Kthehen në modë biçikletat

06/11/2018 3:25 PM 0 komente

Biçikletat po kthehen sërish në modë në Tiranë. Importet e tyre u rritën për të dytin vit radhazi. Tregtarët flasin se pjesa më e madhe e blerësve i kërkojnë për të shpëtuar nga trafiku i kryeqytetit, por ka edhe nga ata që kërkojnë të mbajnë trupin në formë duke shkuar në punë me biçikletë.
Sa kushtojnë biçikletat (nga ato të përdorura, te biçikletat e sofistikuara)

 

Nga Ledina Loga

Megi J., pedagoge në Universitetin e Tiranës, prej katër vitesh e përshkon rrugën nga shtëpia për në punë me biçikletën e saj. Dashuria për biçikletën lindi kur ishte ende studente. Në fillim bleu një biçikletë me çmim ekonomik te tregu i biçikletave në Tiranë, që të shmangte transportin publik në Tiranë. Edhe pse tani me të ardhurat mujore mund ta përballojë blerjen dhe përdorimin e makinës, ajo ka vendosur që të mbajë biçikletën, duke e kthyer në stil jetese.

Gjatë dy viteve të para, Megi tregon se ka pasur shumë vështirësi për të ecur në Tiranë. Tirana nuk kishte korsi për qarkullimin e biçikletave dhe sipas saj ishte gjithmonë e vështirë që të ecje te rruga e makinave. Gjatë përdorimit të biçikletës në qytet ka pasur edhe incidente të vogla, të cilat, megjithatë, nuk e kanë ndaluar që të pedalojë.

Ashtu si Megi, gjithnjë e më shumë individë po përdorin biçikletat në qytetin e Tiranës. Ened Mato, drejtor i organizatës Ecovolis, e cila promovon përdorimin e biçikletave në qytet, thotë se numri i pedaluesve, në rritje, është rreth 30,000 mijë, megjithëse jo në ritmet që ai do të donte.
Arsyet pse qytetarët e Tiranës po përdorin biçikletat janë disa. Tregtarët e biçikletave thonë se tashmë përdorimi i biçikletave po kthehet në trend. Një pjesë e përdoruesve i blejnë pasi kërkojnë të ndryshojnë stilin e jetesës.

Genti Dume, përfaqësues i një pike tregtimi biçikletash, pohon se pjesa më e madhe e individëve që blejnë biçikleta në dyqanin e tij nuk e bëjnë për kursim apo se duan të heqin dorë nga përdorimi i makinës, por për stil jetese. Ata që nuk kanë kohë që shkojnë në palestër dhe qëndrojnë gjatë në zyrë, përdorin biçikletën si një mënyrë për të mbajtur trupin në lëvizje. Në tre vitet e fundit, sipas zotit Dume, është rritur kërkesa për biçikleta.

Arsye tjetër pse individë të moshës 30-50 vjeç, që kanë pasur një historik me përdorimin e biçikletës, po i rikthehen biçikletës, është edhe përmirësimi i infrastrukturës. Një tjetër target-grup që përdor biçikletën janë individët që punojnë brenda Unazës së Tiranës, duke qenë se shoferët hasin vështirësi me trafikun e rënduar brenda qytetit dhe parkimin e makinës.

Sot në gjimnazet kryesore në kryeqytet janë vendosur vendet e parkimit të biçikletave. Ened Mato, gjatë fushatave të ndërgjegjësimit për përdorimin e tyre në gjimnazet e Tiranës, thotë se ka hasur në klasa, ku nga të gjithë nxënësit, vetëm dy dinin t’i jepnin biçikletës. Megjithatë, kultura e përdorimit të biçikletës në qytet po fillon të përhapet. Në Tiranë ka pasur nisma për të nxitur mësimin e biçikletës që në kopsht.

“Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë, ku mësohet makina përpara biçikletës”, – thotë Mato. E kundërta po ndodh në qytetet e tjera të Shqipërisë, të cilët edhe pse e kanë pasur shumë të përhapur përdorimin e biçikletës, po përballen me rënien e pedalueseve, si për shembull Shkodra.
Situata është e njëjtë edhe në qytetet e tjera, rrugët që po bëhen nuk parashikojnë korsi biçikletash.

