Kthesa e Plus

30/09/2014 9:47 AM 0 komente

Kur filluan aktivitetin, në qershor të vitit 2009, drejtuesit e Plus Communication e dinin që nuk do ta kishin të lehtë. Konkurrenca në tregun e telefonisë celulare ishte ashpërsuar pas hyrjes së operatorit të tretë, Eagle Mobile, duke lënë pak hapësirë për të katërtin. Kriza, nga ana e saj, po bënte të vetën, duke reduktuar fuqinë blerëse të konsumatorëve. Situata u ndërlikua edhe më tej, pas mureve që krijuan operatorët e mëdhenj, që nisën të ofronin tarifa shumë të lira brenda rrjetit, duke “larguar” klientët nga të vegjlit. Burokracitë në marrjen e licencës 3G iu shtuan vonesave në ndërhyrjet e autoriteteve rregullatore për zgjidhjen e problemeve të krijuara nga pozita dominuese në treg e aktorëve të mëdhenj.

Por, 2014-a, duket se po sjell një kthesë në aktivitetin e operatorit të vetëm me kapital shqiptar. Agresiviteti në tarifa po sjell rritje të klientëve, kompania sapo mori dy frekuenca shtesë, që do t’i mundësojnë ofrimin e shërbimit 3G, teksa në fund të vitit do të hyjë në fuqi vendimi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për rregullimin e tarifave.

Drejtuesit e Plus janë entuziastë se më e keqja ka kaluar. Znj. Matilda Shehu, Drejtore Ekzekutive në Detyrë e Plus Communication, pohon në një intervistë për Monitor se kompania ka arritur tashmë të dalë me EBITDA (fitimi para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) pozitive, ndërsa rritja pritet të bëhet më e qëndrueshme në të ardhmen.

Intervista

Po rritemi, mes një “lufte të ashpër”

Flet Znj. Matilda Shehu, Drejtore Ekzekutive në Detyrë e Plus Communication

Si ka qenë ecuria e kompanisë në 8 muajt e këtij viti?

Në një treg realisht dinamik për fushën në të cilën operojmë, ku mund të themi se ka një “luftë të ashpër” sa u përket ofertave apo produkteve që ofrohen, na vjen mirë të konstatojmë që PLUS ka një rritje të vazhdueshme për periudhën janar-gusht 2014, kryesisht në segmentin me parapagesë.

Kemi pasur një rritje të rimbushjeve (recharge prepaid) rreth 14% nga 2013 në 2014, për të njëjtën periudhë janar–gusht, ndërkohë që ajo çka na gëzon më shumë është fakti që kemi një rritje të klientëve aktivë prepaid me 47% për të njëjtën periudhë nga 2013 në 2014, çfarë do të thotë që abonentët bëhen pjesë e PLUS për të qëndruar në vazhdimësi në rrjetin tonë, e jo thjesht për të përfituar nga oferta apo promocione të momentit.

Cilat kanë qenë arsyet kryesore të rritjes në një treg ku konkurrenca është shumë e lartë dhe fuqia blerëse po vjen në rënie?

Me bindje të plotë them që arsyeja e parë është puna e palodhur e një stafi mëse të dedikuar e të përkushtuar për të dhënë më të mirën për kompaninë, për abonentët e rrjedhimisht edhe për stabilitetin e tyre, me qëllimin e ecjes përpara të kompanisë, në të cilën ata besojnë. Stafi 100% shqiptar, specialistë të niveleve më të larta të fushës, ka qenë gjithmonë, nje ndër asesetet më të mëdha të PLUS.

Më tej, arsyeja e dytë për këtë rritje është fakti që aktualisht ofrojmë tarifat më të mira në treg, si për abonentët me parapagesë, ashtu edhe për ata me kontratë. Kjo na konfirmohet shpesh edhe nga vetë abonentët tanë në komunikimet që kemi me ta nëpërmjet Shërbimit të Kujdesit për Klientin, në pikat e ndryshme të shitjes së rrjetit Plus, apo edhe në kanalet e ndryshme online të Plus.

Lidhur me këtë pyetje, dëshiroj të theksoj që sapo mbyllëm një sezon veror të suksesshëm, ku krahas “Shorteut Veror PLUS” që ishte një projekt shumë pozitiv për mënyrën se si Plus shpërbleu abonentët e tij, prezantuam edhe një grup paketash shumë të larmishme e të përshtatshme për nevojat e komunikimit të konsumatorëve si Paketat Super PLUS, Paketa PLUS Planet, etj.

Një arsye tjetër është ndoshta fakti që konsumatorët shqiptarë po ndërgjegjësohen lidhur me të vetmin operator telefonik shqiptar në treg, i cili normalisht çdo të ardhur apo fitim, do ta riinvestojë në vendin tonë.

Cilat janë pritshmëritë tuaja deri në fund të vitit?

Pritshmëritë dhe synimi ynë në vazhdim, deri në fund të këtij viti, është që të dalim me rezultat EBITDA (fitimi para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) pozitiv, pra rezultate financiare pozitive, të cilat ia kemi dalë t’i arrijmë deri diku sporadikisht gjatë kësaj kohe, por këtej e tutje po punojmë që këto rezultate të jenë konstante dhe pse jo të vijnë duke u rritur.

