Kthimi nga fondet e investimit pësoi rënie gjatë vitit 2020

15/03/2021 10:00 AM 0 komente

Normat e kthimit të fondeve të investimit në lekë pësuan një rënie të ndjeshme gjatë vitit të kaluar.

Sipas informacionit të publikuara nga shoqëritë administruese të fondeve, kthimi i fondit më të madh, Raiffeisen Prestigj, për vitin 2020 ra në 0.83%, nga 1.92% që kishte qenë një vit më parë. Ndërkohë, mbështetur në të dhënat më të fundit, ato të muajit shkurt, kthimi nga shënuar një përmirësim të lehtë në 0.87%.

Edhe për fondin tjetër në lekë të Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, kthimi vjetor në 2020 ra në 1.72%, nga 3.86% që kishte qenë për vitin 2019. Në fund të muajit shkurt, kthimi i këtij fondi rezultonte në rënie të mëtejshme, në nivelin 1.6%.

Fondi Credins Premium në fund të shkurtit raportonte një kthim nga investimit në nivelin 1.33%. Edhe për këtë fond kthimet janë në rënie të ndjeshme, po të kemi parasysh se në vitin 2019 ky tregues kishte qenë 5.18%.

Ecuria e vitit 2020 i ka bërë fondet e investimit më pak joshëse, po të kemi parasysh se kthimet tashmë janë shumë afër nivelit të depozitave në lekë. Në fund të muajit shtator 2020, tregu i fondeve të investimeve kishte një vlerë neto të aseteve prej rreth 67 miliardë lekësh ose 540 milionë eurove. Vlera e aseteve neto ngeli pothuajse e pandryshuar që nga fillimi i vitit, ndikuar pjesërisht edhe nga kriza ekonomike e lidhur me pandeminë. Numri i anëtarëve të fondeve ka rënë në më pak se 30 mijë, nga mbi 34 mijë që ishte pesë vjet më parë. Aktualisht, në Shqipëri veprojnë nëntë fonde investimi të licencuara, nga të cilët katër u licencuan vetëm vitin e kaluar.

Prej disa vitesh, tregu duket se ka arritur një fazë ngopjeje dhe nuk po arrin më rritje domethënëse të vlerës së aseteve apo bazës së investitorëve. Rënia e kthimeve nga investimi duket të jetë një faktor që e ka kufizuar rritjen e mëtejshme. Të paktën në monedhën vendase, tregu nuk ofron alternativa të tjera investimi, veç bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare.

Mungesa e një tregu të kapitalit është faktor që e pengon diversifikimin e portofolit të investimit dhe nuk lejon sigurimin e kthimeve më tërheqëse për investitorët. Listimi në bursë i shoqërive aksionare për të tregtuar titujt e tyre të borxhit ose të kapitalit, do të zgjeronte spektrin e instrumenteve financiarë në treg, duke sjellë edhe potenciale të mëtejshme rritjeje për fondet e investimit./ E.Shehu

Burimi: Raiffeisen Invest

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of