Të dish sot se cilat janë tregjet në të cilat ia vlen të investosh për të marrë rezultate sa më të mira në dhjetë vitet e ardhshme është vërtet e vështirë. “Sunday Telegraph” e provoi dhe lexoni se çfarë zbuloi…
Në studim, londinezja “Sunday Telegraph” vendosi në lidhje koston e aksioneve të kompanive të ndryshme dhe qëndrueshmërinë e tyre. Përdorimi i kësaj përllogaritjeje justifikohet me faktin se në vendet ku aksionet rezultojnë veçanërisht ekonomike është e mundur që investitorët të vendosin që të zhvendosin kapitalet e tyre, me shpresën se do të shohin në rritje fitimet. “Sunday Telegraph” ndërtoi një tabelë me 55 vende të ndryshme, që i klasifikoi sipas potencialit për rritjen e aksioneve.
U përllogarit sesa të “lira” janë çmimet e aksioneve në atë treg, krahasuar me forcën e vërtetë të biznesit. E thënë më thjeshtë: sa më të lira të jenë çmimet e aksioneve sot, aq më e madhe është tendenca e investitorëve që “luajnë” të arrijnë fitime të larta. Studimi mori në shqyrtim kombinimin e tre elementëve bazë të “vlerës” që përdorin investitorët profesionistë dhe zbuloi se tregjet më të lira janë: Rusia, Hungaria, Turqia, Austria dhe Italia. Menjëherë ndjekin renditjen: Brazili, Koreja e Jugut, Republika Çeke dhe Kina. Ndërsa tregjet më të “këqija” u vlerësuan Filipinet, Danimarka, Meksika dhe SHBA-ja.
Është logjike që një pjesë e këtyre tregjeve të jenë të lira pasi janë në mes të trazirave ekonomike dhe në këtë rast, investitorët janë të detyruar të presin dekada për “shërimin”. Studimi tregon më shumë mundësitë për të realizuar fitime sesa të ofrojë siguri. Por, tani për tani, pyetja kryesore është: cili prej tregjeve më të lira përbën me të vërtetë një investim të mirë dhe si mund të përfitojnë investitorët?
Tom Becket, i cili është i specializuar në mbledhjen e fondeve të investimeve për kompaninë “Psigma Investment Management”, thotë se studimi nxjerr në pah tregjet që kanë dalë në sipërfaqe për kursimtarët afatgjatë në të ashtuquajturat tregjet në zhvillim.
Rusia renditet si tregu më i lirë. Brazili dhe Kina gjithashtu bëjnë pjesë në dhjetëshen më të mirë. Rezultatet reflektojnë pjesërisht trazirat në këto rajone, sidomos gjatë muajve të fundit. Normat në rënie të rritjes dhe rritja e deficiteve buxhetore kanë bërë që këto tregje të kenë një zhvillim më të ulët. Përveç kësaj, investitorët kanë tërhequr paratë nga jashtë dhe janë inkurajuar që të investojnë më shumë në nivel lokal në ekonominë e rilindur britanike dhe amerikane. Analistët paralajmëruan për fat të keq “shpartallim” të një prej këtyre tregjeve, siç ishte Argjentina, për shkak të kolapsit që pësoi monedha e saj. Turqia, India, Brazili dhe një varg ekonomish të tjera, më të reja, janë duke shtrënguar në mënyrë të detyruar politikat e tyre monetare, të cilat mund të kufizojnë rritjen.
Megjithatë, z. Becket thotë se këto situata mund të shkojnë në favor të investitorëve afatgjatë për çmimet me të cilat ata do të mund të blejnë. Ai thotë: “Tregjet e reja janë më të lirë nga sa kanë qenë ndonjëherë. Shumica e tregjeve aksionere në ekonomitë e zhvilluara, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe kanë lënë pas vitet e “bukura”, kështu që ata investitorë që do të duan të marrin fitime më të larta, duhet t’i kthejnë sytë dhe të blejnë në tregjet e reja”. Zoti Becket e vë theksin te kompania “Allianz Kinë” që vlen për ata investitorë që duan ekspozim të drejtpërdrejtë në Kinë, ndërsa sjellin në vëmendje edhe fondin “Mirabaud Global Emerging Markets”, si një alternativë të sigurt për ata që nuk duan të ndërmarrin rreziqe specifike, por duan të përfitojnë nga vlerësimet e lira. Një e treta e kapitalit të këtij fondi është në Kinë dhe Brazil. Por ekspertë të tjerë, duke përfshirë edhe Tom Stevenson të kompanisë “Fidelity” paralajmëron kursimtarët të veprojnë me kujdes. Ai thotë se disa vende ishin të lirë për një arsye: tregjet e tyre të aksioneve kishin kredenciale të varfra për investimet. “Rusia dhe Brazili varen shumë nga ecuria e ekonomisë së Kinës për shkak të vëllimit të lartë të naftës që eksportojnë atje. Pra, nëse mendoni se Kina në vitet e ardhshme do të bëhet më e pavarur ekonomikisht, atëherë është e udhës që të blini në Kinë dhe shmangni dy vendet e tjera.
