Flet Blerta Feka, administratore e “Bleta Shafran”
Kultivimi i shafranit, edhe pse me leverdi, vazhdon të mbetet me raste sporadike në vendin tonë. Blerta Feka, administratore e “Bleta Shafran”, një fermë në rrethinat e Tiranës, tregon rrugëtimin nga kultivimi në 100 m² në 5000 m² që ka arritur sot.
Kultivimi i shafranit, sipas saj, ka leverdi dhe duhet të shihet si mundësi për fermerë të tjerë në vend. Rritja e sasisë së kultivuar do ta bënte edhe më të lehtë eksportin për të. Kjo fermë shafrani pret që këtë tetor të dalë për herë të parë me produkt, i cili do të shkojë drejt tregjeve të huaja duke hapur një kapitull të ri të eksportit.
Si nisi ferma juaj, si ka qenë ecuria e prodhimit nga viti në vit dhe a është zgjeruar apo rritur ferma?
Bleta Shafran është regjistruar si biznes në dhjetor 2018, por ne kishim 2 vite që eksperimentonim me parcelën e shafranit. Familja ime zotëron disa prona në një fshat të Petrelës, shumë pak minuta nga Tirana. Për vite me radhë, këto toka kanë qenë djerrë. E njëjta situatë si në pronat e mia ishte dhe në banorët e tjerë të fshatit. Ne nuk ishim pronarë me certifikatë pronësie të tokave tona, si rrjedhojë çdo lloj investimi në to kishte rrezik që shumë pak e ndërmerrnin.
Një problem tjetër është dhe mungesa e ujit. Për herë të fundit, kanali ujitës në fshat ka qenë funksional para 20 vitesh. Bimët e zakonshme ishte e pamundur t’i kultivoje, Fshatarët bënin vetëm një kopsht të vogël afër shtëpisë që ujitej me ujë të pijshëm.
Pasi arrita të regjistroj një pjesë të mirë të parcelave që zotëroja, fillova të mendoj se me çfarë mund t’i ktheja funksionale dhe pse jo fitimprurëse ato. Babai im është agronom dhe ishte një ndihmë e madhe në përzgjedhjen e bimës, duke qenë se i njihte shumë mirë tokat e fshatit.
Shafrani njihej prej pak vitesh në Shqipëri, kultivuesi nga Dumreja kishte folur shpesh në lidhje me bimën që po kultivonte dhe ne vendosëm ta provonim. Filluam me vetëm 100 m² për të parë nëse bima mund të rritej në tokat tona dhe sot kemi mbi 5000 m² të mbjellë me shafran.
Ku e shpërndani produktin që prodhoni dhe a është e lehtë të gjesh treg?
Produkti i prodhuar nga ferma ime deri tani është shitur në Shqipëri. Restorantet dhe dyqanet organike kanë qenë blerësit kryesorë por gjatë vitit të pandemisë, një rol të madh kanë pasur shitjet në rrjetet sociale. Të ndërgjegjësuar për vetitë e shafranit, kërkesa për të është rritur nga viti në vit. Vitin e kaluar, ne jemi certifikuar si fermë organike, sipas standardit të BE-së.
Certifikimi u bë për të treguar mënyrën si ne e prodhojmë këtë produkt, por mbi të gjitha për të hapur dyert e tregut BE-së. Diaspora shqiptare, në shtetet e BE-së, e cila zotëron biznese në fushën e kulinarisë, është një treg shumë interesant që ne po e eksplorojmë. Në tetor 2021, me prodhimin e ri, presim të kemi sasi të konsiderueshme shafrani dhe të fillojmë eksportin.
Sa kushton 1 kg shafran dhe a ia vlen të zgjerohet prodhimi në vend?
Shafrani njihet me emrin “ari i kuq”, për vlerën që ka dhe njëkohësisht dhe çmimit. Aktualisht “Bleta Shafran” në Shqipëri tregtohet me ambalazhe prej 0.5 gram, 1 gram dhe 5 gram. Çmimi i 1 gram varion nga 1000 lekë deri 2500 lekë, në varësi të cilësisë.
Në tregun europian, një kilogram mund të shkojë nga 3000 $ deri në 10000 $.
Shqipëria mund të kthehet në prodhuese e rëndësishme e shafranit nëse merr mbështetjen e duhur. Ne i kemi tokat e përshtatshme dhe forca punëtore është më se e kualifikuar për ta prodhuar. Nëse do fillohej të prodhohej në masë, do ishte më e thjeshtë në sigurimin e eksportit. Greqia, fqinji ynë, është një ndër prodhuesit kryesorë në Europë, nëse ne do të ndiqnim shembullin e tyre, bujqësia në vend do të merrte një kthesë shumë pozitive.
Cilat janë përfitimet e shafranit dhe a kanë filluar ta njohin shqiptarët më shumë?
Shafrani nuk është shumë i njohur, megjithatë konsumatori po fillon të ndërgjegjësohet për rëndësinë e ushqyerjes dhe si rrjedhojë, edhe shafranin kanë nisur ta kërkojnë. Restorantet më në zë në vend e përdorin prej vitesh. Shafranin ke mundësi ta përdorësh në një shumëllojshmëri gatimesh dhe lehtësisht. Shafrani ka efekte shumë pozitive në organizimin tonë.
Është i pasur me antioksidantë që i përkasin familjes karotenoide. Ai përdoret për trajtimin e çrregullimeve të humorit, është në gjendje të qetësojë ankthin dhe të veprojë si antidepresant natyror.
Shafrani është gjithashtu një burim i vitaminave B. Ai lufton diabetin, dhe HTA. Sipas disa studimeve shkencore, shafrani madje arrin një funksion antitumor pasi bllokon përhapjen e qelizave malinje dhe i shtyn ato drejt një lloj “vetëvrasjeje të programuar”. Arsye për të cilat përdoret edhe tek pacientët e prekur nga sëmundja e Alzheimerit. Lehtëson punën e mëlçisë dhe stomakut gjatë fazës delikate të tretjes. Forcon sistemin imunitar dhe ka veti antimikrobike.
Ai mbron sytë, duke bllokuar para së gjithash degjenerimin e retinës. Këto janë vetëm disa nga përfitimet qe ne marrim nga përdorimi i shafranit. Sot po bëhen kërkime të shumta në lidhje me përdorimin e shafranit në sëmundjet degjenerative, por edhe në luftimin e sëmundjeve tumorale sidomos të atij të mushkërive.
Sot, pas disa vitesh në këtë biznes, a mendoni se ia vlen dhe se duhet të ketë një orientim edhe të fermerëve të tjerë për të prodhuar shafran?
Ferma e shafranit për mua është shumë e rëndësishme. Pas shumë vitesh të lëna të shkreta, tokat e mia nisën të merrnin jetë e të prodhonin. Ishte vendimi më i mirë që kam marrë në krijimin e saj. Unë nuk e kam nisur këtë biznes duke menduar për tregun vendas, nëse do të merrja në konsideratë vetëm këtë treg do ishte shumë e limituar. Me synimin e eksporteve, sa më shumë fermerë të prodhojnë dhe të njihet produkti shqiptar aq më mirë është për të gjithë ne.
Në tregun vendas, ne jemi konkurrencë, por në tregun e jashtëm sa më shumë produkt cilësor shqiptar të këtë aq më mirë është për prodhuesit. Shafrani shqiptar nuk njihet siç njihet për shembull boronica e Kukësit, apo shumë bimë mjekësore, me orientimin dhe politikat e duhura kjo mund të ishte ‘boronica’ apo ‘sherebela’ e ardhshme që do siguronte të ardhura për shumë familje e fermerë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.