Ju morët së fundmi dy frekuenca shtesë që do t’ju mundësojnë ofrimin e shërbimit 3G. Çfarë vlere të shtuar do t’i japë kjo kompanisë suaj dhe si pritet të përkthehet kjo në numër klientësh dhe të ardhura?

Procesi për marrjen e autorizimit për ofrimin e shërbimit 3G ka qenë i gjatë, i shumëndjekur e i shumëpritur për PLUS. Ka qenë koha më e gjatë e pritjes për dhënien e një autorizimi për këtë shërbim, nga një operator te tjetri, duke marrë parasysh afatet pas të cilave e kanë marrë këtë autorizim operatorët e tjerë në treg. Kjo mungesë ka qenë një barrierë e madhe për PLUS, në kuadër të një konkurrence të drejtë e të barabartë, gjithmonë lidhur me nivelin e shërbimeve të krahasuara me atë të konkurrentëve, sa i përket shërbimit të internetit. Pavarësisht se në shumë shërbime të tjera mund të qëndrojmë më lart se operatorët e tjerë, në ditët e sotme, kur gjithçka ecën me ritme shumë të shpejta të teknologjisë dhe interneti është ndër shërbimet më të përdorura të njerëzve, mosdhënia në kohë e autorizimit për shërbimin 3G, ka qenë një penalitet i parikuperueshëm për ne. Normalisht tashmë jemi shumë pranë ofrimit të këtij shërbimi dhe jemi të sigurt që kjo do të sjellë një rritje të madhe të numrit të klientëve e rrjedhimisht edhe të të ardhurave për Plus, pasi siç e përmenda më sipër, në shumë aspekte të tjera produktesh, shërbimesh të ofruara dhe nivel jashtëzakonisht të lartë sinjali, Plus, vjen me cilësi maksimale në treg.

Në fund të vitit do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të AKEP. Si pritet të ndikojë kjo ndërhyrje në shtimin e konkurrencës në treg. Cilat kanë qenë pasojat në tregun e telefonisë celulare të efektit club që ka mbizotëruar vitet e fundit?

Ky është një hap tjetër i shumëkërkuar dhe i shumëpritur për Plus.

Në vendin tonë, operatorët e mëdhenj kanë ndjekur strategjinë e krijimit të grupeve, duke përfshirë një sasi shumë të madhe minutash brenda rrjetit për të penguar rritjen e operatorit më të ri në treg. Nëse iu referohemi shifrave, për një kohë të gjatë, thirrjet brenda rrjetit kanë përbërë 95-97% të totalit të thirrjeve dalëse për operatorët AMC dhe Vodafone, e kjo tendencë vijon edhe kohët e fundit nëpërmjet përdorimit të madh të paketave tarifore, me tarifa shumë të ulëta për thirrjet brenda grupeve të mbyllura brenda rrjetit. Aktualisht, vetëm 3% e thirrjeve të origjinuara nga pajtimtarët Vodafone dhe 5% e thirrjeve të origjinuara nga pajtimtarët e AMC janë off-net (jashtë rrjetit), ku një pjesë shumë e vogël e këtyre thirrjeve drejtohen në rrjetin PLUS.

Siç është gjerësisht e pranuar edhe në praktika ndërkombëtare, diferencat në tarifat on-net/off-net (brenda dhe jashtë rrjetit), kur aplikohen nga operatorë dominantë, pra me pjesë të madhe tregu, i bëjnë rrjetet e mëdha më tërheqëse se rrjetet e vogla për konsumatorët me kushtin që të komunikojnë vetëm me njëri-tjetrin brenda grupit, duke vendosur kështu operatorët e vegjël në një situatë të pafavorshme në treg, në presion për t’i nxjerrë ata nga tregu. Këto të dhëna për operatorët dominantë në Shqipëri përbëjnë një rast të paprecedentë e unik në botë. Ky nuk është thjesht një konstatim i Plus, por tashmë është shpallur publikisht si nga Vendimi 303, datë 16.1.2014 i Autoritetit të Konkurrencës për “Hetimin e thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë ndaj ndërmarrjes ‘Vodafone Albania’ SHA dhe rekomandime për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare”, ashtu edhe nga dokumenti i Analizës së Tregut që AKEP e ka në proces konsultimi publik.

Tarifat e reja që pritet të hyjnë në fuqi janë një masë e domosdoshme, që më në fund ky treg të “zhbllokohet”, konkurrenca të jetë e drejtë dhe e ndershme, e mbi të gjitha, konsumatori shqiptar të këtë lirinë e zgjedhjes për rrjetin që dëshiron, në bazë të nevojave të komunikimit që ka. Tregu i telefonisë celulare është një treg i rregulluar dhe funksionon në mënyrë korrekte, vetëm nëse masat rregullatore janë të drejta, të sakta dhe jodiskriminuese.

Vetë AKEP në dokumentin e analizës së tregut arrin në konkluzionin se tregu nuk ka qenë i rregulluar në mënyrë të drejtë dhe kjo deduktohet nga fakti se më në fund do të ndërhyjë me masa rregullatore eficiente. Ky rregullim është detyrim ligjor që AKEP duhet ta kishte bërë prej disa vitesh tashmë dhe që duhet ta bëjë pa humbur më asnjë ditë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of