Sipas një studimi të hartuar nga grupi bankar zviceran UBS, taksitë me tarifat më të larta gjenden pikërisht në metropolet kaliforniane, kur për të udhëtuar 5 kilometra kushton 25 dollarë (në Çikago 13, në Majami 15 dhe në Nju Jork 8).
Nëse shihet me kujdes klasifikimi i realizuar nga UBS ndeshesh edhe me surpriza.
Siç mund të merret lehtë me mend, taksitë kushtojnë pak në vendet që kanë të ardhura të ulëta, ku klient mund të jetë vetëm ndonjë turist i pasur.
Taksitë më ekonomike në botë janë ato egjiptiane, ku për 5 kilometra paguhet vetëm 1 dollarë e gjysmë.
Kërkojnë më pak se dy dollarë edhe taksistët në Indi, si në Delhi e Mumbai. Përgjithësisht në Azi shpenzohet pak: si në Hong Kong, Shangai, por edhe në Seul, ku çmimi mund të llogaritet deri në 4 dollarë. Përjashtim bën vetëm Japonia, ku për të udhëtuar 5 kilometra kushton 20 dollarë.
Në Europë, taksitë më ekonomike janë në Bullgari dhe kushtojnë 2 dollarë, një shifër që habit, duke qenë se në shtetet më të afërta paguhet më shumë: 9 dollarë në Stamboll, rreth 8 në Rumani, 5 e gjysmë në Athinë.
Ka edhe vende ku të marrësh një taksi është një luks që mund ta përballojnë vetëm pak njerëz (dhe ku justifikimi se nuk kisha para për ta paguar është i besueshëm).
Kjo vlen në radhë të parë për metropolet zvicerane. Në Zyrih dhe Gjenevë, për të përshkuar 5 kilometra, duhet të paguash rreth 30 dollarë. Në vend të tretë është Los Anxhelosi e më pas kryeqytetet skandinave. Si në Oslo, ashtu edhe në Stokholm, llogaritet në rreth 25 dollarë (ndërsa në Helsinki, ku kostoja e jetesës është e lartë, kushton rreth 12 dollarë).
Italia gjendet në brezin e mesëm. Roma dhe Milano janë dy qytete që janë marrë në vlerësim nga studimi dhe ku 5 kilometra me taksi kushtojnë 9 dollarë.