Diplomacia ekonomike dhe roli i saj në nxitjen e investimeve të huaja dhe të diasporës shqiptare në vend kanë mbledhur në Tiranë në një aktivitet dyditor diplomatët shqiptarë – ambasadorë dhe konsuj, si dhe krerët e institucioneve përgjegjëse për emigracionin dhe investimet. Aktiviteti i organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta u përqendrua tek nevoja e nxitjes së investimeve në vend nga komunitetet shqiptare jashtë dhe rolin që duhet të luajë diplomacia shqiptare në këtë drejtim.
Ministri Ksera tha se “diplomatët duhet t’i ndajnë emigrantët në dy kategori: në të suksesshëm, për të cilët Shqipëria ka nevojë që të tërheqë potencialin e tyre intelektual dhe ekonomik; dhe në ata me problem social-ekonomike”. Ministri kërkoi nga diplomatët që edhe për kategorinë e dytë të tregohet kujdes i veçantë dhe ata të orientohen drejt dhe në kohë për mbështetjen që u ofrohet pas kthimit në atdhe nëpërmjet programeve të veçanta të mbrojtjes shoqërore, për formim profesional dhe punësim, strehim, edukim, etj.
Sipas Elisa Tsakiri, shefe e Misionit të IOM për Shqipërinë dhe Malin e Zi, potenciali për investim i emigracionit shqiptar ka arritur nivele të larta dhe kontributi i emigrantëve është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.