Kryeministri Plenkovic: “Nuk ka vështirësi në Kroaci nga koronavirusi”

15/05/2020 10:11 PM 0 komente

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, deklaroi për Euronews se vendi i tij nuk po ndeshet me “vështirësi” në luftën kundër pandemisë COVID-19. Plenkoviç tha se më pak se 20,000 njerëz kanë ngelur pa punë për shkak të përhapjes së virusit, që sipas tij, ishte “shumë më e vogël se shifrat e vendeve të tjera”.

“Masat tona ishin të shpejta, të drejtpërdrejta dhe efikase dhe deri tani kanë dhënë rezultate të shkëlqyera ekonomike. “Ndërsa masat tona të tanishme synojnë të lehtësojnë presionin mbi ekonominë dhe parashikohet se PBB-ja e vendit do të bjerë me disa për qind”, shtoi ai.

“BE-ja duhet të ndihmojë jo vetëm Kroacinë, por të gjitha shtetet anëtare në këtë kohë krize. Ne duhet të tregojmë se një qasje e përbashkët europiane mund të realizohet nëse është e nevojshme”. Masat ekonomike “janë të mjaftueshme” për të kapërcyer krizën, por vetëm për një periudhë afatshkurtër.

 

FMN vlerëson se Kroacia do të pësojë rënie prej 9% në PBB

Maruška Vizek, drejtoresha e Institutit Ekonomik në Zagreb, tha për Euronews se masat e qeverisë për të frenuar krizën ekonomike janë “thelbësore”, por paralajmëroi se përfitimet e tyre do të jenë afatshkurtra – për “dy ose tre muaj”.

Sipas Vizek, qeveria deri tani është mbështetur vetëm në burimet e saj të brendshme, duke marrë hua edhe nga bankat tregtare, por nuk është e sigurt nëse Kroacia mund të kapërcejë një krizë afatgjatë pa ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar ose emetimit të bonove në euro.

Ndihma financiare e qeverisë përfshin një subvencion të drejtpërdrejtë të pagave prej 650 eurosh për ata që kanë të drejtë përfitimi (500,000 persona kanë aplikuar deri tani), shtyrjen e pagesave të TVSH-së dhe një skemë të garantimit të kredisë për bizneset, duke rezultuar në pagesa më të favorshme të interesit.

Për më tepër, pas një rekomandimi nga Autoriteti Bankar Europian (EBA), Banka Qendrore e Kroacisë, lejoi shtyrjen e provizioneve të kredisë së keqe, duke lejuar hapësirë për mundësimin dhe miratimin e moratoriumeve (pezullimin e ripagimit të interesit ose pezullimin e ripagimit të huasë).

Duke filluar nga java tjetër, Kroacia do të nisë lehtësimin e kufizimeve për përhapjen e sëmundjes. Kjo do të bëhet në tre faza të ndryshme.

Duke filluar nga 27 prilli, bizneset që nuk kërkojnë kontakte të ngushta midis njerëzve (përfshirë libraritë dhe muzetë) do të rihapen. Por parukeritë, dyqanet kozmetike dhe qendrat tregtare, do të qëndrojnë të mbyllura. Nëse faza e parë “rezulton e suksesshme”, do të nisë faza e dytë. Sistemi i shëndetit publik do të rifillojë operacionet normale, po ashtu edhe sektori privat shëndetësor. Parukeritë dhe aktivitetet e ngjashme të biznesit do të rihapen.

Në fazën e tretë, të planifikuar për datën 11 maj, njerëzit do të lejohen të mblidhen jashtë (“duke respektuar masat e distancimit fizik”), qendrat tregtare do të rihapen dhe do të rinisin fluturimet brenda vendit. Për më tepër, “institucionet parashkollore dhe klasat nga e para deri në të katërtën (shkollat fillore), si dhe klasat speciale, do të rihapen. Po ashtu edhe mësimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara që kanë nevojë për një asistent mësimor”.

 

Sektori i turizmit, në kërkim të ‘korridoreve’ për sezonin e ardhshëm turistik

Sektori i turizmit në Kroaci, i cili përbën 20% të PBB-së, u godit rëndë nga pandemia. Megjithatë, vendi po eksploron mundësinë e sjelljes së vizitorëve çekë gjatë verës së ardhshme nëpërmjet “korridoreve turistike”. Turistët çekë, të cilët duhet të jenë të pajisur me certifikatë shëndetësore që tregon se nuk janë të infektuar, do të lejohen të udhëtojnë në Kroaci në rrugë ajrore ose tokësore, deklaruan mediat kroate.

“Ne kemi diskutuar tashmë me Republikën Çeke faktin se ata janë duke përgatitur propozimet e veta dhe ne jemi duke përgatitur tonat”, tha Gari Cappelli, ministri kroat i Turizmit, në radion publike HRT. “Ne jemi të varur nga turistët e huaj”, të cilët përbëjnë 90% të të ardhurave të sektorit, shtoi ai.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of