Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se Qeveria do të ndajë paga shtesë për mësimdhënësit.
Hoti ka takuar sot përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të cilëve ua ka dhënë lajmin se Qeveria në detyrë do të ndajë paga shtesë për punëtorët e arsimit.
“Kryeministri Hoti, fillimisht e ka përgëzuar kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, për punën e palodhshme dhe sfiduese të arsimtarëve në kushte të pandemisë, si dhe e ka siguruar që pagesa shtesë për punëtorët e arsimit do të kryhet në dy këste. Këstin e parë do ta marrin me pagën e muajit shkurt, ndërsa këstin e dytë me pagën e muajit maj”, thuhet në nj njoftim të zyrës për informim të Qeverisë.
Po ashtu, është bërë e ditur se është folur edhe për Kontratën e Re Kolektive.
“Për shumën e pagës shtesë, Ministria e Arsimit, SBASHK-u dhe Ministria e Financave do të dakordohen në përputhje me mundësitë buxhetore. Në takim me përfaqësuesit e SBASHK-ut, Kryeministri në detyrë Hoti, ka biseduar edhe për Kontratën e re Kolektive, e cila pritet të finalizohet këtë të premte”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, SBASHK-u kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta mbështesë sektorin e arsimit me para shtesë, për shkak të rrezikshmërisë nga koronavirusi. Kjo sindikatë po ashtu kërkon kontratë kolektive të përhershme për punëtorët e arsimit, e cila ndër tjerash, do të parashohë tri paga me rastin e pensionimit, nga një pagë jubilare dhe shujta.
SBASHK-u kishte paralajmëruar veprime sindikale nëse Qeveria nuk ua plotëson kërkesat. Sindikata ka kërkuar nga 100 euro shtesë për secilin punëtor të arsimit, për shkak të rrezikshmërisë së prekjes nga koronavirusi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.