Vendet e Lindjes, në përgjithësi, kanë një mendësi që e shohin shtetin si punëdhënës ose si rregullatorin direkt të punësimit, – thotë profesori i ekonomisë, Dhori Kule. Sipas tij, ky mentalitet i ka penguar të gjitha vendet e Lindjes që të përshtasin nevojat për arsim me tregun e punës dhe perspektivat tij. Në Shqipëri, fenomeni është më i theksuar edhe për ato degë ku punëdhënësi është në një masë të madhe shteti.
Degët e mësuesisë kanë një mbifurnizim me studentë, edhe pse dihet se punëdhënës është shteti. Në këtë sens, shteti duhet të bëjë një program për nevojat e punësimit në mësimdhënie, me qëllim që universitetet të mos prodhojmë shumë se çfarë i duhet tregut të punës. Ky programim mungon aktualisht.
Profesor Kule thotë se, një strategji e qartë për zhvillimin ekonomik është drejtimi më i mirë për të lidhur sistemin arsimor me nevojat e tregut të punës. Qeveria gjermane ka studiuar forcën e punës dhe perspektivat e zhvillimit në të gjitha vendet në zhvillim të Europës. Jo rastësisht kancelarja Merkel, në vizitën e saj në Shqipëri, përmendi si sektorë prioritarë, turizmin dhe energjinë. Kule thotë se Gjermania është modeli më i mirë në Europë për lidhjen ndërmjet sistemit arsimor dhe nevojave të tregut të punës.
Gjithashtu, Berlini është shembulli më i qartë se si mendësia ndikon këtë lidhje. Në Berlinin Lindor, njerëzit ende presin që shteti të jetë ofruesi ose koordinatori kryesor i tregut të punës, teksa në Berlinin Perëndimor tregu është me fleksibël, pasi njerëzit arsimohen duke i studiuar vetë kërkesat që ka tregu për punë.
Kule tha se tendencat e së ardhmes tregojnë për perspektiva të larta punësimi në degët e TIK dhe IT. Ai tha se studentët që përfundojnë “informatikën ekonomike”, një degë relativisht e re pranë Fakultetit të Ekonomisë, punësohen që në studimet Barchelor. Ai tha se universitetet duhet të jenë më të hapura për të pranuar studentë, pasi seleksionimi gjatë ciklit të studimeve bëhet në mënyrë të natyrshme për shkak të rigorozitetit në mësimdhënie dhe në vlerësime. Zoti Kule përmendi një rast në të kaluarën, kur ishin pranuar 720 kuota dhe ishin diplomuar vetëm 36 studentë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.