Intervistë me Elton Çollaku, Administrator i Union Financiar Tiranë (UFT)
Elton Çollaku, administrator i Union Financiar Tiranë, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se, transfertat nga jashtë shënuan një rritje të lartë gjatë periudhës së pandemisë. Kufizimet e lëvizjes ndërkufitare të shtetasve, sipas tij, ndikuan ndjeshëm edhe në kanalet e hyrjes së remitancave. Duke mos pasur mundësi të sillnin para dorazi, përmes të njohurve apo linjave të transportit, emigrantët shqiptarë dërguan më shumë para nëpërmjet kanaleve formale.
Z. Çollaku thotë se tregu i transfertave të parave në Shqipëri ka konkurrencë shumë të lartë dhe, përveç bankave tregtare, në të veprojnë edhe kompanitë më të mëdha globale të transfertave të parave, nëpërmjet agjentëve të tyre. Ai thekson se kompanitë e transfertave të parave kanë një sërë avantazhesh ndaj bankave, sidomos për dërgesat në vlerë të vogël, në rendin e disa qindra eurove, që përbëjnë edhe vlerën tipike të remitancave të cilat dërgohen në Shqipëri.
Kompanitë e transfertave ofrojnë komisione më të ulëta dhe mundësojnë tërheqjen e parave nga marrësi në kohë reale, ndërkohë që kanë edhe një rrjet mbulimi të territorit më të gjerë.
Sa u ndikua tregu i shërbimeve të pagesave nga kriza e vitit të kaluar? Në cilat drejtime, ndikimi ishte më i prekshëm?
Viti 2020 filloi me tendencat e veta të pritshme, në vijim të një viti normal, siç ishte 2019-a. Pas shpalljes së pandemisë dhe vendosjes së masave shtrënguese, pati një efekt të kuptueshëm negativ edhe në aktivitetin tonë, ashtu si dhe për shumë kompani në vend dhe në mbarë botën. Me kalimin e kohës, lehtësimin e masave dhe me stabilizimin e situatës në vendet e Europës Perëndimore, por edhe në Shqipëri, gradualisht aktiviteti ynë u normalizua.
Më tej, edhe falë masave që ndërmorëm si kompani, rezultatet vjetore i tejkaluan edhe pritshmëritë tona paraprake, ato të fillimit të vitit. Ajo që ne konstatuam në vitin 2020 ishte një rritje e ndjeshme e transaksioneve të transfertave të parave nga veprimet standard në degët/agjenci fizike drejt kanaleve elektronike (referuar kjo vendeve nga dërgohen remitancat drejt Shqipërisë). WESTERN UNION, prej vitesh, ka hedhur në treg shërbimin online të transfertave të parave.
Në kushtet e mbylljes pothuajse globale, për shkak të “lock down”, transfertat online shënuan rritje galopante në periudhën e pandemisë. Kjo ndikoi direkt në rritjen e numrit dhe volumit të transfertave në vitin 2020. Një element tjetër që ndikoi gjatë vitit 2020 ishte kufizimi i ndjeshëm i lëvizjes së njerëzve jashtë kufijve, i cili solli rritje të ndjeshme të kanalizimit të transfertave/remitancave nga kanalet jozyrtare/formale në të gjithë rrjetin e operatorëve financiarë, duke përfshirë bankat dhe subjektet financiare jobanka – SFJB.
Duke mos pasur mundësi të sillnin para dorazi, përmes të njohurve apo linjave të transportit, emigrantët shqiptarë dërguan më shumë para nëpërmjet kanaleve formale. Pa dyshim, kjo u favorizua, edhe nga tarifat më të ulëta të shërbimeve online. Pandemia i shtyu kompanitë e shërbimeve të pagesave që të shkojnë gjithnjë e më shumë drejt zgjidhjeve dixhitale. Një tendencë e tillë ndihmoi në përmirësimin e një problematike të hershme lidhur me transfertat e remitancave: faktin që në një pjesë shumë të madhe, ato hyjnë nëpërmjet kanaleve jozyrtare.
Keni ndonjë vlerësim lidhur me përqindjen e remitancave që hyjnë në vend në rrugë informale?
