Kryeministri i ri, Edi Rama, paraqiti së fundmi emrat në kabinetin e ri, që do të qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme. Me një ekip, që ishte sa inovator dhe i guximshëm, aq dhe i kujdesshëm, Rama hapi një sërë debatesh lidhur me zgjedhjet e tij. Teksa u vlerësua për numrin e lartë të femrave në kabinet, një tjetër risi ishin prurjet e reja në shumë dikastere, jo vetëm për moshën, por dhe mungesën e përvojës direkte në qeverisje, ndryshe nga kabinetet e mëparshme(flasim këtu për ministrat që ishin pjesë e ekipit të Partisë Socialiste, pasi partneri tjetër kryesor, LSI, prezantoi emra që tashmë kanë një përvojë drejtuese, të trashëguar nga pjesëmarrja në qeverisjen e djathtë në mandatin 2009-2013).
Një eksperiment i guximshëm ky, i menduar në këndvështrim afatgjatë, ku me sa duket Rama, ashtu si një trajner futbolli që tenton të përgatisë një ekip për në Kampionatin Botëror, që nuk pritet të fitojë që në ndeshjen e parë, por që do ta marrë përvojën pak nga pak e në mënyrë të qëndrueshme, ndoshta edhe duke rrezikuar pak në afatin e shkurtër.
Po sektori ku Rama nuk ka guxuar të eksperimentojë është ekonomia, një prioritet ky, nga i cili do të varet fati i gjithë qeverisjes së vendit. Vendi është i dobësuar nga kriza globale, që ka nisur në vitin 2008 dhe nuk dihet kur do t’i dalë fundi. Rritja ekonomia është ngadalësuar në më pak se 2% dhe duke pasur parasysh krizën e partnerëve tanë kryesorë si Greqia e Italia, e tillë pritet të mbetet të paktën në afatin e shkurtër. Me një borxh që i ka kaluar 63% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të ardhura me rënie reale në raport me një vit më parë, deficit në rritje dhe pritshmëri për zgjerim të ulët ekonomik, mundësi të pakta për përdorimin e stimujve, sfida më e madhe e qeverisjes së re do të jetë pikërisht ekonomia. Për më tepër që një sërë premtimesh në fushatë për të nxitur biznesin janë të lidhura me uljen e një sërë taksash, kryesisht të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, një nga burimet kryesore të të ardhurave në buxhet.
Dhe këtu kryeministri i ardhshëm ka preferuar që të tregohet i kujdesshëm, duke mos riskuar që të humbë që në ndeshjen e parë. Në krye të financave është vendosur z. Shkëlqim Cani, një nga ekspertët më të mirë që kanë socialistët, me përvojë si guvernator i Bankës së Shqipërisë, që ka qeverisur institucionin monetar qendror, duke bërë një kthesë të fortë si në drejtim të transparencës (dikur BSH ishte një kullë e mbyllur, nga e cila ishte tepër e vështirë të merrje informacion) ashtu dhe duke i bërë një oponencë të fortë qeverisë, që në atë kohë drejtohej po nga socialistët. Oponencë që ai ka vazhduar ta bëjë gjithë kohës, edhe kur u largua nga Banka e Shqipërisë dhe që shpesh nuk ka ngurruar të flasë hapur lidhur me situatën reale të ekonomisë apo financave shqiptare. Sfida e parë me të cilën do të përballet do të jetë ajo e shifrave të buxhetit, për të cilat socialistët pretendojnë që nuk janë reale. Për të vazhduar më pas me rritjen e të ardhurave, në kushtet kur qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e premtimeve të saj. Si një partizan i borxhit të ulët, sërish do të përballet me sfidën e uljes së saj, në një mjedis me rritje të dobët ekonomike. Që në fillim, ndeshja për të do të jetë shumë e fortë dhe nga rezultati i saj do të varet dhe suksesi i të gjithë ekipit qeverisës.
Por rritja ekonomike dhe shtimi i të ardhurave (që do të kërkojë me domosdoshmëri reformë fiskale dhe zgjerim të bazës së tatimpaguesve) nuk mund të arrihet pa një Ministri të fortë Ekonomie. Dhe këtu është zgjedhur një tjetër person me përvojë. Z. Arben Ahmetaj vjen nga një përvojë e gjatë si në qeverisje (në vitet 2003-2004 ka qenë zëvendësministër i Energjisë dhe Industrisë dhe zëvendësministër për Integrimin) ashtu dhe në privat dhe Rama i ka besuar pikërisht çështjet për sipërmarrjen dhe zhvillimin e tregut.
Një tjetër ekip me përvojë në drejtimin e ekonomisë vjen dhe nga ministritë që do të drejtohen nga LSI, si Edmond Haxhinasto që do të jetë drejtues i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, apo Edmond Panariti në funksionin e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Në ekipin qeverisës tepër të diversifikuar, duket se ekonomia është pika më e fortë dhe më me përvojë, një zgjedhje kjo që kushtëzohet nga përgjegjësia e marrë përsipër përgjatë fushatës. Kjo do të jetë dhe ndeshja më e fortë dhe e vështirë e qeverisë së re, ku mundësitë për të gabuar duhet të jenë sa më të vogla, pasi një humbje që në fillim do të kishte pasoja të rënda.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.