Kosova deri tani ka arritur marrëveshje për gati dy milionë doza të vaksinave anti-Covid, teksa është njoftuar se të parat do të vijnë në muajin shkurt. Stafi shëndetësor dhe personat mbi moshën 65-vjeçare do të jenë të parët që do të vaksinohen. Vaksinat do të jenë falas për qytetarët.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë për media, ka folur për sigurimin e vaksinave anti-Covid për qytetarët e Kosovës.
Hoti ka thënë se është përgatitur strategjia e imunizimit në bazë të cilit përcaktohen qartë prioritetet e vaksinimit të qytetarëve me vaksinën anti-Covid.
“Ashtu si na vijnë sasitë e vaksinave do të kryhet vaksinimi i qytetarëve. Fillimisht mjekë dhe stafi tjetër shëndetësor, personat mbi moshën 65 vjeç, personat që kanë rrezikshmëri të lartë e cila përcaktohet nga lista e sëmundjeve”, tha Hoti.
Hoti përmendi edhe sasinë e vaksinave që Kosova pritet të marrë.
“Dje janë konkretizuar marrëveshjet me Pfizer për 535 mijë vaksina, edhe me Austrinë për 600 mijë vaksina, si dhe me COVAX më herët janë kryer proceduar për 720 mijë vaksina”.
Ai shtoi se në të gjitha komunat, dhe në bazë të kësaj strategjie komunat me qendrat e mjekësisë familjare udhëzohen të përgatisin listat e qytetarëve sipas këtyre kritereve.
Hoti shtoi se synojnë që brenda dite të vaksinohen 20 mijë qytetarë.
“Kapaciteti ditor i institucioneve shëndetësore është ta vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda dite”, tha Hoti.
Kryeministri u shpreh se presin që vaksinat e para të arrijnë në shkurt dhe pastaj të shpërndahen sipas strategjisë së imunizimit.
Hoti e ka quajtur lajm të mirë rënien e numrit të të infektuarve ditët e fundit teksa ka paralajmëruar se masat aktuale do të mbesin në fuqi.
“Jemi duke bërë rikategorizimin e komunave çdo të premte. Këto masa do të jen në fuqi edhe më tutje, e dimë që këto masa janë marr model nga vendet e tjera”, ka thënë ai.
Ndërkohë, ministri në detyrë, Armend Zemaj, meritat për këtë ia ka adresuar kryeministrit në detyrë, Hotit.
“Këto punë dhe i gjithë ky angazhim është siguruar nga Avdullah Hoti. Siç e kemi bërë të ditur dje për sigurimin e vaksinave, kemi marr konfirmimin nga Pfizer për 500 mijë vaksina. Këtë konfirmim e kemi marrë ditën e djeshme pas shume negociatash. Gjatë kësaj jave do të finalizohen edhe aspektet teknike mes MSH-së dhe kompanisë. Dozat e para do të vijnë në muajin shkurt”, ka thënë Zemaj.
Drejtori i Institut Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka thënë se secili person i vaksinuar do të pajiset me kartelë të imunizimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.