Rritja e moshës së popullsisë në të gjithë globin, por edhe rritja e harmonizuar e interesit për kujdesin oral ofron mundësi të mëdha për risitë dhe diferencimet që mund të bëjnë furnitorët e këtij sektori. Shumica e ofruesve po përmirësojnë praktikat e ndërveprimit direkt të shitjes te konsumatorët, duke u përpjekur të rrisin ndërgjegjësimin për shëndetin e përgjithshëm të gojës. Për më tepër, rritja e ndërgjegjësimit për higjienën orale në vendet në zhvillim dhe shtimi i produkteve të reja ka rritur gjithashtu konsumin e produkteve dentare. Kërkesa në rritje për stomatologjinë estetike e dentare dhe turizmin dentar siguron rritje të mëtejshme të këtij tregu në vitet e ardhshme.
Studiuesit e tregut vërejnë se Alphateknologjitë e reja do të ketë ndikim të madh mbi rritjen e përgjithshme të këtij tregu, pasi do të ndihmojnë në shkurtimin e kohës për procedurat dentare dhe do të përmirësojnë efikasitetin e praktikuesve. Për shembull, futja e teknologjisë CAD / CAM ka reduktuar ndjeshëm kohën për ndërtimin e kurorave dentare, urave si protezë, ndërsa teknikat e imazhit 3D kanë përmirësuar diagnozën e pacientit dhe planifikimin e procedurës.
Ndërsa mungesa e ndërgjegjësimit të konsumatorëve në ekonomitë në zhvillim mund të pengojë rritjen e tregut, lojtarët e industrisë kanë ende mundësi të pafundme rritje, për shkak të rregullave më pak të rrepta në lidhje me futjen e produkteve të reja dhe të avancuara. Përmirësimi i mbulimit të sigurimit në vendet e zhvilluara dhe rritja e të ardhurave në vendet në zhvillim (India dhe Kina), pritet të kontribuojnë ndjeshëm në forcimin e tregut.
Europa përbën tregun më të madh rajonal për shpenzimet e shërbimeve dentare. Ajo është ndikuar nga prania e shumë kompanive lider në rajon, por edhe nga një segment më i gjerë i moshës madhore, e cila mund të përballojë shërbimet e shtrenjta dentare. Amerika ruan peshë të madhe për shkak të rritjes së industrisë dentare dhe një numër të madh prodhuesish që operojnë në segmente të ndryshme të sektorit. Vendet aziatike si India, Kina, Koreja e Jugut, Malajzia, Tajlanda dhe Singapori pritet të sigurojnë mundësi të mëdha rritje, për shkak të rritjes së popullsisë, por edhe rritjes së të ardhurave për frymë për shtresat e mesme e të larta.
Por, mbi të gjitha, rritja e vetëdijes në lidhje me shëndetin e dhëmbëve dhe higjienën e gojës do të sigurojnë rritje të vazhdueshme të popullsisë që do të shpenzojë për produktet e shërbimet dentare.
Aktorët kryesorë në tregun global të produkteve për kujdesin e gojës janë “Dentsply International”, “Danaher Corporation”, 3M-ESPE (SHBA), “Ivoclar Vivadent” (Lihtenshtajn), “Heraeus Dental” (Gjermani) dhe “GC Corporation” (Japoni).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.