Vitin e kaluar, pandemia kufizoi pjesërisht lëvizjen, duke sjellë si efekt anësor një numër më të vogël aksidentesh dhe më pak dëme të paguara nga shoqëritë e sigurimit.
Këtë vit, kthimi në normalitet ka sjellë një rritje të aksidenteve me 20% krahasuar me një vit më parë dhe, menjëherë, edhe një rritje të fortë të dëmeve të paguar nga siguruesit.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për tetë muajt e parë të vitit kompanitë e sigurimit të jo-jetës kanë paguar 2.15 miliardë lekë dëme në klasat e përgjegjësive motorike ndaj palëve të treta. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dëmet në sigurimet e detyrueshme motorike janë rritur me gati 43% dhe përbëjnë më shumë se gjysmën e dëmeve totale të paguara nga kompanitë e sigurimeve.
Dëmet këtë vit kanë kaluar ndjeshëm edhe nivelet e shënuara në vitin 2019, me pothuajse 16% më shumë. Sigurimet e detyrueshme motorike historikisht kanë dominuar strukturën e dëmeve në sigurime, ashtu si edhe atë të primeve.
Përjashtim bëri vetëm viti i kaluar. Kjo erdhi sidomos për shkak të rritjes së dëmeve në sigurimet e pronës, të lidhura direkt me tërmetin e nëntorit 2019, por pjesërisht edhe për shkak të më pak dëmeve të ndodhura në sigurimet motorike, veçanërisht në periudhën e kufizimeve drastike të lëvizjes së mjeteve. Këtë vit, edhe ky parametër i është kthyer normalitetit.
Deri tani gjatë këtij viti, kompanitë e sigurimeve kanë paguar gjithsej 4.6 miliardë lekë dëme. Krahasuar me një vit më parë, dëmet kanë pësuar rënie me 7.2%, por kjo i detyrohet efektit të përkohshëm të tërmetit në vlerën e dëmeve. Krahasuar me vitin 2019, edhe dëmet totale janë në rritje me 17.2%. Dëmet janë rritur në pothuajse të gjitha klasat, duke përjashtuar sigurimin e katastrofave. Rritja të lartë kanë shënuar dëmet në klasën e sigurimit të shëndetit, me 32% dhe në sigurimin e aksidenteve në udhëtim, me 30% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Por, ritmet më të larta të rritjes së dëmeve po regjistrohen në tregun e sigurimit të jetës, me 58% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlerësohet se rritja e dëmeve në këtë treg është në masë të madhe e lidhur me pandeminë dhe shtimin e numrit të vdekjeve. Pjesa dërrmuese e dëmeve janë paguar në klasën e sigurimit të debitorit, që është edhe produkti kryesor i tregut të sigurimit të jetës në Shqipëri.
Ky produkt siguron banat dhe institucionet financiare në rastin e humbjes së jetës së debitorit. Dëmet në këtë klasë janë rritur këtë vit me 142%, çka tregon se pandemia ka shkaktuar rritje në jetët e humbura edhe mes huamarrësve të sektorit financiar. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.