Në rajonin e Ballkanit dhe sidomos në Serbi e Shqipëri, prej thuajse një vit vërehen publikime, marketing dhe propagandim intensiv i aftësive të dronëve për qëllime ushtarake dhe të sigurisë shtetërore. Bëhet fjalë për dronë specifikë, të prodhuar në Kinë dhe Turqi.
Dhe nuk bëhet fjalë për dronë të përdorimit civil, por për dronë me kapacitet luftarak. Serbia është më specifike kur promovon dronët e tipit CH-92A Attack të prodhimit kinez, si pjesë e arsenalit ushtarak. Qëllimi është më se i qartë. Shqipëria, nga ana tjetër, si anëtare e NATO-s, falë edhe marrëdhënieve shumë të mira, i është drejtuar Turqisë.
Propaganda mediatike dhe sukseset “spektakolare” të ushtrisë dhe policisë turke në eliminimin e terroristëve apo kapitullimi i trupave armene në konfliktin e fundit me Azerbajxhanin, me dronët e tipit Bayraktar TB-2 dhe modele të tjera më të vegjël, kanë ndikuar dukshëm që disa vende si Polonia, Ukraina, Shqipëria, Azerbajxhani, Katari, Libia etj., të blejnë këto sisteme fluturimi pa pilot. Shqipëria raportohet se ka blerë edhe sisteme turke anti-dronë, që mundësojnë detektimin dhe “çorientimin” e dromëve, duke ndërhyrë në sistemin e tyre të navigacionit.
Jam i prirë ta pranoj se kjo blerje është bërë me miratimin edhe të anëtarëve të tjerë të NATO-s dhe sidomos me miratimin e partnerit më strategjik të Shqipërisë, SHBA-në.
Çdo shtet e ka të domosdoshëm të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe ato teknike për të ruajtur integritetin dhe sigurinë e territorit të vendit. Është fakt pozitiv, që edhe Shqipëria me anëtarësimin në NATO, e ka rishikuar prioritetin e sigurisë kombëtare.
Por, sidoqoftë, blerje armatimesh strategjike dhe të kushtueshme, siç janë edhe dronët turk, për të cilët po deklarohet me krenari kohët e fundit, qëllimi i të cilave nuk është kompatibël me mundësitë teknike, ngrenë shumë pyetje të natyrës ligjore, të përdorimit të tyre, por edhe teknike dhe financiare.
Së pari, deklarimi që këta dronë do të kontrollojnë territorin dhe sipas një deklarate zyrtare “mundësinë e përdorimit të këtyre pajisjeve edhe në Shqipëri, për qëllime civile e urbane të kontrollit dhe mbrojtjes së territorit”, është në kontradiktë me blerësin dhe përdoruesin e dronëve.
Ato janë blerë në emër të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndoshta e justifikueshme për një miratim të shpejtë të buxhetit, por do të përdoren nga Ministria e Rendit. Nuk është e qartë nëse këto pajisje do t’i jepen me qira nga blerësi përdoruesit, apo është thjesht një zgjidhje “elegante” buxhetesh. Me siguri, ekspertë të fushës së prokurimit publik do të thonë fjalën e tyre. Po ashtu nuk dihet se cili do ta ketë know-how-n dhe komandën e operimit të këtyre dronëve.
Së dyti, deklarohet, që këta dronë do të përdoren për mbledhjen e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, rendin publik e shumë argumente që me siguri janë ofruar nga shitësi turk gjatë bisedave dhe prezantimeve. Për shumë nga shërbimet e lartpërmendura, ka mjaftueshëm zgjidhje teknike më efikase dhe më pak të kushtueshme.
Përfshi këtu kamera të sofistikuara që janë pjesë e shumë dronëve për përdorim civil. Rendi publik, është një argument shumë i turbullt, pasi nuk është e qartë se cili do të jetë kontributi në “real time”, siç pretendohet në rast të rrezikshmërisë që mund të ketë jeta e qytetarëve. Marrim një shembull të trumbetuar nga blerësi, që me këta dronë të sofistikuar do të monitorohen aksidentet rrugore. Asnjë vendi, deri tani, nuk i ka shkuar në mendje të monitorojë dhe parandalojë aksidentet rrugore me dronë.
