Tash e disa muaj, nga zyrtarë të Ministrisë së Financave është paralajmëruar ulja e pagave në sektorin publik, shkaku i situatës me pandeminë.
Por, sot në një konferencë për media, Kryeministri Avdullah Hoti, ka bërë me dije se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se nuk do të preken pagat në sektorin publik.
Hoti në një konferencë për medie, ka thënë se kjo nuk do të ndodh, pasi sipas tij është ndërtuar një kornizë e qëndrueshme në buxhet.
“Nuk do t’i prekim pagat në sektorin publik, për shkak se tashmë është ndërtuar një kornizë e qëndrueshme e buxheti”, tha Hoti.
Ndryshe, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ditë më parë kishte paralajmëruar uljen e pagave në sektorin publik.
Krasniqi kishte thënë se për të shpëtuar sektorin privat në Kosovë, ai ka një ide tjetër, që nuk përjashton mundësinë e uljes së pagave në sektorin publik.
“Ne duhet tash të vendosim a duhet t’i zvogëlojmë shpenzimet në investime, a duhet t’i zvogëlojmë shpenzimet në subvencione e që nuk ka mundësi se janë të gjitha obligime ligjore. A duhet t’i zvogëlojmë subvencionet dhe grantet në bujqësi, a duhet t’i zvogëlojmë investimet publike apo duhet t’i zvogëlojmë edhe pagat. Prandaj, në këto raporte nuk përjashtohet asnjë mundësi, po them edhe pagat, për arsye që në rast se i zvogëlojmë investimet ne do ta zvogëlojmë mundësinë e rritjes ekonomike, e që kjo ndikon komplet edhe në sektorin privat. Unë po e mirëkuptoj nga një herë edhe sektorin privat kur thonë se ju sektori publik nuk jeni prek prej pandemisë, sepse kanë të drejtë. Prandaj, është mirë më shpejt të intervenohet”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka treguar disa nga arsyet se pse është marr vendimi që të shkarkohet ish-drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore, Ilir Murtezaj nga kjo pozitë.
“Në Administratën Tatimore të Kosovës na është dashur të marrim vendim që të lirojmë nga detyra drejtorin aktual dhe për të caktuar një ushtrues detyre deri sa të kryhen procedurat. Ky vendim është plotësisht në përputhje me Ligjin, mbi bazën e arsyeshmërisë e ka sjell Ministria e Financave, ku theksohet qartë se zotëri Murtezaj gjatë kohës në këtë pozitë ka ndërmarr një varg veprimesh që i përmbushin kushtet ligjore për lirimin e tij nga detyra për shkak të paaftësisë ose sjelljes së keqe”, tha Hoti.
Të premten e kaluar, kryeministri Hoti ka marr vendim që ta shkarkoj Murtezajn dhe ta emëroj Hysenajn në pozitën e ushtruesit të detyrës.
Hoti, në një konferencë për media, ka folur edhe për situatën aktuale me pandeminë COVID-19 dhe sipas tij, arritjet e qeverisjes së tij.
Hoti, ndër tjera, theksoi se është dashur punë që qeveria e tij ta kthejë partneritetin me disa vende.
“E kemi marrë qeverisjen në një gjendje tepër të vështirë ndoshta situata më e vështirë në 20 vitet e fundit, sigurisht nga situata me pandeminë por edhe të shkaktuara nga qeverisja jo adekuate. Na është dashur punë shumë e madhe që ta heqim izolimin për Kosovën të kthejmë partneritetin me vendet kyçe”, tha Hoti në konferencën për shtyp.
Gjatë kësaj periudhe, tha Hoti, është menaxhuar mirë pandemia.
“Kosova tani merret shembull. Në fushën e arsimit janë zhvilluar edhe modalitete të ndryshme për të organizuar në kohë të pandemisë”, tha tutje kryeministri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.