Mbështetur edhe në të dhënat që publikon Banka e Shqipërisë për vlerën totale të remitancave, ne vlerësojmë se të rreth 40% e tyre hyjnë në vend nëpërmjet kanaleve jozyrtare. Kjo është një problematikë/tendencë që ekziston në nivel global, por në Shqipëri është edhe më e theksuar prej faktit të afërsisë gjeografike të vendeve ku është vendosur emigracioni ynë (Greqi e Itali).
Sot, kompanitë e shërbimeve të pagesave identifikohen gjithnjë e më shumë me konceptin e fintech. Si është e pozicionuar UFT në drejtim të adoptimit të shërbimeve që bazohen te kanalet dixhitale?
UFT ka ndjekur tendencat e kohës, si në bashkëpunim me WESTERN UNION për sa i përket produktit të transfertave, ashtu edhe lokalisht. Western Union ka qenë përherë në kërkim të inovacionit dhe kanaleve alternative për transfertat e parave, duke implementuar risitë teknologjike të kohës, sikurse dhe dërgesat e parave në rrugë dixhitale direkt nëpërmjet telefonisë celulare dhe internetit dhe gjithnjë me komisionet më konkurruese në tregun e shërbimit të remitancave.
Në këtë linjë dhe në bashkëpunim me WESTERN UNION, UFT prej vitit të kaluar ofron për klientët edhe shërbimin e transfertave dalëse nga Shqipëria, në drejtim të vendeve të ndryshme “online”, pa nevojën e pranisë fizike të klientit në agjencitë tona. Vetëm pak ditë më parë, Western Union mori “Çmimin e Inovacionit për pagesat konsumatore” në “Çmimet FinTech Breakthrough” për vitin 2021, si një vlerësim për zgjidhjet novatore në transfertat ndërkombëtare të parave. Rrjedhimisht dhe për sa më lart, dixhitalizimi i portofolit të shërbimeve që ofron UFT mbetet në fokusin e shoqërisë sonë.
Çfarë perspektivash sjell për ju ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”.
Në perceptimin personal, edhe para miratimit të këtij ligji, Banka e Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë penguese për të licencuar aktorë të rinj që plotësonin kërkesat ekzistuese ligjore dhe rregullative. Në këtë kuptim, mendoj se Banka e Shqipërisë ka luajtur rol pozitiv në drejtim të nxitjes së konkurrencës në tregun e shërbimeve financiare në vend.
Ligji i ri përafron direktivën e dytë europiane të pagesave PSD2 dhe është një hap i rëndësishëm, sepse u krijon më shumë mundësi kompanive fintech për të depërtuar dhe për të zgjeruar aktivitetin në treg. Ai rrit njëkohësisht bashkëpunimin me bankat e nivelit të dytë, është një dritare më tepër për institucionet financiare. Mendoj se kjo është një hallkë e domosdoshme dhe shtytëse në këtë industri, edhe për faktin se bankat tradicionalisht janë më të ngurta kur bëhet fjalë për bashkëpunime apo integrime sistemesh, edhe për shkak të profilit dhe fokusit të tyre.
Kur flasim për transfertat nga jashtë, ka ekzistuar gjithmonë një opinion i përgjithshëm se tarifat e aplikuara nga kompanitë ndërkombëtare të transfertave janë më të larta se ato të transfertave standarde të ofruara nga bankat. A është e vërtetë se ju jeni më të shtrenjtë dhe cilat janë avantazhet konkurruese që keni kundrejt bankave për këto shërbime?
Supozimi se Kompanitë Ndërkombëtare të transfertave të parave aplikojnë tarifa më të larta se të shërbimit standard të transfertave të ofruara nga bankat e nivelit të dytë nuk qëndron, madje mund të them me bindje se është krejt e kundërta. Kompanitë ndërkombëtare, që ofrojnë transferta të shpejta, kanë një tipologji që i bën më të shpejta, më fleksibël, por edhe më të lira për klientin fundor.
Kjo është edhe arsyeja që kanë gjetur përdorim nga një numër i lartë emigrantësh prej vitesh. Avantazhet kryesore për klientin në këtë segment të shërbimit të pagesave/transfertave janë transferta e shpejtë në kohë reale, tarifa ekonomike e të sigurta, si dhe lehtësi për klientin fundor në procesin e kryerjes së shërbimit.
