Intervistë me Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve
Viti 2022 pritet të jetë veçanërisht sfidues për sektorin bankar.
Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank) thotë se ulja e konsumit, si pasojë e rritjes së çmimeve dhe rritjes së pritshme të interesave bankare, do të ndikojë negativisht në rritjen e ekonomisë.
Sipas tij, ecuria e turizmit gjatë vitit 2022 do të vazhdojë të jetë shumë domethënëse për ekonominë dhe ABI Bank vëren një tentativë për rritje të nivelit të borxhit në këtë industri, faktor i cili mund të sjellë pasoja negative afatgjata.
Z. Ballta mendon se ruajtja e disiplinës në kredidhënie do të bëjë një diferencë të madhe në ecurinë e biznesit të bankave.
Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës suaj gjatë vitit 2021? Cilat ishin sfidat dhe arritjet kryesore që do të nënvizonit, për sektorin bankar në tërësi dhe bankën tuaj në veçanti?
ABI raportoi një vit tjetër rekord në vitin 2021, për sa i përket rritjes së aktiveve, kredidhënies, depozitave, fitimit vjetor dhe fitimshmërisë. Për më shumë, kreditë e këqija u ulën nën mesataren e industrisë bankare.
Dalja nga pandemia dhe rikthimi i ekonomisë në funksion të plotë ishin sfidat e gjithë sistemit bankar, që u kapërcyen me shumë sukses, si nga ABI Bank, ashtu edhe nga bankat e tjera.
Ekonomia botërore po përballet me rreziqe të reja, të lidhura me inflacionin e lartë dhe luftën në Europën Lindore. Çfarë pasojash mund të kenë këto zhvillime në ekonominë shqiptare dhe në sektorin financiar në Shqipëri?
Pasojat e luftës në Europën Lindore mund të kenë ndikim shumë negativ në industrinë e turizmit, si dhe në rritjen e ekonomisë në përgjithësi. Një pjesë domethënëse e të ardhurave të turizmit në Shqipëri, vjen nga vendet e Europës Lindore dhe Rusisë.
Shtrenjtimi i importeve nga vendet e përfshira në luftë do të ndikojë gjithashtu negativisht në rritjen ekonomike.
Për sa i përket inflacionit si fenomen ciklik, ai do të ndikojë negativisht në ekonomi, por gjithsesi, për momentin, jemi më optimistë për sa i përket përmasës së ndikimit në ekonominë shqiptare, duke qenë se Shqipëria është një vend depozitar dhe me nivel kreditimi relativisht më të ulët në krahasim me vendet e tjera.
Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit në vitin 2022?
Kjo është hera e parë që një cikël inflacioni e gjen ekonominë shqiptare më të pasur dhe me norma fitimi shumë më të konsoliduara se në ciklin e fundit të inflacionit që ka përjetuar ekonomia jonë.
Është për t’u parë se si do të reagojnë bizneset shqiptare në një ambient ku normat e interesit të kredidhënies mund të rriten, ndërkohë që normat e fitimit janë shumë më të ulëta dhe të konsoliduara nga 10-15 vite përpara.
Ulja e konsumit, si pasojë e rritjes së çmimeve dhe rritjes së pritshme të interesave bankare, do të ndikojë negativisht në rritjen e ekonomisë. Gjithsesi, në kontekstin e menaxhimit të inflacionit, është për t’u vlerësuar që reagimi i institucioneve rregullatore dhe suporti nga qeveria ka qenë proporcional.
Rritja e normës së interesit me 0.5% ishte një masë e duhur në kohën e duhur. Edhe ndihma ekonomike për rritjen e çmimeve të konsumit dhe diskutimi për garanci të reja sovrane janë hapa pozitivë.
Ecuria e turizmit gjatë 2022 do të vazhdojë të jetë shumë domethënëse për ekonominë. Ne po vërejmë një tentativë për rritje të nivelit të borxhit në këtë industri, që mund të sjellë pasoja negative afatgjata. Kujdesi në mbajtjen e disiplinës në kredidhënie dhe të qenët përzgjedhës në klientelë do të bëjnë një diferencë të madhe në ecurinë e biznesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.