Performanca e fondeve të investimit në lekë po vijon të përmirësohet.
Sipas të dhënave nga shoqëritë administruese, shumica e fondeve janë kthyer në territor pozitiv për sa i takon kthimit vjetor nga investimi.
Për muajin korrik, fondi më i madh i investimeve në lekë, Raiffeisen Prestigj, raportoi një kthim vjetor pozitiv në masën 3.56%, ndërkohë që e pati mbyllur vitin 2022 me një kthim negativ në masën 4.07%.
Edhe fondi tjetër i shoqërisë Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, raporton kthim vjetor pozitiv, në masën 5.35%, ndërkohë që e kishte mbyllur vitin 2022 me humbje vjetore në masën 8.82%.
Fondi i investimit në Lekë i ABI Invest, ABI EIA, sipas të dhënave më të fundit nga shoqëria administruese, ofron një kthim vjetor në masën 4.75%, në rritje të ndjeshme nga niveli prej -0.79% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Fondi Albsig Standard, sipas të dhënave më të fundit, raportorton një kthim 2.91%, në përmirësim të ndjeshëm nga niveli -7.11% ku pati mbyllur vitin 2022.
Fondi Credins Premium ngelet në territor kthim vjetor negativ, me -2.43%, por në përmirësim të dukshëm nga niveli -6.77% i fundit të vitit të kaluar.
Vlera e tregut e instrumenteve financiarë të borxhit lëviz në drejtim të kundërt me ecurinë e yield-eve në tregun primar. Vitin e kaluar, rritja e shpejtë e yield-eve solli rënien e vlerës së portofoleve financiarë të fondeve dhe rrjedhimisht uljen e ndjeshme të kthimeve nga investimi për anëtarët.
Kjo bëri që shumë prej tyre të dilnin nga fondet, të joshur edhe nga mundësia për të investuar direkt në tregun primar të bonove të thesarit. Kjo situatë bëri që në harkun e një viti fondet e investimit të tkurreshin me rreth 34 miliardë lekë ose pothuajse 300 milionë euro asete.
Por, këtë vit, situata e tregut është përmirësuar.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në tremujorin e parë 2023 asetet neto të këtyre fondeve arritën në afërsisht 42 miliardë lekë, në rritje me 1.3% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Kjo ishte rritja e parë e aseteve të këtij tregu, pas katër tremujorësh radhazi në rënie, ndërsa vlerësohet se rritja ka vazhduar edhe në tremujorin e dytë, megjithëse të dhënat nuk ajnë ende të disponueshme.
Fondet e investimit në lekë i kanë përqendruar investimet e tyre sidomos në obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në bono thesari dhe mjete likuide (llogari bankare). Fondet në valutë kanë një spektër më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë insturmentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare.
Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg ngelet e ulët. Në treg gjatë tremujorit të parë ishin aktive 11 fonde investimi, të administruara nga pesë shoqëri të ndryshme administruese.
Tregu dominohet nga fondet në monedhën vendase, që përbëjnë pothuajse 90% të vlerës neto të aktiveve të fondeve. Me shoqërive administruese, Raiffeisen Invest administron 95% të vlerës së aseteve neto të tregut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.