1. Sapo dërguesi ka depozituar fondet në një agjenci jashtë Shqipërisë, fondet mund të tërhiqen menjëherë nga përfituesi në Shqipëri. Ndërkohë për ta kryer transfertën përmes transfertave standarde të bankave në vendet përkatëse nevojiten zakonisht tre ditë pune.
2. Një element që duhet pasur parasysh është madhësia/shuma e transfertave. Targeti kryesor për shoqëritë e transfertave të shpejta janë remitancat e emigrantëve, të cilat karakterizohen nga një vlerë mesatare e ulët, mesatarisht 200 – 250 euro për transaksion.
Nuk është tipike për bankat të shërbejnë këto lloj shumash, pasi ato kryesisht targetojnë dhe ju shërbejnë një kategorie tjetër klientësh dhe kryesisht bizneset, duke pasur dhe më shumë fokus te transfertat në vlerë më të madhe tipike të biznesit. Rrjedhimisht, për shuma të tilla, komisionet e shoqërive të transfertave janë më të lira/ekonomike krahasuar me bankat e nivelit të dytë, të cilat kanë si praktikë aplikimin e një sërë tarifave fikse pavarësisht vlerës, si tarifat e bankës në nisje, tarifa e swift, tarifat e bankës pritëse etj.
Nëpërmjet shërbimit të transfertave online, tarifat e transfertave të ofruara nga shoqëritë e transfertave janë edhe më të ulëta dhe transaksionet kryhen pa pasur nevojë për të shkuar në një pikë fizike. Sot mund të transferohen para nga Italia, ose vendet e tjera të botës (nga më se 70 shtete) nëpërmjet aplikacionit online të WESTERN UNION duke filluar nga vetëm 1.9 euro, ose nëpërmjet agjencive duke filluar nga 2.9 euro, çka tregon realisht avantazhin e këtij shërbimi për kategorinë e transfertave të remitancave.
3. Avantazh tjetër është elementi i shtrirjes gjeografike dhe aksesit të klientëve në shërbimet financiare. Kompanitë si WESTERN UNION kanë zhvilluar, ndër vite, një rrjet shumë të gjerë agjencish nëpër botë, duke iu mundësuar edhe emigrantëve akses më të gjerë në shërbimet financiare dhe mjaft më të thjeshtë se ai i ofruar nga sistemi bankar. Paralelisht dhe në të njëjtën linjë, edhe shtrirja e rrjetit në Shqipëri është shumë e gjerë, falë një infrastrukture të ngritur në vite dhe kjo e bën më të thjeshtë aksesin për përfituesit e transfertave.
Sa më sipër janë arsyet kryesore që i bëjnë kompanitë ndërkombëtare të transfertave të jenë të preferuara në këtë segment dhe madje edhe vetë bankat e nivelit të dytë të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me këto kompani, për ta pasur këtë shërbim si pjesë të portofolit të shërbimeve për klientët e tyre.
Në këtë linjë mund të sjellim faktin që, në dijeninë time: Raiffeisen operon si agjent i MoneyGram, TransferWise, etj.; BKT si agjent i MoneyGram, RIA, UPT etj.; OTP si agjent i MoneyGram; Banka Credins si agjent i MoneyGram; Fibank si agjent i Money etj., çka praktikisht edhe rrëzon hipotezën se tarifat e aplikuara nga shoqëritë e transfertave të parave janë më të larta se të transfertave standarde të ofruara nga bankat.
Sa konkurrencë ekziston sot në ofrimin e shërbimeve të pagesave? Cilët faktorë janë më të rëndësishëm për të pasur avantazhe konkurruese?
Referuar ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (të ndryshuar), tregu përkatës përfshin nga ana e ofertës shërbimin e transfertave të parave nga 12 bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dhe kompanitë ndërkombëtare mjaft aktive dhe dinamike të cilat mundësojnë ofrimin e shërbimit të transfertave të parave, përfshirë Western Union, MoneyGram, RIA, Eurogiro, Coinstar, Intelexpress, Smallworld, UPT, Paypal, Transfereise, XOOM, Remitly, Paysend, e sipërmarrje të tjera të reja në këtë fushë.
