Kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore, si alternativë për përfitim ekonomik, nuk është i qëndrueshëm, pavarësisht aspektit të të ardhurave që sjell. “E para, bujqësia tradicionale, edhe pse me shumë pak të ardhura, është shumë më e shëndetshme, sepse brenda ka punën!
Aspekti social i saj i ka rrënjët këtu e 10000 vite më parë, kurse kjo e kanabisit është si një ‘biçim piramide’, ku familja tradicionale rurale, e as ajo moderne, nuk kanë vend”, thotë Profesor Doktor Rexhep Uka, ish-ministër i Bujqësisë, ekspert i fushës.
Zoti Uka thotë se “vlera e shtuar e kanabisit si bimë bujqësore, domethënë si aktivitet i fermerëve, sinoptikisht nuk ndodh (nëse bëhet fjalë për bimë farmaceutike), sepse nuk është ‘biznes’ fermerësh. Kjo kërkon një analizë tejet të thellë.
Është një temë që mund ta shtjellojnë saktë vetëm ekonomistët dhe nuk di nëse kjo ekspertizë ekziston te ne”.
Kultivimi i kanabisit, si kulturë bujqësore, është një sfidë e madhe, e cila do të zbulojë deri ku ka arritur konsolidimi i shtetit ligjor për ekspertin Uka. Sfida e dytë, do të ishte: “me të vërtetë e arritëm kulmin në bujqësinë tradicionale dhe tani na mbeti kanabisi?!”, shtoi ai.
Ky prodhim është specie botanike, që ka teknologjinë e saj, të cilën e trajton fito-teknika. Por kjo nuk do të thotë se ka lidhje me bujqësinë, e cila është shumë larg dhe më e thellë nga kjo trajtesë, apo qasje që po diskutojmë ne. Madje, as nuk mund të quhet punë fshati.
Ajo është punë “qytetarësh” nga ata që dinë, me të gjitha mënyrat, se si të trashin kuletën e tyre. Deri tani, kanabisi ka funksionuar si transferim teknologjie, madje si “high-tech”, ku fshatarët, jo bujqit e mirëfilltë, kanë kontribuar vetëm me energjinë fizike vetjake, vlerësoi ish-ministri i Bujqësisë.
“Po të ishte në dorën time, ajo që do të bëja e do t’më gëzonte vërtet, do të qe që, gjithçka që do vilej nga taksimi i këtij prodhimi, me ligj të veçantë, t’u kalonte investimeve në fshat dhe pikërisht: mbështetjes së bujqësisë dhe fermerëve!!” propozoi ai.
Përvojat janë të ndryshme. Në Kaliforni, legalizimi i kanabisit, si produkt rekreativ, u bë në vitin 2018, ndërkohë që si bimë mjekësore ishte lejuar që në vitin 1996.
Sistemi i taksimit të këtij produkti realizohet nga shteti dhe, një vit më vonë, California Cannabis Advisory Committee (pra një Komitet mbikëqyrës), botoi një raport që dëshmonte se bilanci ishte shumë zhgënjyes, pasi të ardhurat fiskale ishin tre herë më të ulëta se sa shpresohej, për arsye të konkurrencës shumë të lartë që ushtronte tregu i zi.
Mos harroni që flasim këtu për një shtet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, theksoi z. Uka.
Në Francë, ku lejohet nën një kontroll të rreptë të shtetit, vetëm kanabisi që përmban më pak se 0.2% THC (tetrahydrocannabinol, substancë psikoaktive e kanabisit që përdoret edhe për fibrat e bimës në industri), ka rezultuar pozitiv si për rendimentin e grurit, si efekt qarkullimi i kulturave në fusha, po ashtu edhe ekologjikisht për shmangjen e pesticideve.
Në Portugali gjithashtu, ku kultivimi i kanabisit, për arsye mjekësore dhe eksportimi, janë autorizuar me ligj që prej vitit 2019, është konsideruar tepër me leverdi, sidomos për eksportin, por në një mbikëqyrje tepër të rreptë nga shteti të parcelave, si të bëhej fjalë për burgje të sigurisë së lartë!!
Larmia e të dhënave është si rezultat shumëfunksional, por aty ku shteti gjithmonë është i gjithëpranishëm, serioz, rregullator, si para dhe në prapaskenë për reforma të cilat janë studiuar paraprakisht dhe kanë marrë shumë kohë për t’u realizuar.
Po të kemi parasysh se eksportimi i kanabisit mund të jetë me leverdi për ekonominë lokale, mund të hamendësojmë se të shumtë mund të jenë ata që do duan ta kultivojnë këtë bimë, në dëm të kulturave të tjera tipike për bujqësinë tonë.
“Në kushtet globale që po tregojnë se shumë vende po rikonsiderojnë kulturën e grurit, ose drithërave të tjera për të mos u varur nga eksporti, ose të rritjes së çmimeve të frutave dhe perimeve, më duket e paarsyeshme të mos nxiten edhe fermerët e Shqipërisë në këtë rrugë” tha z. Uka.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.