 

Infrastruktura në përmirësim nxit pedaluesit në qytet

Aktualisht në qytetin e Tiranës janë projektuar 47 kilometra korsi biçikletash, në rreth 34 akse. Ndërhyrjet kanë qenë kryesisht me pajisjen e rrugëve me sinjalistikën e duhur dhe elementet e sigurisë.

Sipas të dhënave nga burime pranë Bashkisë së Tiranës janë përfunduar 16 akse, apo rreth 28 km rrugë biçikletash, duke përfshirë këtu edhe Parkun e Madh të Liqenit. Në proces pune janë 8 korsi të tjera, të cilat priten të mbyllen brenda këtij viti, duke mbyllur edhe 8 kilometra të tjerë të pajisur me sinjalistikë.

Në 90% të rasteve, ndërhyrjet kanë përdorur hapësirën që zënë parkimet e makinave dhe jo atë të kalimit të makinave. Në raste të tjera, si Rruga e Kavajës dhe Bulevardi Zogu I, është përdorur trotuari i mesit.
Që prej vitit 2016, Bashkia e Tiranës ka nisur një proces, i cili është në vazhdim, për të bërë sa më të sigurt dhe më të lehtë qarkullimin me biçikletë.

 

Çmimet e biçikletave

Gerti Dume merret me tregtinë e biçikletave prej thuajse tre vitesh. Mesatarisht shet në muaj rreth 15 biçikleta, me një çmim që sipas tij është mbi mesataren e tregut. Edhe klientët që blejnë në dyqanin ku ai punon, në përgjithësi kanë të ardhura mbi mesataren e lartë.
Çmimi i një biçiklete për të qarkulluar brenda në qytete, sipas zotit Dume, varion nga 30,000 deri në 40,000 lekë, kurse biçikletat malore, që i përdorin të pasionuarit pas çiklizmit malor variojnë nga 50,000 deri në 140 mijë lekë, e cila është edhe biçikletë më e shtrenjtë që ai ka në dyqan.
Për tregtarët e biçikletave në vend, tregjet informale, ku shiten biçikletat e vjedhura, janë problematike. Këto tregje deformojnë çmimet, pasi mbajnë çmime të ulëta për biçikletat e vjedhura. Operatorët thonë se duhet të ndërgjegjësohen edhe konsumatorët për të mos blerë në këto tregje, pasi nxitet kriminaliteti.

“Ky është një problem për ne, pasi ndërhyjnë në treg, duke e shformuar atë. Tregjet informale janë më të lirë në çmimet e shitjes. Atje mund të blesh një biçikletë të vjedhur për 800 euro, e cila shitet rreth 2000 euro në dyqanet e rregullta”, – pohon Dume.
Ened Mato, i cili shet biçikleta të përdorura, thotë se çmimi mesatar për një biçikletë të përdorur varion nga 7,000 deri në 8,000 lekë. Individët që iu drejtohen biçikletave të përdorura në përgjithësi kanë të ardhura të ulëta. Mato shton se kryesisht janë dorështrënguar te biçikleta dhe se grupi që kërkon biçikleta të shtrenjta është i vogël.

 

 

Importet e biçikletave në rritje, dikur kishim industri vendase

Dikur Shqipëria ka pasur industri vendase të prodhimit të biçikletave. Të lindurit para viteve ’90 me siguri i kujtojnë llojet e biçikletave “Ylli”, “Dinamo”, “Partizani”. Ndryshe nga rajoni, Shqipëria nuk e ka ruajtur traditën e prodhimit të biçikletave dhe e plotëson kërkesën me biçikletat që importon.

Në Serbi, sipas operatorëve të tregut, fabrikat e prodhimit të biçikletave janë ruajtur dhe krahas importeve, ka dhe biçikleta të prodhuara në vend. Ened Mato shprehet se u përpoq të hartonte një plan biznesi për prodhim biçikletash në Shqipëri, por ai rezultoi pa leverdi, pasi kostoja e prodhimit për një copë ishte e lartë. Dyqanet në vend tregtojnë biçikleta të importuara. Të dhënat nga Dogana tregojnë se importet e biçikletave janë rritur për të dytin vit radhazi.