Tregu i transfertave të shpejta të parave është mjaft dinamik sa i përket konkurrencës, pasi vihen re hyrje të reja vit pas viti dhe zgjerim i aktivitetit të kompanive, kryesisht ndërkombëtare, që e ushtrojnë aktivitetin, si në shumicën e vendeve ku janë vendosur pjesa më e madhe e dërguesve të mjeteve monetare, ashtu edhe në Shqipëri nëpërmjet (i) agjentëve/përfaqësuesve të tyre lokalë, të cilët sipas legjislacionit në fuqi, janë licencuar dhe mbikëqyren në vijimësi nga Banka e Shqipërisë, dhe (ii) bankave të nivelit të dytë me të cilat ato kanë marrëdhënie bashkëpunimi për ofrimin e këtyre shërbimeve të pagesës në krahun e lëvrimit të fondeve, si në llogari ashtu edhe në cash, sipas produktit që klienti i këtyre kompanive ka zgjedhur në vendin nga është iniciuar shërbimi i pagesës përkatëse.
Sistemet bankare në vendet ku jetojnë shqiptarët kudo në botë, ofrojnë gjithashtu shërbime të transfertave të parave në mënyrë masive, jo rrallë edhe me produkte të veçanta e të dedikuara për klientët e tyre e për dërgesa nga vende të veçanta, sidomos nga vende si Italia apo Greqia (por jo vetëm), të cilat kanë edhe banka bija, apo pjesë të grupit të tyre bankar që operojnë në Shqipëri. Me përfshirjen e risive teknologjike tentojnë të tërheqin pagesa individësh nga institucione bankare nga e gjithë bota, drejt Shqipërisë, duke qenë në këtë mënyrë tepër aktive dhe duke realizuar volume të konsiderueshme në këtë segment të tregut të shërbimeve financiare të pagesës ndërkombëtare, midis personave fizikë dhe juridikë.
Ndërkohë klienti që kryen një trasfertë parash (marrës apo dërgues), marrëdhënien me subjektin e ka një marrëdhënie “transaksionale”, duke qenë se ai e mbyll këtë marrëdhënie në momentin që transferta përfundon (paguhet apo iniciohet). Në transfertën e tij të radhës, ai nuk është i detyruar, në asnjë lloj forme, të përdorë përsëri shërbimin e këtij operatori dhe është i lirë të zgjedhë kanalin alternativ që atij i intereson, qoftë kjo bankë apo institucion tjetër financiar i licencuar. Të gjitha këto fakte provojnë që tregu është mjaft dinamik, konkurrues dhe nuk ka hapësira për mundësi abuzimi me fuqinë e tregut në dëm të klientëve.
Çfarë pjese zë segmenti i pagesave në favor të palëve të treta në biznesin tuaj dhe sa konkurrencë perceptoni në ofrimin e këtyre shërbimeve?
Kompania jonë është e fokusuar në një portofol produktesh, kryesisht pagesa utilitare dhe qëllimi kryesor është për t’iu gjendur klientit afër, kur e ka të nevojshme. Këtu përfshihen pagesat e energjisë, ujit, shërbimeve të telefonisë, internetit, TV, pagesa e kundërvajtjeve, taksave dhe tarifave vendore, etj.
Padyshim, ky është një treg shumë konkurrues, sepse e ofrojnë si shërbim 12 banka tregtare, një numër i madh institucionesh të tjera financiare, përveç numrit të madh të pikave të shërbimit të vetë operatorëve që ofrojnë shërbimet. Ne jemi vetëm një nga lojtarët në këtë treg. Theksojmë faktin se hapja e rrjeteve të shërbimit nga subjektet financiare jo banka të ndryshme, sikurse rasti i UFT dhe rrjetit të tij Unionnet – Western Union, ka luajtur rol shumë pozitiv në ofrimin e shërbimeve financiare, në një numër të madh të qendrave të banuara, rurale apo periferike, të cilat nuk kanë akses në shërbimet bankare për arsye të numrit historikisht të kufizuar të agjencive, apo degëve të Bankave.
Mendojmë se ky është një fakt që duhet të përshëndetet, si një faktor që ndikon pozitivisht në “përfshirjen financiare” (“financial inclusion”) të kësaj pjese të popullatës. Ne bëjmë më të mirën që shërbimi ynë të jetë i saktë, i shpejtë dhe i ofruar në kushtet më të mira të mundshme dhe me këtë tentojmë të fitojmë besnikërinë e klientëve tanë.
