Kultura e Startup-eve

04/03/2017 8:01 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Emigrantët po sjellin sipërmarrje të reja në Gjermani

Ndërsa gjermanët po tregohen gjithnjë e më pak të interesuar për hapjen e bizneseve të reja, të ardhurit vijnë të etur për të ndërtuar sa më shumë

Gjermanët njihen si njerëz punëtorë, por jo domosdoshmërisht për shpirtin e sipërmarrjes. Ata kanë më pak iniciativë për të ndërtuar biznese të reja në krahasim me amerikanët, suedezët apo edhe francezët, shkruan The Economist.
Por me hyrjen e valës së fundit të emigrantëve në vend, është rritur edhe norma e ndërtimit të bizneseve të reja. Në vitin 2015, 44% e bizneseve të reja të regjistruara në Gjermani u hapën nga njerëz me pasaporta të huaja, krahasuar me 13% në vitin 2003. Në total, rreth një e pesta e personave të angazhuar në veprimtari sipërmarrëse janë shtetas të huaj.
Dhe ka të ngjarë që kjo normë të rritet me ardhjen e mbi një milion refugjatëve në dy vitet e fundit. Numri i të vetëpunësuarve nga Lindja e Mesme u rrit me pothuajse dy të tretat midis viteve 2005 dhe 2014, sipas Rene Leicht dhe Stefan Brewing, kërkues në Universitetin e Mannheim-it. Gjithashtu,ka pasur një rritje të theksuar të aktiviteteve të themeluara nga njerëz nga Siria, Iraku dhe Afganistani – shprehet Maik Leonhardt i IHK Berlin, një shoqatë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Disa refugjatë vijnë në Gjermani me synime të qarta për të drejtuar firmat që ata do të ndërtojnë. Familja e Iyad Slik kishte një pastiçeri në Siri dhe kur ata u shpërngulën në Berlin përpara 3 viteve, e rindërtuan atë edhe në Berlin.
“Viti i parë i biznesit ishte shumë i vështirë për ne, sepse ishim pothuajse trokë” – shprehet z. Slik. Por me vendosmërinë e tij për t’ia dalë mbanë dhe për ta rritur medoemos biznesin e tyre dhe për ta bërë atë sa më të suksesshëm, sot ai ka klientë shumë të rëndësishëm, ku mund të përmendim rrjetin e gjerë të supermarketeve KaDeWe dhe hotelin e famshëm Aldon.
Ndërsa një pjesë e madhe shtetasish të tjerë të huaj u bënë sipërmarrës pa e planifikuar fare një gjë të tillë. Hussein Shaker, një programues kompjuteri, nuk e kishte fare në plan të ndërtonte një biznes të tijin në Gjermani. Unë vetëm doja të gjeja një punë në fushën e teknologjisë – u shpreh ai. Duke punuar fillimisht në një call center, kuptoi se si ai, kishte edhe të tjerë sirianë që punonin aty, të cilët mund të jepnin më shumë sesa puna në një call center, kualifikimet e tyre ishin për shumë më shumë sesa një punë e tillë. Së bashku me partnerë të tjerë gjermanë, ai ndërtoi një faqe online për refugjatët, MigrantHire, në të cilën janë regjistruar 13,000 punëkërkues ku rreth 2,000 pozicione janë të lira.
Shpirti i sipërmarrjes në mesin e emigrantëve vjen kryesisht si pasojë e vështirësive që ata gjejnë për të pasur akses në tregun e rregullt të punës. Shumë startup-e gjatë dekadës së kaluar u krijuan nga europianët, shtetet e së cilëve ishin pranuar në BE, por që ende nuk gëzonin të drejta të plota të punësimit me ato të shteteve të tjera anëtare të BE-së.
Vetëpunësimi ofron perspektiva shumë të mira për emigrantët ambiciozë, thotë z. Leicht. Të ardhurat e tyre rriten, ata përpiqen që t’i bëjnë gjërat sa më mirë dhe diskriminimi nuk është më një problem shqetësues. Aplikantët me emra të huaj të veçantë e kanë shumë më të vështirë për të fituar vendet e punës në firmat gjermane. Në një studim të kryer për sipërmarrësit emigrantë, nga KfW, një bankë zhvillimi gjermane, një e treta e tyre u shprehën se kjo ishte e vetmja mënyrë për t’ia dalë mbanë.
Sipërmarrja nuk është aspak e lehtë në Gjermani: BB-ja e rendit Gjermaninë të 114 në botë për lehtësitë që të krijon në fillimin e një biznesi. Programet e integrimit në qendrat e punësimit i drejtojnë emigrantët në klasat për mësimin e gjuhës dhe punësimin e rregullt, sesa i inkurajojnë ata për të ndërtuar bizneset e veta. Dhe mbi të gjitha, depërtimi në procedurat burokratike mund të jetë shumë i vështirë.
Numri i vendasve të vetëpunësuar ra me 3% nga viti 2005 deri në vitin 2015.
Një nga arsyet se përse emigrantët janë më entuziastë në lidhje me krijimin e startup-eve, është se ca për shkak të natyrës, e ca për shkak të nevojës ata rrezikojnë më shumë. Për shumë prej tyre, që i kanë shpëtuar luftës civile,kanë kaluar Mesdheun dhe kanë lëvizur nga një vend europian në një vend tjetër, ballafaqimi me procedurat e ndryshme burokratike gjermane duket shumë më i lehtë për t’u kapërcyer në krahasim me ato që kanë kaluar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of