 

Në 2017-n, vlera e importeve të biçikletave ishte mbi 1 milion dollarë

Rreth 85% e importeve që kanë hyrë në Shqipëri në 2017-n kanë qenë kineze. Krahasuar me një vit më parë, pesha që zënë importet e biçikletave nga Kina është rritur. Biçikletat e importuara nga Italia janë të dytat për nga pesha në totalin e importeve, por ato kanë rënë në krahasim me një vit më parë. Në 2017-n, ato zinin rreth 9% të totalit importeve, nga 12% në 2016-n, sipas të dhënave nga doganat.
Më pas, biçikletat nga Gjermania përgjigjen për rreth 3% të totalit të importeve.

Çmimet mesatare të këtyre biçikletave janë një tregues për cilësinë e tyre. Gjithsej në Shqipëri, sipas Doganave, kanë hyrë rreth 37 mijë biçikleta (ku përfshihen dhe biçikletat për fëmijë). 33 mijë kanë qenë biçikletat e importuara nga Kina, rreth 1500 nga Gjermania dhe 1200 nga Italia. Biçikletat italiane kanë hyrë në treg me një çmim mesatar prej 76 dollarësh dhe janë më të shtrenjta, krahasuar edhe me biçikletat e importuara nga Gjermania, me çmim mesatar prej 21 dollarësh për njësi dhe Kina me një çmim mesatar 28 dollarë për njësi.

Sipas aktorëve të tregut, biçikletat që vijnë nga Kina nuk janë shumë cilësore, ndërsa nga vendet si Gjermania apo Zvicra vijnë kryesisht biçikletat e përdorura, të cilat hyjnë me çmim të lirë. Një problematikë që prek tregtarët e biçikletave është taksa e lartë e importit të tyre. Për një biçikletë, tregtari paguan 1500 deri në 2000 lekë taksë. Nëse kjo taksë do të ulej, çmimet e biçikletave do të ishin më të lira.

 

Tirana, me numrin më të madh të automjeteve për banorë

Aktorët e tregut shprehen se kërkesa për biçikleta, nuk e ka ulur përdorimin dhe blerjen e makinave në vend. Ashtu si edhe në tregues të tjerë të zhvillimit ekonomik, qendra e vendit ka diferencë të madhe me rajonet e tjera edhe për numrin e lartë të automjeteve për banorë.

Sipas të dhënave të INSTAT, Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë numrin më të lartë të automjeteve për banorë, ndërsa në krahun tjetër, Elbasani, Korça, Kukësi dhe Dibra kanë numrin më të ulët të automjeteve në raport me popullsinë.

Në vitin 2017, Tirana numëroi 233 automjete për 1000 banorë, ose sa dyfishi i makinave për 100 banorë në Qarkun e Dibrës.

Më pas shihet se Durrësi ka numrin më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë, me rreth 213 automjete për 1000 banorë.

Gjithashtu, Vlora renditet ndër qarqet me numër të lartë makinash në raport me popullsisë, me rreth 203 të tilla për 1 mijë banorë.

Numër të lartë automjetesh mbi 190 të tilla për 1000 banorë kanë edhe qarqet e Lezhës, Gjirokastrës dhe Shkodrës.

Dibra rezulton të ketë numrin më të ulët me vetëm 101 automjete për 1000 banorë, e ndjekur nga Korça me 119 dhe nga Elbasani me 121 automjete për 1000 banorë.

Qarqet me numrin më të lartë të të papunëve, si Lezha dhe Vlora, kanë numër të lartë automjetesh për frymë në raport me qarqet e tjera.

 

Në botë, tregu i biçikletave në zgjerim të vazhdueshëm

Industria e biçikletave apo industria e çiklizmit përfshin të gjithë kompanitë që merren me prodhimin e biçikletave, pjesëve të tyre apo dhe aksesorëve. Në të gjithë botën përllogaritet se kjo industri gjeneron të ardhura nga shitjet në 2017-n rreth 45 miliardë dollarë. Analistët parashikojnë se do të ketë rritje vjetore mbi 6% në 5 vitet e ardhshme.

Në 2016-n, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ardhurat e gjeneruara nga shitjet ishin 6 miliardë dollarë, ndërsa në Europë të ardhurat nga shitjet u përllogaritën rreth 14 miliardë euro.

