë hasur vështirësi gjatë pandemisë COVID-19.
Në këtë Pako është paraparë që punëtorët të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj, përkatësisht prill dhe maj. Deri më tani, edhe pas krijimit të qeverisë së re, shumë biznese dhe punëtorë ende nuk i kanë marr pagesat e premtuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.