Intervistë për revistën “Monitor” e Dr. Erkan Tabak, Drejtor i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile
Pas një tkurrjeje në vitin 2012, teksa kompania celulare Eagle u përball me konkurrencën e shtuar në treg dhe krizën ekonomike që uli shpenzimet konsumatore, 2013-a paraqitet e mbarë për operatorin e telefonisë së lëvizshme. Dr. Erkan Tabak, Drejtor i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile, pohon në një intervistë për Monitor se Eagle Mobile ka shënuar një rritje me 10% në numrin e abonentëve në gjashtë muajt e parë të vitit dhe tendenca pritet të jetë në ngjitje. Optimist ai është dhe për ecurinë e Albtelecom, sidomos në drejtim të internetit dhe prezantimit të shërbimit të ri të televizionit interaktiv.
1- Si ka qenë ecuria e ALBtelecom dhe Eagle në pjesën e parë të këtij viti?
Performanca e ALBtelecom dhe Eagle Mobile në 6-mujorin e parë të këtij viti dhe veçanërisht në 3-mujorin e dytë të këtij viti ka shënuar rritje dhe përmirësim të dukshëm. Mund të themi se kjo vjen kryesisht nga rritja e numrit të klientëve të Eagle Mobile. Ulja e numrit të klientëve tanë në 3 muajt e fundit ka ndaluar plotësisht dhe tashmë ka marrë një trend rritës në bazën e klientëve. Kështu në gjysmën e dytë të këtij viti presim që rritja të jetë më e mirë se vitin e kaluar, për shkak se trendi rritës nuk po tregon asnjë shenjë uljeje ritmi, përkundrazi. Pra këtë vit, në shitjet tona me pakicë presim të ketë rezultate shumë më të mira se vitin e kaluar.
2- Kompania juaj ka qenë shumë agresive në marketing dhe oferta gjatë muajve të fundit, si në drejtim të telefonisë fikse, ashtu dhe asaj celulare. Cilat ishin rezultatet?
Kohët e fundit kemi përfunduar investimet në infrastrukturë. Gjatë periudhës së investimit në infrastrukturë deri në përfundimin e saj, mendoj se nuk kemi gjetur shumë kohë që të informonim abonentët tanë mbi këto zhvillime, në mënyrë që ata të njiheshin me këto investime. Për këtë arsye, në mënyrë që klientët tanë të na njohin dhe të na kuptojnë sa më mirë, duhet të provojnë dhe krijojnë përsëri një marrëdhënie sa më të mirë me markën tonë dhe me shërbimet më të fundit të portofolit tonë. Ne u kemi dhënë rëndësi shpenzimeve të marketingut dhe rezultatin mund ta shihni fare qartë tek rritja e numrit të klientëve.
3- Gjatë vitit të kaluar, Eagle Mobile regjistroi një rënie të të ardhurave. Si janë pritshmëritë për këtë vit?
Eagle Mobile kishte mbetur pak mbrapa në disa oferta të viteve të fundit, si për shembull tek ofertat që vijnë nga shërbimet e gjeneratës së tretë. Megjithatë, këtë zbrazëti arritëm ta mbyllnim nëpërmjet teknologjisë 3.5 G dhe shërbimeve të saj shumë më të shpejta se konkurrentët tanë, duke u siguruar një eksperiencë më të mirë përdoruesve tanë. Si rrjedhojë, mendojmë se përmirësimet në infrastrukturë dhe në shërbime, këtë vit do të sjellin rritje si në numrin e abonentëve, ashtu dhe në të ardhurat e Eagle Mobile.
Pa diskutim që një tjetër arsye për rënien e të ardhurave tona vitet e kaluara, ka qenë edhe futja e operatorit të katërt celular në treg. Pavarësisht kësaj, pas një investimi të vështirë dhe gjigant që kemi bërë, mund të themi se për ne aktualisht është një situatë shumë e kënaqshme në lidhje me rritjen e të ardhurave, që ka ardhur nga rritja e numrit të abonentëve pas rikthimit të tyre te ne.
4- Duke pasur parasysh konkurrencën që është shtuar dhe krizën që ka reduktuar shpenzimet e konsumit, si po e përballon kompania këtë situatë?
