Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për dy segmente të rëndësishme të autostradës
Tiranë- Elbasan, segmentit të parë (Sauk -Tuneli i Kërrabës) me gjatësi 13 kilometra dhe segmentit të tretë (Tuneli i Kërrabës – Elbasan) me gjatësi 11.7 km, që kanë nisur në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Gjatë inspektimit të punimeve në këto segmente, kryeministri tha se “kjo është pranvera e realizimit të qindra projekteve infrastrukturore, e cila e ngjit Shqipërinë një kat më lart në grataçelën e zhvillimit. Tuneli i Kërrabës do të mbahet mend në shekuj e mijëvjeçarë si tuneli i 100 vjetorit të Pavarësisë”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha u shpreh se kjo rrugë së bashku me tunelin përbën autostradën me ndikimin më të madh për qytetarët shqiptarë, si dhe veprën më të rëndësishme në infrastrukturës “Shqipëria, vend i zhvilluar”. Rruga është e gjatë 31 kilometra përfshirë edhe tunelin, ka gjerësi 28.2 metra, 6 korsi, 1,7 kilometra ura dhe vijadukte, si dhe shumë mbikalime dhe nënkalime. Në pjesët ku rruga intersekton lumenjtë, kryesisht Lumin e Kushes është marre parasysh dhe sistemimi i lumenjve. Me këtë projekt Elbasani përfiton dhe një projekt të dytë atë të sistemimit tokave dhe ndalimit te gërryerjeve për shkak të këtij lumi që shumë herë ka sjellë probleme për tokat apo dhe ndërprerjen e rrugës së fshatrave.
Në javët në vijim do të inaugurohet fillimi i punimeve në të gjitha segmentet e rrugës, të vazhdimit të saj drejt Korçës, në segmentin Qukës Qaf-Plloçë. Ky ishte premtimi që bëri kryeministri Berisha gjatë inspektimit të punimeve në rrugën Tiranë-Elbasan. Ai tha se kjo rrugë do të bëjë që mundur që të shkurtohen distancat mes pjesës juglindore të vendit dhe Tiranës me rreth 70%. “Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Korçë në segmentin Qukës-Qaf Plloçë është dëshmi e performancës ekonomike të Shqipërisë” tha kryeministri.
Kjo distancë shkurtohet edhe për qytetet e tjera përveç Korçës, si dhe Ersekës apo edhe për arritjen e pikave kufitare. Rruga shkurton me një orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.