Studimi mori në konsideratë tri masa vlerësimi: “çmimin e blerjes” (normën), tarifën normale për normën e fitimit, si dhe axhustimet ciklike (PE10Ratio/ norma është 24.42x),
Për shumë njerëz, këto terma nuk janë aspak familjare, ndërsa të tjerë diskutojnë se cila është më e mira. Duke lënë mënjanë diskutimet teknike, studimi me anë të pikëve që grumbulloi çdo vend në bazë të këtyre tre agregateve realizoi edhe klasifikimin. Në mënyrë që vendi të shfaqej në pjesën e sipërme të tabelës duhet të kishte një vlerësim të mirë të të tri vlerave.
Një pjesë e vendeve në zhvillim rezultuan shumë të shtrenjta, pavarësisht problemeve që kanë hasur vitet e fundit. Këtu përfshihen vende si Indonezia dhe India. Pra, investitorët duhet t’i trajtojnë tregjet e vendeve në zhvillim në mënyrë individuale dhe jo si një grup homogjen. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm faktin se duhet të zgjidhet një fond me një historik të mirë, në mënyrë që të mund të gjejë kompani të shkëlqyera në këto ekonomi. Si fonde të tilla përmendim: “First State Asia Pacific Leaders” dhe “Newton Emerging Income”. Trustet e suksesshme të investimeve përfshijnë: “Utilico Emerging Markets” dhe “JP Morgan Global Emerging Markets Income”.
Europa është një treg ku mund të gjenden me shumicë kompani me vlerë të shtuar. Kjo edhe falë krizës së euros, çështje e cila turbullon ende ekonomitë e vendeve periferike. Nivelet e larta të borxheve dhe masat shtrënguese që vazhdojnë të jenë në fuqi i kanë ulur ndjeshëm fitimet.
Vetëm pak kohë më parë, kriza u përhap edhe në tregjet në zhvillim të Europës Lindore, siç ishte rasti i Rumanisë që u detyrua të mbronte monedhën e saj, duke shkaktuar rritje të mprehtë të kostos së huamarrjes të Hungarisë. Këto probleme shtynë Italinë, Hungarinë, Turqinë dhe Austrinë në krye të klasifikimit. Kerry Craig, një ekspert i tregjeve botërore të “JP Morgan Asset Managment”, thotë se këto vende janë të lira për arsye të gabuara. “Ndërsa rimëkëmbja duket e vërtetë dhe e bazuar gjerësisht, në pjesën më të madhe të Europës, ajo mbetet e brishtë dhe e kërcënuar nga norma ende e lartë e papunësisë. Vlerat e lira jo domosdoshmërisht tregojnë një trend dhe investitorët nuk duhet të vetëkënaqen thjesht nga fakti se rritja ka lëvizur në territor pozitiv”.
Juliet Schooling Latter nga fondi “Chelsea Financial Services”, thotë se investitorët e zgjuar duhet të shikojnë me kujdes sërish fondet europuane. Më të “preferuarat” e saj janë: “Threadneedle European Select” dhe “Henderson European Growth”. Zonja Schooling Latter thekson se një numër i caktuar fondesh gjenden gjithashtu në listat e bursave më të lira të Europës. Ajo nënvizon emra, si: “Franklin European Opportunities” dhe “Argonaut European Alpha”, si dy fonde që po fitojnë terren në bursën italiane.
Tregje të tjera të lira që përbëjnë “top 10”, përfshijnë vende të Europës Qendrore dhe Perëndimore, të Lindjes së Mesme dhe Afrikës (“Ceemea”). Ekspertët thonë se investitorët duhet të bëjnë kujdes me këto tregje, derisa të qartësohen më shumë kredencialet për investimet afatgjata.
Fondet e specializuara në këto rajone janë: “Charlemagne Magna New Frontiers” dhe “Franklin Templeton Frontier Markets”. Ekspertët sugjerojnë fondin
“JM Finn Global Opportunities”, që ka një përvojë 15-vjeçare në Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe konsiderohet një alternativë e sigurt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.