Problemet më të mëdha në tregun e telefonisë celulare janë konkurrenca e teprt dhe vendimet e autoriteteve rregullatore, konkretisht AKEP dhe Autoriteti i Konkurrencës. Ne jemi një kompani që ka ditur gjithmonë të përballet me ndershmëri me konkurrencën në treg dhe ka krijuar vlera për klientin. Për këtë nuk kemi pikën e shqetësimit. Por kushtet e një konkurrence duhet të jenë sa më të ndershme në një ambient të krijuar nga autoriteti rregullator dhe ai i konkurrencës. Është e nevojshme ndërhyrja në ato praktika që nuk janë të ndershme për tregun. Ajo që dua them dhe që duhet të kuptohet shumë mirë nuk është ndërhyrja tek çmimet e tregut me pakicë, pra te përdoruesit fundorë, por e kam fjalën për ndërhyrjet që duhen bërë tek përshtatja e çmimeve të përdorura ndërmjet operatorëve, në një mënyrë më të ndershme dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Fatkeqësisht në këtë aspekt, në Shqipëri ka praktika që janë të ndryshme nga ato ndërkombëtare dhe presim me padurim rregullimin e tyre në mënyrën më të mirë të duhur.
Përveç këtyre që thamë më sipër, çmimet po bien dhe përkundër këtyre çmimeve, shërbimet tona po rriten dita-ditës. Ka një përdorim shumë të gjerë të internetit. Me anë të infrastrukturës sonë të pasur dhe moderne me shërbimet Wi-fi, teknologjisë me internet më të mirë në treg 3.5 G, ne përpiqemi që ta ofrojmë për përdoruesin tonë shërbimin e internetit dhe nën të njëjtin çmim. Në këtë formë mundohemi që të kompensojmë edhe rënien e shpenzimeve tek konsumatorët.
Autoriteti
Është e nevojshme ndërhyrja në ato praktika që nuk janë të ndershme për tregun. Ajo që dua them dhe që duhet të kuptohet shumë mirë nuk është ndërhyrja tek çmimet e tregut me pakicë, pra te përdoruesit fundorë, por e kam fjalën për ndërhyrjet që duhen bërë tek përshtatja e çmimeve të përdorura ndërmjet operatorëve, në një mënyrë më të ndershme dhe sipas standardeve ndërkombëtare
5- Cilat janë pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit, për telefoninë celulare dhe atë fikse?
Për pjesën e mbetur të vitit nuk kemi pritshmëri të mëdha për telefoninë fikse, por në përdorimin e internetit ADSL kemi një rritje konstante dhe presim që kjo rritje të vazhdojë, dhe për këtë nuk kemi asnjë dyshim. Për sa i përket telefonisë mobile kemi kapur një trend shumë të mirë, veçanërisht këto tre muajt e fundit. Presim që të ketë rritje në ritmin e këtij trendi, sepse as në marketing as në shërbimet që ofrojmë, nuk po ndalim shpejtësinë e rritjes.
6- Cilat janë disa nga shërbimet e reja që prisni të hidhni në treg për të dy segmentet
Shërbimi më i rëndësishëm që planifikojmë të ofrojmë shumë shpejt është shërbimi IPTV i televizionit dhe jemi duke përfunduar strukturën për këtë shërbim. Në një të ardhme të afërt do ta prezantojmë këtë shërbim. Ne po vazhdojmë takimet me firmat e brendshme dhe të jashtme për t’ua ofruar këtë shërbim klientëve tanë. Nëpërmjet rrjetit të fuqishëm të ALBtelecom, do të kemi mundësinë që t’u japim klientëve tanë një përvojë të paparë ndonjëherë për sa i përket shërbimit të televizionit interaktiv.
7- Çfarë do të ndryshojë nën drejtimin e menaxherit të ri?
Fokusi i punës së ALBtelecom ka në qendër vetëm një element kryesor: klientin dhe padyshim kënaqësinë e tij. Punën tonë e mbështesim/ndërtojmë mbi idenë se “askush nuk mund të bëjë më shumë për përdoruesit se sa ALBtelecom. Dhe këtë, ne nuk e bëjmë vetëm për të dalë në plan të parë në aspektin e konkurrencës. Shumë përtej kësaj, ne mendojmë se për kompaninë tonë dhe për të ardhmen e saj mbi të gjitha është e rëndësishme se çfarë mendojnë klientët tanë për ne. Është e nevojshme që të gjithë konsumatorët shqiptarë ta përdorin, ta pëlqejnë dhe ta përvetësojnë mirë çdo produkt tonin. Këto produkte kanë të bëjnë me komunikimin dhe kjo i bën lehtësisht të dallueshëm dhe në mënyrë të qartë nga çdo produkt apo shërbim tjetër që përdoret në treg. Ne, me gamën e shërbimeve në fushën e telekomunikacionit, jemi ndihmës dhe mbështetës të çdo aktiviteti pune që njerëzit kryejnë, sepse kurrkush nuk dëshiron shërbim për të komunikuar me vetveten, por për të komunikuar me të tjerët, për të bashkëpunuar me të tjerët. E si rrjedhojë, për të gjithë shqiptarët ne i kemi krahët hapur me shumë dashuri dhe simpati dhe ecim me parimin se klienti ynë është shkaku ynë i ekzistencës si kompani. Kjo është filozofia jonë. Duke mbajtur nën vëzhgim të kujdesshëm ankesat e çdo abonenti aktual dhe duke organizuar vazhdimisht analiza e studime/anketime të vazhdueshme, ne përpiqemi jo vetëm që të përmbushim me besim të plotë pritshmëritë e klientëve tanë, por edhe të krijojmë modele mbi këto zgjidhje dhe besim në sukses. Nëse s’do të ecnin mbi këtë parim, kompanitë që janë në konkurrencë në një treg të lirë është e pamundur të mbijetojnë. Ne vazhdojmë rrugën tonë me hapa të sigurt drejt përvetësimit të këtij mentaliteti në të gjitha nivelet dhe strukturat e kompanisë. Askush nuk ka bërë dhe nuk do të mund të bëjë më shumë se ALBtelecom në të mirë të klientit, sepse çdo ditë, ne vijmë në punë me këtë ndjenjë, me këtë motivacion.