E aq më pak me dronë luftarakë. Ndoshta vetëm në situata lufte dhe terrorizmi, kur automjetet e keqbërësve eliminohen me një raketë nga droni. Por dyshoj dhe shpresoj të mos ndodhë, që ky skenar të paraqitet në Shqipëri. Problemi aktual i trafikut rrugor në Shqipëri është efikasiteti i Policisë Rrugore dhe ai i Gjyqësorit. Policia Erugore dhe ajo në përgjithësi mund të përdorë dronë për përdorim civil me rezultate shumë të mira në situata të veçanta. Por nuk do të ketë ndonjë përmirësim në detyrat e saj për të parandaluar aksidentet dhe shkeljet e rregullave të Kodit Rrugor.
Ndoshta dronët modernë të blerë nga Turqia do të mund të vëzhgojnë 24 orë pa pushim trafikun shqiptar dhe mund edhe të fotografojnë targat, tipin e automjetit dhe vozitësit. Por se çfarë mund të bëhet me këto të dhëna në aspektin ligjor, kjo është një pikëpyetje e madhe.
Ku do të mblidhen këto të dhëna dhe kush do t’i përdorë? Do të presim proceset e para civile ku, si material prove, do të paraqiten filmime nga dronët e lartpërmendur. Ky shembull dhe mbledhja e shumë të dhënave të tjera, do të jenë, shumë shpejt, tema debati nga juristë, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe nga grupe të ndryshme interesi, përfshi edhe opozitën.
Së treti, çështje delikate është kapaciteti teknik i ekipeve shqiptare që do të operojnë këta dronë. Ndoshta në fillim do të jenë specialistët turq ata që do ta marrin këtë detyrë. Shpresoj që pala shqiptare të jetë konsultuar mirë edhe për këto shpenzime financiare dhe sekreti shtetëror.
Policia e Shtetit e ka më se të domosdoshme të përfshijë në flotën e saj edhe dronët. Por dronë për përdorim civil, të përballueshëm financiarisht, të blerë me transparencë dhe tender publik dhe të përdorshëm nga forcat e policisë. Duhet të ketë një vizion dhe program të qartë se për cilat aspekte të sigurisë do të përdoren dronët. Nga kjo varet edhe vendimi se cili dron është më i përshtatshëm për cilin operacion. Këtu bën pjesë edhe trajnimi i veçantë e operatorit të dronëve.
Vendimi për shfrytëzimin e të gjitha mundësive teknologjike për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve dhe territorit të Republikës është i domosdoshëm dhe detyrë e çdo qeverie. Se çfarë teknologjie, me çfarë synimi, me çfarë kostosh dhe sa efikase është për atë qëllim që është blerë, kjo e dallon një qeveri transparente nga një qeveri që është vetë zot, vetë shkop.
Ka ardhur koha që për tematika të tilla të përmendura në këtë shkrim, të krijohen ligjet dhe strukturat profesionale për të bërë sa më transparente këto lloj projektesh, kur bëhet fjalë për të mirën e gjithë popullit dhe është më se e nevojshme që, në këto debate, të informohen me profesionalizëm dhe të përfshihet në debat edhe opinioni publik. Ashtu si në demokracitë funksionale.
*Adrian Haxhiaj
Konsulent në fushën e telekomunikacionit dhe dronëve
Anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Dronëve
Anëtar dhe bashkëpunëtor i Shoqatës së UAS në Gjermani UAVDACH (www.uavdach.org).
Anëtar i shoqatës më të madhe në SHBA, AUVSI (www.auvsi.org)
Anëtar i shoqatës CIVATAGLOBAL e përkushtuar në fushën e UAM (Urban Air Mobility) https://www.civataglobal.org/