Kryeministri Kurti tregon se kur hiqet taksa

26/02/2020 1:26 PM 0 komente

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se reciprociteti i plotë me Serbinë do të bëhet porsa të përpunohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Shefi i ekzekutivit tha se nuk duan të bëjnë gabime gjatë këtij procesi dhe se duan të shkojnë drejt e mbarë.

 

Kryeministri Albin Kurti ri përsëriti se taksa 100 për qind do të zëvendësohet me reciprocitet, por tha se nuk ka arsye për ngutje rreth këtij vendimi qeveritar për mallrat serbe.

Kurti theksoi se së pari do të bëhet përpunimi i reciprocitetit nga Ministria e Ekonomisë me grupin e saj punues dhe pas kësaj qeveria do të marrë vendim për zëvendësimin e tarifës me masën e reciprocitetit.

Shefi i ekzekutivit tha se nuk duan të bëjnë gabime gjatë këtij procesi dhe se duan të shkojnë drejt e mbarë.

“Taksa zëvendësohet me reciprocitetin, nuk ka arsye që të ngutemi. Duhet që një herë ta bëjmë elaborimin e reciprocitetit dhe porsa të kemi këtë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë me grupin e saj punues, ne më pastaj, edhe do ta zëvendësojmë taksën 100 për qind. Por, ne nuk bëjmë gabime, shkojmë drejt, mbarë në rrugën tonë të mirë”, tha Kurti.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri pas hapjes së ekspozitës “Kujtesa e Kosovës”, kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Kurse gjatë ditë së sotme zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth dialogut me Serbinë që për konkluzion, ka njohjen reciproke.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të Facebook-ut të tij, Hoti thotë se pengesat e vetëshkaktuara, nuk e ndihmojnë këtë proces.

“Para nesh kemi një proces sfidues të arritjes së Marrëveshjes së Paqes me Serbinë, që si konkluzion ka njohjen reciproke, siç edhe shprehet Sekretari Pompeo në letrën e fundit për Qeverinë e Kosovës. Ballafaqimi me këtë proces është domosdoshmëri e jona, por edhe kërkesë e miqve tanë që na kanë përkrahur për 30 vite rresht, nga kërcënimet e Kërshëndellave e deri tek bombardimet e NATO-s e shpallja e pavarësisë”, shkruan Hoti.

Hoti, tutje thotë se “Kjo marrëveshje arrihet vetëm përmes një procesi dinamik dialogues të UDHËHEQUR nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Në fund, zv/kryeministri Hoti thekson se “Jemi në limit të kohës që të bëhemi pjesë e mbrojtjes dhe avancimit të sovranitetit të vendi tonë”.

E  kryetari i Partisë demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të qartësojë qëndrimet për tarifën dhe të mos ikë nga përgjegjësitë duke manipuluar me deklarata të ndryshme.

Lideri i opozitës, Veseli, ka shkruar në faqen e tij në Facebook se debati publik për tarifën i duhet vetëm Albin Kurtit, që të manipulojë duke i ikur vendimmarrjes dhe përgjegjësisë shtetërore dhe për të evituar debatin publik për mungesën e programit qeverisës, për shkeljen e premtimeve të tij elektorale para qytetarëve, për mungesën e guximit vendimmarrës dhe për shumëçka tjetër.

“Ka disa ditë që në publik po problematizohet seriozisht çështja e tarifës dhe e takimeve të Albin Kurtit me përfaqësuesit e shtetit serb. Paragjykimet për këto dy tema, në fakt, janë standard i vënë nga vetë ai dikur.  Ky debat në publik i duhet pikërisht atij, që të manipulojë duke i ikur vendimmarrjes dhe përgjegjësisë shtetërore. Por, kjo nuk i duhet sot Kosovës. Kjo qasje i duhet vetëm Kryeministrit për të evituar debatin publik për mungesën e programit qeverisës, për shkeljen e premtimeve të tij elektorale para qytetarëve, për mungesën e guximit vendimmarrës dhe për shumëçka tjetër. Kryeministri duhet të qartësohet, dhe të mos ikë e manipulojë”.

Ditë më parë kryeministri, Albin Kurti ka treguar se Qeveria e Kosovës është duke punuar për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe për futjen e masës së reciprocitetit të plotë tregtar me Serbinë.

“Rozeta tashmë ka marrë vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, AVUK-u dhe Klubi i Prodhuesve te Kosovës. Ky grup do të përmbledhë te gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të vijë me rekomandim te qeveria. Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe do të veprojmë si të tillë”, ka thënë Kurti.

Tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj./ Fatos Shala për Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of