Austria ka vendosur të marrë kufizime të reja pasi rastet vazhdojnë të rriten, pavarësisht bllokimit të pjesshëm të marrë më herët.
Qeveria austriake ka parashikuar që shkollat të mbyllen, ndërsa dyqanet me pakicë do të mbeten të hapura. Gjithashtu edhe qendrat tregtare ku mund të mblidhen turma të mëdha priten të mbyllen. Vendimet e reja do të publikohen të shtunën.
Më herët Austria vendosi mbylljen e pjesshme deri në fund të muajit, me restorantet, kafenetë dhe baret të mbyllura, përveç shërbimeve “delivery”. Teatrot dhe muzetë gjithashtu janë mbyllur.
Deri më tani Austria ka pasur më shumë se 180 mijë raste dhe 1,600 vdekje që nga fillimi i pandemisë.
Ministri serb i Shëndetësisë, Zlatibor Loncar ka paralajmëruar se nuk ka më shtretër të lirë në spitale për pacientët e Covid-19 në kryeqytetin e Beogradit. Vendi vendosi sot gjoba të majme për njerëzit që nuk mbajnë maska ose nuk respektojnë distancën sociale.
Sipas ndryshimeve, kushdo që nuk mban maskë ose nuk ruan distancën e nevojshme në në hapësirat e brendshme ose të jashtme përballet me gjobë prej 5,000 dinarësh (50,29 dollarë), një dënim i ashpër në një vend ku pagesa mesatare mujore është 570 dollarë.
Kompanitë, restorantet dhe dyqanet që nuk i përmbahen rregullave higjieno-sanitare të vendosura nga qeveria, duke përfshirë mbajtjen e distancës midis punonjësve dhe klientëve, si dhe përdorimin e maskës mund të përballen me një gjobë prej 50,000-300,000 dinarë.
Serbia, me një popullsi prej rreth 7 milion, ka regjistruar 73,765 raste dhe 955 vdekje nga Covid-19.
Ligji i ndryshuar parashikon gjithashtu që në rast të një pandemie, ministria e shëndetësisë mund të vendosë vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë popullsisë ose grupeve specifike.
Portugalia po zgjeron numrin e vendeve që i nënshtrohen shtetrrethimit të natës dhe kufizimeve të tjera. Nga e hëna, dy të tretat e vendit do të jenë nën kufizime më të ashpra.
Ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn ka paralajmëruar se nuk ka gjasa që jeta të kthehet në normalitet deri në dhjetor. Spahn tha se festa e Krishtlindjes dhe evente të tjera nuk ka gjasa të zhvillohen./BBC