Ku ndryshojnë të pasurit

20/11/2012 2:09 PM 0 komente

Gruaja më e pasur në botë, Gina Rinehart, është duke “duruar” një stuhi mediatike mbi një artikull ku ajo shprehu “xhelozi” për klasën e mesme, e cila “pi, tymos dhe socializohet” në vend që të punojë për të fituar të ardhura. Po ku ndryshojnë në mendim, të pasurit nga njerëzit e tjerë. Steve Siebold, autor i librit “Si mendojnë njerëzit e pasur”, shpenzoi gati tri dekada, duke intervistuar milionerët në të gjithë botën, për të kuptuar se çfarë i dallon ata nga të tjerët. “Nuk ka të bëjë shumë me paranë në vetvete, por me mentalitetin”, thotë ai.

 

Njerëzit e shtresës së mesme mendojnë se paraja është rrënja e të gjitha të këqijave, ndërsa njerëzit e pasur mendojnë kështu për varfërinë.

“Njerëzve të shtresës së mesme iu është bërë ‘lavazh truri’ për të besuar se njerëzit e pasur janë me fat dhe jo të ndershëm.

Ja pse në vendet me të ardhura të pakta është ‘turp’ që të jesh i pasur. E gjithë bota e di se paraja nuk garanton lumturi, por e bën jetën më të lehtë dhe më të gëzuar”, thotë Siebold.

 

Njerëzit e shtresës së mesme mendojnë se egoizmi është një ves, të pasurit se është virtyt.

“Të pasurit dalin dhe përpiqen të ndihen të lumtur. Ata nuk pretendojnë të shpëtojnë botën. Problemi është se njerëzit e shtresës së mesme e shohin këtë si një gjë negative dhe kjo i bën ata që të ndihen të varfër. Nëse nuk kujdesesh për veten, atëherë nuk je në gjendje të ndihmosh njeri tjetër. Nuk mund të jepni, kur nuk keni”, thotë Steve Siebold.

 

Njerëzit e shtresës së mesme kanë mentalitet “lotarie”, të pasurit mentalitet veprimi.

“Ndërsa masa pret që të bien numrat e duhur dhe luten për begati, të pasurit zgjidhin probleme”, shkruan Siebold.

“Heroi (klasa e mesme) pret Zotin, qeverinë, bosin ose bashkëshortin/en. Kjo është një qasje e të menduarit dhe jetuarit të njerëzve të shtresës së mesme, por në këtë mënyrë, koha i mban larg ata”.

 

Njerëzit e shtresës së mesme mendojnë se rruga drejt pasurisë ka të bëjë me formimin arsimor, të pasurit besojnë te marrja e njohurive të veçanta.

“Shumë njerëz të shtresës së pasur kanë pasur edukim të cunguar, por ata kanë arritur të fitojnë pasuri, duke marrë njohuri specifike dhe më pas, duke i shitur ato”.

“Ndërsa masa është e bindur se rruga drejt pasurisë vjen përmes masterave dhe doktoraturave dhe kjo për faktin se ata janë të ‘bllokuar’ në një linjë lineare të të menduarit që i mban larg niveleve të larta të vetëdijes.

Të pasurit nuk janë të interesuar për mjetet, por te rezultati”.

 

Njerëzit e shtresës së mesme ëndërrojnë për ditët e bukura të kaluara, të pasurit për të ardhmen.

“Ata që bëhen milionerë (jo ata që e trashëgojnë pasurinë) arrijnë këto rezultate sepse ata ‘vënë bast’ veten, projektet, ëndrrat dhe idetë, pa e ditur se ku do t’i çojë e ardhmja”, thotë Siebold.

“Njerëzit që besojnë se ditët e mira vijnë më pas, rrallë ndodh që të bëhen të pasur, ndaj dhe shpesh ndihen të lumtur dhe bien në depresion”.

 

Njerëzit e shtresës së mesme mendojnë për paranë në mënyrë emocionale, të pasurit në mënyrë logjike.

“Një njeri jashtëzakonisht i zgjuar, i miredukuar dhe i suksesshëm mund të shndërrohet menjëherë në njeri që ka frikë, mendimtar, i tërhequr me mendimin e vetëm në kokë se si të kthejë mbrapsht komoditetin”, shkruan ai.

“Njerëzit e pasur e shikojnë paranë për atë që është dhe jo për atë që nuk është, pra me sy logjik. Njerëzit e mëdhenj e dinë se paraja është një mjet i rëndësishëm, që paraqet mundësi dhe shanse”.

 

Njerëzit e shtresës së mesme fitojnë paratë, duke bërë gjëra që nuk i dashurojnë, të pasurit ndjekin pasionet.

“Masës i duket sikur njerëzit e pasur punojnë gjithë ditën”, thotë Siebold. Por, një nga strategjitë e zgjuara të klasës së të pasurve ka të bëjë pikërisht me të bërit e gjërave që ata pëlqejnë dhe gjejnë mënyrat se si mund të paguhen për këtë. Nga ana tjetër, klasa e mesme kryen punë që nuk i pëlqen, sepse ata kanë nevojë për para dhe janë edukuar në shkollë, ose kushtëzohen nga mjedisi social të ndjekin një vijë lineare mendimi se paraja fitohet vetëm me lodhje mendore dhe fizike”.

