Flet z. Luan Leka, president i EHW
Nuk është e lehtë për sipërmarrësit shqiptarë të industrisë përpunuese të konkurrojnë në një treg që, përveçse është i vogël, ka informalitet të lartë dhe, për më tepër, politikat e shtetit nuk janë nxitëse.
Z. Luan Leka, president i EHW, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të përpunimit në vend, thotë se është detyrë e shtetit, që në emër të interesit të vendit, të mbështesë këta investitorë, të cilët kanë kurajën të investojnë në industritë përpunuese, pasi ky sektor, përveç krijimit të vendeve të punës, sjell një pasuri që mbetet në vend dhe një kulturë industriale. Është para së gjithash, kultura industriale që i bën vendet dhe popujt të pasur.
I konsiderojmë pozitive rezultatet e vitit 2019 për grupin EHW. Rritja e të ardhurave dhe e fitimit dëshmojnë një punë të suksesshme. Kompania EHW ka vazhduar politikën e investimeve në mënyrë të pandërprerë me qëllim përmirësimin e teknologjisë së prodhimit, realizimin e produkteve të reja dhe optimizimin e menaxhimit të proceseve.
Kompania Qafshtama, pjesë e grupit, përfundoi ndërtimin dhe vënien në punë të stabilimentit të ri në Qafshtamë, ku prodhohet formati 19 litra, që përdoret kryesisht për konsum në zyra. Është programuar ndërkohë investimi për prodhimin e pijeve freskuese.
Si ka qenë ecuria e deritanishme në 2020? Sa janë prekur kompanitë nga situata e Covid-19 dhe si ka qenë reagimi juaj për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve të kërkesave ligjore dhe sjelljes konsumatore?
Këtë vit, pandemia e Covid-19, aq sa krijoi probleme e dhimbje për shëndetin e njerëzve në të gjithë botën, solli edhe probleme për ekonominë. Në këtë kontekst, nuk mund të bënim përjashtim ne.
Ne patëm të drejtën të punonim në kohën e lockdown-it dhe iu përgjigjëm si kërkesave të protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtjen nga infeksioni, ashtu edhe kërkesave të tregut. Sapo filloi epidemia blemë 200 mijë maska kirurgjikale në Kinë, duke u dhënë mundësinë punonjësve t’i ndërrojnë çdo ditë, dyfishuam numrin e mjeteve të transportit për në punë, si dhe rritëm pagat për t’u kompensuar punonjësve vështirësitë e krijuara.
Aktualisht po procedojmë për kryerjen e testeve në laboratorët privatë për cilindo që ka pasur kontakt me të infektuar, kuptohet janë rastet kur institucionet e shëndetit publik nuk e bëjnë testin. Pra kemi qenë dhe jemi të detyruar të përballojmë kosto suplementare, për masa të marra në këtë situatë emergjence, por të cilat për fat kanë mbrojtur punonjësit tanë nga infektimi dhe u kanë dhënë garancitë e nevojshme edhe klientëve.
Megjithatë, kemi pasur pasoja negative nga mbyllja për një kohë e tregut të restoranteve dhe bareve, si dhe nga një ulje e ndjeshme e fuqisë blerëse në treg në muajt korrik dhe gusht. Kjo e fundit mendojmë se i dedikohet uljes së numrit të turistëve dhe emigrantëve që vijnë zakonisht në këtë periudhë. Në muajt shtator dhe tetor jemi kthyer në parametra normalë të shitjeve.
Cilët sektorët vlerësoni se kanë më shumë interes për të investuar?
Është e vështirë të flitet për prioritete investimesh për sa kohë nuk dihet sa do të vazhdojë pandemia. Bursat në botë kanë pësuar dhe vazhdojnë të pësojnë ulje të vlerave çka tregon që bie vazhdimisht interesi për investim. Megjithatë ka sektorë që ecin shumë më mirë se më parë, siç janë farmaceutika dhe vaksinat, video-komunikimi që mundëson home working apo shërbimet online. Ndërsa dy të parat janë në duart e gjigantëve botërorë, në tregun e shërbimeve online dhe sidomos të shitjeve online, ka shumë për të bërë. Investimet në këtë fushë do të përmirësonin padyshim performancën e bizneseve të sektorit.
