“Kujdes me koncesionet”, S&P: Shqipëria mos tejkalojë kufirin e pagesave

16/08/2019 10:02 PM 0 komente

Gjiganti botëror i financave ‘Standard and Poors’ paralajmëron se pagesat e qeverisë shqiptare për koncesionet mund të dalin jashtë kufirit ligjor, duke lëkundur financat e shtetit.

Në raportin e fundit të vlerësimit për financat publike të Shqipërisë ‘Standard and Poors’, paralajmëron se mungesa e një institucioni që të mbajë nën kontroll PPP-të e bën të pamundur kufizimin e risqeve që mund të vijnë nga këto kontrata.

“Qeveria ka vendosur një kufi prej 5 për qind të të ardhurave buxhetore për pagesat e PPP-ve. Megjithatë ky rregull rrezikon të thyhet, duke patur parasysh se PPP-të mund të kontraktohen nga nivelet e ndryshme të qeverisjes dhe aktualisht nuk ka asnjë trup që mbikëqyr dhe ka autoritet të plotë mbi procesin”

‘Standard and Poors vendosi të mbajë të pandryshuar notën për borxhin publik të Shqipërisë në B+ me perspektivë të qëndrueshme. Por agjencia prestigjioze vëren se risqet për financat publike janë rritur. Veç kontratave të partneritetit publik privat, ‘Standard and Poors’ thotë se një tjetër risk për financat e shtetit është edhe kriza e zgjatur e kreditimit.

Ekspertët e Standard and poors parlajmërojnë se ngërçi i gjatë i kredisë mund të dëmtojë transmetimin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë dhe aftësinë e saj për të nxitur ekonominë. Madje sipas tyre, nëse vërtetohet se politikat e bankës do të jenë të paefektshme për të ndikuar ekonominë, atëherë kjo mund të çojë në përkeqësimin e notës së financave publike për Shqipërinë.

Pavarësisht rreziqeve në rritje ekspertët e ‘Standard and Poors’, parashikojnë se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të zgjerohet. Sipas tyre, për vitin aktual rritja ekonomike pritet të jetë 3.5 për qind, ndërsa për periudhën 2020-2022 ajo parashikohet të shkojë në 3.7 për qind.

Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of