Numri i importeve dhe eksporteve i biçikletave është rritur ndjeshëm brenda dhe jashtë BE-së në pesë vitet e fundit. Në 2012-n, numri i biçikletave të eksportuara nga BE-ja ishte 209 mijë, ndërsa në 2016-n nga të dhënat eksporteve, raportoheshin 830 mijë biçikleta të eksportuara, sipas Eurostat. Edhe numri i importit të biçikletave ka pasur rritje të ndjeshme. Në 2012-n, numri i biçikletave në BE ishte në nivelin e 550 mijë, ndërsa në 2016-n, kjo shifër arriti në thuajse 2 milionë.

Gjermania eksportoi 240 mijë biçikleta në 2016-n, duke përfaqësuar rreth 29% e totalit të eksporteve në BE. Kjo bën që Gjermania të renditet si eksportuesi më i madh i biçikletave nga të gjithë vendet anëtare të BE-së, e dyta renditet Belgjika, me 170 mijë biçikleta (20% e totalit të eksporteve), Holanda me 100 mijë biçikleta apo 12% e eksporteve, Rumania me 82 mijë apo 10% të eksporteve dhe Republika Çeke me 57 mijë apo 7% e totalit.

Nëntë nga dhjetë biçikleta u eksportuan nga vendet e tjera të Bashkimit Europian. Zvicra ishte destinacioni kryesor për biçikletat e eksportuara në vendet jo anëtare të BE-së (31,500 biçikleta u eksportuan gjatë 2016-s, apo 44% e eksporteve të biçikletave jashtë BE-së, ndjekur nga Japonia (15 mijë, 21%), Australia dhe Shtetet e Bashkuara (2,300, 3%), Kina (1,200 mijë, 2%), Kanadaja (1,100, 2%) dhe Zelanda e Re (1070, 1%).

Nga ana tjetër, më shumë se gjysma e importeve kishin si destinacion dy vendet anëtare të BE-së, Gjermaninë (560 mijë apo 28% të totalit të importeve) dhe Holandën (me 52 mijë apo 26% e importeve). Këto vende renditeshin dhe më para se Belgjika, me 250 mijë apo 13% e totalit të importeve; Franca me 175 mijë apo 9% e importeve; Mbretëria e Bashkuar, 130 mijë apo 7% dhe Italia 110 mijë apo 5%.

1.2 milionë biçikleta u importuan në BE nga vendet jo anëtare, duke përfaqësuar 60% të totalit të numrit të biçikletave nga BE-ja. Kina deri më tani është vendi i parë i origjinës për këto importe, me rreth 932 mijë apo 79%, e totalit të gjithë importeve nga jashtë BE-së, ndjekur nga Vietnami me 79 mijë apo 7% e totalit, Hong Kongu me 37 mijë e totalit dhe Zvicra 30 mijë apo 2.5%.

 

5 vendet me numrin më të madh të biçikletave për banorë

Në të gjithë botën përllogariten më shumë se 1 miliard biçikleta, dyfish më shumë se makinat. Biçikletat fillimisht u prezantuan në shekullin e 19-të. Po cilët janë 5 shtetet me numrin më të madh të biçikletave për banorë?

  1. Holanda

Holandezët janë populli që shpenzon më shumë për biçikletat, rreth 1 miliard euro në një vit, me një çmim mesatar prej 713 eurosh. Popullsia e Holandës është rreth 16 milionë banorë dhe po aq janë biçikletat në këtë shtet. Rreth 99.1% e popullsisë ka biçikletë.

  1. Danimarka

Në Danimarkë, 18% e udhëtimeve bëhen me biçikletë. Distanca mesatare ditore e përshkruar nga pedaluesit është 1.6 km. Ka rreth 5.5 milionë banorë dhe 4.5 milionë biçikleta, rreth 80.1% e popullsisë ka një biçikletë.

  1. Gjermania

Distanca mesatare ditore e përshkruar me biçikletë për banorë është 0.9 km dhe është e vështirë që të gjesh një të rritur në Gjermani që nuk di t’i japë biçikletës. Popullsia e Gjermanisë është 81 milionë banorë me rreth 62 milionë biçikleta. Rreth 76% e popullsisë ka një biçikletë.

  1. Suedia

Për familjet suedeze, biçikleta është e nevojshme njësoj si televizori. Distanca mesatare ditore përshkruar për një banor është 0.7 km. Popullsia është 9.4 milionë banorë, prej të cilëve 64% kanë një biçikletë.

  1. Norvegjia

Një vend me 4 milionë banorë dhe 3 milionë biçikleta. Problemi më i madh është vjedhja e tyre.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of