 

Njerëzit e shtresës së mesme kanë pritshmëri të ulët, ndaj ata kurrë nuk zhgënjehen, të pasurit janë gjithmonë në sfidë.

“Psikologët dhe ekspertë të tjerë të shëndetit mendor shpesh i këshillojnë njerëzit që të kenë pritshmëri të ulëta për jetën, në mënyrë që të mos zhgënjehen, thotë shkrimtari Siebold. Askush nuk bëhet i pasur, nëse nuk ndjek ëndrrat dhe nuk ka pritshmëri të mëdha”.

 

Njerëzit e shtresës së mesme besojnë se DUHET të bësh diçka që të bëhesh i pasur, të pasurit besojnë se duhet të Jesh dikush që të bëhesh i tillë.

“Kjo është arsyeja se përse njerëzit si Donald Trump bëhen milionerë, zhyten në borxh 9 miliardë dollarë dhe kthehen përsëri më të pasur se kurrë”, shkruan ai.

“Masa është e fiksuar pas idesë se, nëse bën diçka, duhet të marrësh menjëherë rezultate. Të pasurit rriten dalëngadalë dhe mësojnë nga çdo eksperiencë e tyre, pavarësisht nëse është sukses apo dështim. Njohuria për ta është shpërblimi më i madh. Kjo është rruga sesi njeriu-makinë korr suksese dhe rezultate të jashtëzakonshme”.

 

Njerëzit e shtresës së mesme besojnë se duket të kesh para që të bësh para, të pasurit përdorin paratë e të tjerëve për t’u bërë të tillë.

Të menduarit linear i bën njerëzit të mendojnë se duhet të kesh para që të bëhesh i pasur, por Siebold thotë se të pasurit nuk kanë frikë që të sigurojnë të ardhmen e tyre nga xhepat e personave të tjerë.

“Për njerëzit e pasur çështja është: a do të sjellë kjo blerje, investim, vazhdimësi?”, shkruan ai.

 

Njerëzit e shtresës së mesme besojnë se tregjet drejtohen nga logjika dhe strategjia, të pasurit e dinë se drejtohen nga emocionet dhe lakmia.

Të investosh në mënyrë të suksesshme në bursë nuk është vetëm çështje formulash matematikore.

“Të pasurit e dinë se emocionet kryesore që udhëheqin veprimet në bursë janë: frika dhe lakmia dhe këto ndikojnë në të gjitha tregjet që ata vëzhgojnë”, shkruan Siebold.

“Kjo njohje e natyrës njerëzore dhe mbivendosja u japin atyre përparësi strategjike në ndërtimin e pasurisë”.

 

Masa jeton përtej mundësive të tyre, të pasurit poshtë.

“Për shekuj me radhë, njerëzit kanë jetuar me mendësinë: bëhu i pasur në mënyrë që t’i përballosh gjërat”, shkruan ai.

“Por, njerëzit e pasur jetojnë poshtë mundësive që kanë, jo sepse kaq mend kanë, por sepse ata bëjnë aq shumë para sa mund të përballojnë një jetë mbretërish, por gjithmonë duke lënë mënjanë pasuri për të ardhmen”.

 

Njerëzit e shtresë së mesme iu mësojnë fëmijëve se si të mbijetojnë, të pasurit se si të bëhen të tillë.

Prindërit e pasur u mësojnë herët fëmijëve botën e të pasurit dhe të mos pasurit. Shumë njerëz besojnë se kjo mbështetet nga ideja e elitave. Por Siebold e kundërshton.

“Njerëzit, thonë se prindërit i mësojnë fëmijët e tyre si të shikojnë poshtë, sepse janë të varfër. Kjo nuk është e vërtetë, thotë ai. “Ajo që ata po u mësojnë fëmijëve është të parit e gjërave me sy objektiv, me sensin e realitetit”. Nëse fëmijët do ta kuptojnë herët se çfarë është pasuria, atëherë kur të rriten ata do të përpiqen më fort për ta arritur atë.

 

Njerëzit e shtresës së mesme stresohen nga paratë, të pasurit gjejnë qetësinë shpirtërore te mirëqenia.

“Arsyeja se përse njerëzit e pasur fitojnë më shumë pasuri ka të bëjë me faktin se ata nuk kanë frikë të pranojnë se paraja zgjidh shumë probleme”, thotë Siebold.

“Masa e sheh paranë si një të keqe të domosdoshme, të pafund, që duhet të durohet gjithë jetën, të pasurit si çliruese dhe me sasi të mjaftueshme ata mund të arrijnë qetësinë mendore dhe financiare”.

 

Njerëzit e shtresës së mesme besojnë se duhet të zgjedhin mes një familjeje të mirë dhe të qenët të pasur, të pasurit besojnë se mund t’i kenë të gjitha.

Ideja se pasuria vjen në “kurriz” të jetës familjare nuk është gjë tjetër veçse një justifikim. Siebold thotë se masës i është bërë “lavazh mendor” për të besuar se është një ekuacion.

“Të pasurit e dinë se mund të kenë gjithçka nëse bashkohet përpjekja, sfida, mendimi i rrënjosur, dashuria dhe bollëku”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of