Drejtori i ri i Albtelecom dhe Eagle Mobile
Z.Erkan Tabak është Drejtor i Përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile që prej muajit Janar 2013. Ka lindur në Turqi, më 29 Nëntor 1971 dhe është arsimuar në vendin e lindjes. Mban gradën doktor i shkencave, marrë në vitin 1998, në fushën e Administrim-Biznesit. Ai vjen në Shqipëri (pas shumë eksperiencash të tjera, brenda dhe jashtë Turqisë) me një përvojë të gjatë, 15-vjeçare, në fushën e telekomunikacioneve, shitjeve me pakicë, tekstileve dhe industrisë së prodhimit e përpunimit të hekurit dhe financës.
Eksperienca e vazhdueshme në fushën e financës dhe administrimit e ka bërë Z.Tabak një profesionist të niveleve më të larta, brenda dhe jashtë vendit të origjinës.
Telekomunikacionet, tregu rritet 0.5% në tremujorin e parë
Kompanitë po tentojnë të bëhen më eficiente, ulen të punësuarit por shtohen pagat
Sipas të dhënave nga INSTAT, shifra e afarizimit në vlerë në tregun e telekomunikacioneve është rritur me 0.5% me bazë vjetore në tremujorin e parë të vitit, duke ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes në raport me dy tremujorët e mëparshëm, kur u panë norma dyshifrore zgjerimi. Pas një rënieje të vazhdueshme që nga 2010-a, tregu përmirësoi ritmet e rritjes në 2012-n, por që erdhi në pjesën më të madhe si rrjedhojë e ndryshimit të çmimit të “terminimit” të thirrjeve ndërkombëtare, i cili mbahet në nivele rreth 20 cent për minutë nga rreth 6 cent për minutë që ishte përpara liberalizimit (mars 2012). Tashmë ai duket se po i rikthehet ritmeve normale të rritjes. Në një treg në maturim, kompanitë e telekomunikacionit po përpiqen që të bëhen më eficiente. Sipas të dhënave të INSTAT rezulton se numri i të punësuarve shënoi një rënie me 13% me bazë vjetore në tremujorin e parë , tkurrja më e madhe kjo që ka parë ndonjëherë ky sektor. Por nga ana tjetër, punonjësit e mbetur kanë parë të ardhura më të larta. Pagat janë rritur me 19.5% me bazë vjetore, zgjerimi më i madh që nga tremujori i parë 2011, kur hyrja në treg e operatorit të katërt shtoi konkurrencën për punonjës.
Tregu në 2012-n
Sipas vlerësimeve të Monitor, nisur nga informacione nga burime të ndryshme, katër kompanitë celulare gjeneruan shitje prej rreth 42.3 miliardë lekë përgjatë 2012-s, ose 3.7 miliardë lekë më tepër se viti 2011.
Numri i përdoruesve u rrit me 7 për qind dhe i bisedave me 17 për qind, por efektin kryesor në zgjerimin e tregut e dha ndryshimi i çmimit të “terminimit” të thirrjeve ndërkombëtare .
Pavarësisht konkurrencës, kompania “Vodafone” konfirmon dominimin në treg, ku nga 46.8 për qind të totalit të tregut sipas të ardhurave në 2010-n, në 2012-n pesha e saj është rritur në 54.7 për qind. AMC zë 31.6 për qind të tregut, nga 40.7 për qind në 2010.
Kompania, e cila hyri e treta në treg, “Eagle Mobile” zë 9.4 për qind të tregut në fund të 2012-s, nga 12.5 për qind të vitit 2010.
Kompania PLUS hyri në vitin e dytë të plotë të operimit në treg, ndërsa pesha e saj në sektor, sipas të ardhurave, arriti në 4.3% në fund të 2012-s.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.