Tepër interesant për mendimin tim mbetet investimi për organizimin e grumbullimit dhe përgatitjes për treg të prodhimeve bujqësore. Kam parasysh përpunime të thjeshta, që kanë të bëjnë me larjen, përzgjedhjen, përpunimin fillestar dhe ambalazhimin e këtyre produkteve, një sektor që mbetet i pazhvilluar. Mendoj se në prapambetjen e këtij sektori kanë ndikuar politikat e gabuara fiskale.
Si e shpjegoni interesin e ulët të bizneseve në përgjithësi për t’u diversifikuar dhe për të investuar në industrinë përpunuese dhe çfarë mund të bënte shteti për t’i nxitur ato?
Do të duhej një intervistë e plotë për t’ju përgjigjur kësaj pyetje. Për të dhënë një përgjigje sa më të shkurtër do të ndalesha në industritë ushqimore. Do rendisja disa faktorë kryesorë pengues.
a) risku i lartë i investimit.
Jemi në kushtet kur tregu është i mbushur me produkte importi, të cilat ligjërisht hyjnë pa taksa. Për të konkurruar duhet të investojmë në teknologji moderne, që do të thotë në makineri të kushtueshme, pra duhet të bëjmë investime me kosto të lartë. Për sasitë që tregu vendas konsumon, kosto e amortizimit të mjeteve është aq e lartë sa i bën produktet jo konkurruese në treg. Dhe një industri që nuk konkurron dot zerohet si vlerë.
Zgjidhja është dalja në tregjet ndërkombëtare, eksporti. Që të shesësh duhet që blerësi të besojë që produkti është i sigurt. Sot blerësi europian nuk i beson produktit shqiptar, së pari sepse legjislacioni ynë i sigurisë nuk përputhet me atë europian. Që nga viti i largët 2005, kemi firmosur marrëveshjet për unifikimin e legjislacionit për sigurinë ushqimore, pra për përputhjen.
Ndërkohë vazhdojmë të flasim për “përafrime”. Pas këtij procesi do të duhet kohë që blerësi europian të fillojë pak nga pak t’i besojë produktit “made in Albania”
B) Industritë kërkojnë një menaxhim të kualifikuar dhe impenjativ, si edhe personel teknik të kualifikuar. G
jetja e personelit teknik bëhet gjithnjë më e vështirë, për shkak se shkollat tona nuk nxjerrin teknikë dhe formimi në ndërmarrje është i vështirë kur mungojnë njohuritë bazë të shkollës. Në fund të fundit, ai që ka para zgjedh t’i investojë në ndërtim, për sa kohë që kjo ecën.
C) ndikimi negativ i tregut informal.
Një treg informal e vë investitorin që zbaton ligjet e paguan taksat, përballë konkurrencës së pandershme të atij që nuk paguan taksat apo para blerësit i cili nuk pranon faturën. Pra i shton një tjetër telash të madh. Para këtij realiteti, investitori vendas përpëlitet, investitori i huaj refuzon të vijë. Mendoj se kjo është një arsye që shpjegon se pse, pas “Coca Cola”-s në vitin 1994, asnjë investitor i huaj nuk operon në këto industri.
D) mungesa e politikave dashamirëse ndaj sektorit industrial prodhues.
Janë të shumta ligjet në materien e taksave, të mbrojtjes në punë, të mbrojtjes së mjedisit, etj., të cilat padrejtësisht ushtrojnë presion mbi biznesin që operon në industritë përpunuese. Për më tepër, këto ligje u hapin rrugë inspektimeve të panumërta, me të cilat një biznes duhet të përballet dhe sidomos qëndrimit shpesh tepër agresiv të inspektorëve.
Është detyrë e shtetit që, në emër të interesit të vendit, të mbështesë këta investitorë, të cilët kanë kurajën të investojnë në industritë përpunuese, pasi ky sektor, përveç krijimit të vendeve të punës, sjell një pasuri që mbetet në vend dhe një kulturë industriale. Është para së gjithash, kultura industriale që bën vendet dhe popujt të pasur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.