Remitancat kanë një cikël të kufizuar në kohë, ndonëse në Shqipëri ky cikël u zgjat falë valës së dytë të emigrimit. Çfarë profili mendoni se do të ketë UFT në momentin kur remitancat të fillojnë të bien dhe ku do të mbështetet më së shumti biznesi juaj?
Në parim, si fenomen i lidhur në mënyrë të padiskutueshme me emigracionin, ecuria e remitancave lidhet drejtpërdrejt me trendet migratore të një vendi, ku nivelet e larta të emigrimit të popullsisë shoqërohen me flukse remitancash, të cilat dërgohen nga emigrantët për të mbështetur familjarët në vendet e origjinës. Me kalimin e viteve dhe me inkuadrimin e kësaj kategorie (emigrantëve) në jetën dhe shoqërinë e vendit ku kanë emigruar, vërehet një lloj stabiliteti i remitancave dhe rënie të tyre dhe zakonisht ky është një cikël 10-15- vjeçar.
Në këtë kontekst, edhe në Shqipëri, trendi i remitancave “ka ndjekur” parimin e mësipërm. Vitet e fundit, si rezultat i tendencave të reja migratore të shqiptarëve drejt vendeve të Europës Perëndimore, kanë sjellë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptare në Perëndim. Si rrjedhojë, vërehet një prirje pozitive e remitancave, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me këto tendenca migratore dhe mbështetjen e emigrantëve për familjet e tyre në Shqipëri.
Në opinionin tim, referuar edhe përvojave të tregut, edhe në vitet e ardhshëm, si rrjedhojë e fenomenit të mësipërm, do të vijojë të ketë një trend pozitiv dhe të qëndrueshëm të flukseve të remitancave në vend. Këto fonde janë të domosdoshme për jetesën e shumë familjeve dhe të ekonomisë shqiptare në tërësi. Remitancat, ndër vite, kanë pasur një peshë mes 8% dhe 13% të PBB-së, gjë që e bën të qartë ndikimin shumë të madh që kanë në ekonominë shqiptare. Vlerësohet se afërsisht, një e katërta e familjeve shqiptare, kanë varësi të plotë nga remitancat.
Gjithsesi, duke qenë të vetëdijshëm se cikli i remitancave nuk do të jetë i përhershëm, me kohë, kompania jonë i ka paraprirë kësaj tendence dhe ka lëvizur drejt diversifikimit të shërbimeve. Kjo është bërë qoftë nëpërmjet produkteve dhe shërbimeve të reja të kompanisë, por edhe nëpërmjet investimit në kompani të tjera, si për shembull Union Bank, e cila është konsoliduar si një bankë e rëndësishme dhe solide në treg, apo PayLink. Shembujt tregojnë fokusin e kompanisë dhe aksionerëve për të qenë në avangardë ndaj shërbimeve të reja financiare.
Detyra e çdo kompanie që ofron shërbime, përfshirë këtu dhe Union Financiar Tiranë, është të përshtatet me kushtet e tregut dhe të kohës, në mënyrë që t’u përgjigjet kërkesave të konsumatorëve dhe klientëve. Në këto kushte, Union Financiar Tiranë vazhdon të ecë me hapa konkretë, duke mundësuar:
a- Ofrimin e një game sa më të gjerë produktesh për klientët e kompanisë, duke pasur një portofol sa më të diversifikuar produktesh dhe shërbimesh,
b- Ofrimin e shërbimit në një rrjet kapilar, duke ju gjendur pranë konsumatorëve tradicionalë kudo dhe me një mundësi zgjedhjeje të gjerë,
c- Ofrimin e shërbimeve dixhitale online. Në këtë drejtim, si Western Union ashtu edhe kompania jonë, ka mundësuar prej kohësh shërbimet online të transfertave të parave, sikurse dhe shërbime të tjera të cilat lançohen në mënyrë të vazhdueshme për klientët tanë dhe/ose janë në proces.
d- Ofrimi i këtyre shërbimeve gjithmonë shoqërohet me tarifa edhe më ekonomike për klientin fundor.
Aplikimi i kësaj strategjie do të jetë i domosdoshëm për të vazhduar edhe në të ardhmen, për të ruajtur dhe rolin e kompanisë sonë si lider në tregun e ofrimit të shërbimeve financiare në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.